• e diel, 22 dhjetor 2024

Eskobar: Pa mbështetje të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ka mundur të arrihet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Eskobar: Pa mbështetje të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ka mundur të arrihet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Tiranë, 14 prill 2023 (MIA) - I dërguari special i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, i cili ishte për vizitë në Tiranë, në një intervistë për Top çanell, e ka vlerësuar si historike marrëveshjen e arritur në Ohër, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Për sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, ajo që kemi në këtë marrëveshje të normalizimit është një marrëveshje historike për marrëdhënie miqësore, konstruktive mes dy palëve që nuk kishin shumë besim reciprok", thotë ai.

Ai shton se marrëveshja, e cila u mundësua nga Bashkimi Evropian, me mbështetjen e SHBA-së, "është e mbështetur pothuajse në çdo aspekt nga vendet e rajonit" dhe se pa mbështetjen e Maqedonisë së Veriut nuk do të ishte arritur. 

"Negociatat u zhvilluan në Maqedoni dhe pa mbështetjen e tyre nuk do të ishte e mundur. Por ajo u mbështet edhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe nga vende të tjera të rajonit. Ne shohim rolin shumë të rëndësishëm të Shqipërisë në stabilitetin rajonal. Kjo tani është konfirmuar", tha Eskobar.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë nga data 11 deri më 13 të këtij muaji, Eskobar u takua me presidentin Bajram Begaj, me kryeministrin Edi Rama dhe me përfaqësues të partive politike, PD-së Enkeled Alibeaj dhe Partisë së Lirisë Ilir Meta. mb/

Foto: Top çanell

 

QËNDRONI TË LIDHUR