Britania e Madhe dhe Franca do të ratifikojnë marrëveshjen për kthimin e emigrantëve
- Post By Ramize Qamili
- 09:55, 5 gusht, 2025
Londër, 5 gusht 2025 (MIA) - Marrëveshja për kthimin e emigrantëve midis Britanisë së Madhe dhe Francës, e cila u nënshkrua gjatë vizitës shtetërore të presidentit francez Emanuel Makron në Britaninë e Madhe muajin e kaluar, hyri në fuqi sot.
Sipas marrëveshjes, emigrantët të cilët kalojnë Lamnshin do të kthehen në Francë, ndërsa azilkërkuesit me lidhje me Mbretërinë e Bashkuar, pra ata që kanë lidhje familjare, pune ose të tjera me vendin, do të pranohen në Britaninë e Madhe, publikoi Skaj Njuz.
Marrëveshja parashikon një skemë pilot "një brenda, një jashtë", sipas së cilës Britania e Madhe do t'i kthejë emigrantët në Francë në këmbim të numrit të azilkërkuesve të miratuar që kanë lidhje me Britaninë e Madhe.
Komisioni Evropian e ka miratuar skemën, ndërsa arrestimet e para priten deri në fund të javës.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, 25.436 emigrantë kanë kaluar kufirin deri më tani këtë vit, që është rritje prej 49 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kryeministri britanik Kir Starmer dhe presidenti francez Makron e mirëpritën marrëveshjen si hap pozitiv në kontrollin e migracionit.
Marrëveshja lejon që çdo emigrant që arrin me anije të vogël të ndalohet menjëherë dhe të vendoset në qendrat për deportim.
Sipas raportimeve, numri i emigrantëve të kthyer nuk do të kalojë 50 në javë, por analistët politikë besojnë se numri do të duhet të jetë më i lartë për të pasur një ndikim të vërtetë në uljen e emigracionit.
Marrëveshja, gjithashtu, parashikon që emigrantët, kërkesat e të cilëve për azil refuzohen, do të kthehen në Francë, ndërsa numri i emigrantëve që mund të hyjnë ligjërisht në Mbretërinë e Bashkuar do të rritet, me kontrolle të rrepta.
Pilot - projekti do të zgjasë deri në qershor të viti 2026, ndërsa pritet që të arrihet marrëveshje afatgjatë midis dy vendeve. rq/
Foto: EPA