BE dëshiron të ulë tarifat për mallrat amerikane për të përmbushur marrëveshjen tregtare
- Komisioni Evropian sot dorëzoi propozime se si të zbatohet marrëveshja tregtare e arritur së fundmi me SHBA-në, e cila premton ulje retroaktive të doganave për automjetet e BE-së në këmbim të qasjes më të lehtë të SHBA-së në tregun e Unionit.
- Post By Ramize Qamili
- 21:21, 28 gusht, 2025
Bruksel, 28 gusht 2025 (MIA) - Komisioni Evropian sot dorëzoi propozime se si të zbatohet marrëveshja tregtare e arritur së fundmi me SHBA-në, e cila premton ulje retroaktive të doganave për automjetet e BE-së në këmbim të qasjes më të lehtë të SHBA-së në tregun e Unionit.
Doganat për mallrat industriale amerikane duhet të hiqen plotësisht, ndërsa barrierat tregtare për "një gamë të caktuar produktesh deti amerikane dhe mallrash bujqësore jo të ndjeshme" duhet të ulen, theksohet në kumtesën e ekzekutivit të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, Komisioni planifikon të vazhdojë përjashtimin nga doganat për tregun amerikan, transmeton DPA.
BE-ja dhe SHBA-ja arritën një marrëveshje kornizë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare të vazhdueshme javën e kaluar, pas një marrëveshje historike të arritur muajin e kaluar në Skoci midis presidentes së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe presidentit amerikan, Donald Tramp, me të cilin vendosi tarifë bazë prej 15 për qind për mallrat e BE-së.
Deklarata e 21 gushtit theksoi se SHBA-ja do të ulë tarifat e tyre për automjetet në mënyrë retroaktive që nga fillimi i muajit, me kusht që BE-ja të iniciojë procesin ligjvënës për të lehtësuar importet e produkteve të caktuara amerikane.
"Në interesin tonë të përbashkët është që të dyja palët të respektojnë angazhimet e tyre dhe të sigurojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes", deklaroi komisioneri i Tregtisë së BE-së, Marosh Shefçoviq.
Propozimet ende duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian dhe 27 vendet anëtare të BE-së, përpara se uljet e doganave për mallrat amerikane të hyjnë në fuqi. rq/
Foto: EPA