Danimarka planifikon të vendosë një moshë minimale për përdorimin e rrjeteve sociale
- Danimarka planifikoi të vendosë moshën minimale kombëtare prej 15 vjeç për qasje në rrjete të caktuara sociale, kumtoi sot Qeveria daneze.
- Post By Ramize Qamili
- 18:29, 7 nëntor, 2025
Kopenhagë, 7 nëntor 2025 (MIA) - Danimarka planifikoi të vendosë moshën minimale kombëtare prej 15 vjeç për qasje në rrjete të caktuara sociale, kumtoi sot Qeveria daneze.
Megjithatë, prindërit do të kenë mundësinë t’u lejojnë fëmijëve të tyre të regjistrohen në rrjetet sociale prej moshës 13 vjeç, transmetoi DPA.
Sipas Ministrisë së Dixhitalizimit, ligji i ri ka për qëllim të mbrojë më mirë fëmijët dhe të rinjtë në botën dixhitale. Në këtë mënyrë, siç shpjegojnë nga ministria, fëmijët do të kenë më shumë kohë për pushim, lojë dhe zhvillim personal para se të hapin profile në rrjete të cilat mbartin rreziqe të caktuara.
Marrëveshja politike nuk specifikon ende se kur do të zbatohet masa, as cilat rrjete sociale do të mbulohen, përveç asaj që synon platformat më të mëdha.
Danimarka është një nga vendet e para në BE që ndërmerr hapa drejt kufizimeve të tilla në përdorimin e mediave sociale.
Danezët në fillim të vitit paralajmëruan se donin ta promovonin këtë çështje në nivelin e Bashkimit Evropian, kur në korrik morën përsipër presidencën e rradhës së Këshillit të BE-së.
Australia konsiderohet si një pioniere në këtë fushë – autoritetet atje kanë vendosur që të rinjtë do të jenë në gjendje të përdorin platforma si TikTok, Snapchat, YouTube, Facebook dhe Instagram që nga mosha 16 vjeç. rq/
Foto: DPA