• e premte, 05 dhjetor 2025

Ditë zie në Portugali, 15 viktima dhe 18 të lënduar gjatë aksidentit me funikular në Lisbonë

Ditë zie në Portugali, 15 viktima dhe 18 të lënduar gjatë aksidentit me funikular në Lisbonë

Lisbonë, 4 shtator 2025 (MIA) - Të paktën 15 persona kanë vdekur, ndërsa 18 janë lënduar pasi që funikulari "Gloria" doli nga binarët në Lisbonë, kumtoi zëdhënësi i shërbimeve të emergjencës.

Funikulari është hekurudhë që ngjitet në një shpat të pjerrët, duke përdorur kabllo dhe është një nga atraksionet turistike më të famshme në kryeqytetin portugez. Linja "Gloria" është hapur në vitin 1885 dhe lidh sheshin "Restauradoresh" në qendër të Lisbonës me qarkun "Bario Alto", e njohur për klubet e natës dhe kafenetë, e vendosur në një nga kodrat e Lisbonës.

Autoritetet nuk kanë kumtuar ende identitetin dhe kombësitë e viktimave, por kanë konfirmuar se midis tyre ka dhe të huaj.

Sipas informacioneve fillestare, është shkëputur një nga kabllot e mjetit transportues, pas çka ai përshpejtoi poshtë shpatit, ka dalë nga binarët dhe është përplasur në një ndërtesë.

Presidenti i Portugalisë, Marselo Rebelo de Souza, shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.

"Kjo është ditë tragjike për qytetin tonë. Lisbona është në pikëllim, ky është një incident vërtet tragjik", deklaroi kryebashkiaku i Lisbonës, Karlosh Moedash.

Funikulari ka kapacitet prej rreth 40 udhëtarë. Aksidenti ndodhi në orën 18:05 sipas orës lokale, në afërsi të bulevardit "Liberdade".

Një dëshmitare për televizionin lokal deklaroi se funikulari po udhëtonte me shpejtësi të lartë poshtë shpatit. "U përplas në ndërtesë me një forcë të jashtëzakonshme dhe u shemb si një kuti nga kartoni, nuk kishte frenim", tha ajo.

Sipas Institutit kombëtar për përmendore, funikulari i nënshtrohet një inspektimi të plotë teknik çdo katër vjet. Kompania e transportit të qytetit siguroi se të gjitha protokollet e mirëmbajtjes janë respektuar.

Qeveria e Portugalisë ka shpallur Ditë Zie kombëtare pas tragjedisë. Shkaqet e aksidentit janë ende duke u hetuar.

Funikulari në Lisbonë, mes të cilave janë dhe "Bika" dhe "Lavra", si dhe ashensori panoramik "Santa Zhusta", njihen nga ngjyra e tyre e verdhë, e ngjashme me tramvajet e Lisbonës dhe janë një atraksion i madh për turistët. rq/bsh/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR