• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Berisha: Përpjekja e Kosovës për të përfituar pas luftës në Ukrainë nuk është mirëpritur prej diplomatëve

Berisha: Përpjekja e Kosovës për të përfituar pas luftës në Ukrainë nuk është mirëpritur prej diplomatëve
Prishtinë, 11 prill 2022 (MIA) - Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Anton Berisha thotë se përpjekja e Kosovës për të përfituar pas luftës në Ukrainë, për anëtarësim në organizatën ndërkombëtare nuk është mirëpritur prej diplomatëve. Ai thotë se procesi për anëtarësim në NATO, Këshill të Evropës dhe BE është dashur si vazhdimësi për Kosovën dhe jo moment që duhet shfrytëzuar dhe përfituar. Anëtari në departamentin për politikë të jashtme të LDK-së, në një intervistë për Kosovapress thotë se nën Qeverinë Kurti, ka pasur edhe zbehje të raporteve të Kosovës me aleatët strategjik ndërkombëtar “Politika e jashtme këtë vit nuk ka njohur asnjë hap përpara ose zhvillim. Përkundrazi ka ecur prapa, ndoshta edhe këta me ideologjinë leniniste një hap para, dy prapa janë duke ecur prapa, pasi s’kemi pasur asnjë zhvillim siç janë njohjet, raportet me BE-në, raportet bilaterale me shtetet të caktuara dhe raportet zhvillimore në rajon. Përkundrazi kemi zbehje të raporteve me SHBA-në, një mos prezentë totale me shtete evropiane, si Gjermania dhe Franca. Një zbehje edhe në raport me rajonin, duke përfshirë edhe shtetin shqiptar. Në asnjë pikë nuk kemi ecje përpara, po ashtu paraqitjet e zyrtarëve tanë kanë qenë skandaloze me gabime, qoftë në gjuhen e përdorur diplomatike, qoftë edhe me temat që i kanë trajtuar… S’kanë plan, strategji dhe nuk bashkëpunojnë. Po zhvillojnë një politikë popullsite dhe iu ka dhënë rezultatet në politikën e brendshme dhe kanë menduar që edhe në raportet ndërkombëtare përmes popullzimin të përfitojnë”, theksoi Berisha. Nga ana tjetër, armatimin e Serbisë nga Kina, Berisha e sheh si një vazhdimësi të politikës së saj, por thotë se hapësira manovruese ushtarake e saj është e kufizuar, pasi shtetet e rajonit janë anëtarësuar në NATO, ndërsa sigurinë në Kosovë ende e ka në kontroll KFOR. “Kjo është vazhdimësi e politikës serbe, ajo vazhdimisht është armatosur këto vitet e fundit dhe vazhdon. Po ashtu ajo vazhdon të mbajë raportet me Rusinë dhe Kinën. Dy lëvizjet e fundit e fundit të Serbisë në Kombet e Bashkuara janë bërë në miratim me Moskën, pasi Rusia ka nevojë të mbajë një dritare të hapur me Serbinë dhe jo ta izoloj, ndërkohë Serbia vazhdon të luaj me dy letra… Kjo është vazhdimësi e politikës së tyre, edhe ashtu janë të armatosur. Por ruajtja e aleancës dhe raportet tona me SHBA-në e krijon sigurinë në një nivel tjetër. Mos të harrojmë se marrëveshjen e Kumanovës, siguria është kompetencë e NATO-së, KFOR-it. Në këtë kuptim ky është fati i Kosovës dhe rajonit, pasi Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut janë anëtarësuar në NATO. Në këtë kuptim hapësira manovruese ushtarake e Serbisë është e kufizuar dhe rrezikshme edhe për vet Serbinë nëse tenton të marrë hapa të tillë”, thotë ai. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR