Anëtarët e BE-së kanë arritur marrëveshje për vendosje etapore të Sstemit për hyrje dhe dalje në Zonën Shengen
- Ministrat e punëve të brendshme të vendeve-anëtare të BE-së në takimin e sotëm në Bruksel kanë arritur marrëveshje për vendosje etapore të Sistemit për hyrje dhe dalje (EES), i cili duhet të sigurojë kontroll digjital të shtetasve të vendeve të treta që hyjnë ose dalin nga Zona Shengen.
- Post By Melahat Baftija
- 14:56, 5 mars, 2025

Bruksel, 5 mars 2025 (MIA) - Ministrat e punëve të brendshme të vendeve-anëtare të BE-së në takimin e sotëm në Bruksel kanë arritur marrëveshje për vendosje etapore të Sistemit për hyrje dhe dalje (EES), i cili duhet të sigurojë kontroll digjital të shtetasve të vendeve të treta që hyjnë ose dalin nga Zona Shengen.
Sipas ministrit polak të Punëve të Brendshëm dhe Administratës, Tomash Sjemonjak, vendi i të cilit është kryesuesi aktual me BE-në, marrëveshja e arritur nga njëra anë lejon fleksibilitet, ndërsa nga ana tjetër garanton "sigurinë e lëvizjeve migruese".
"Jam shumë i kënaqur që gjatë presidencës polake të Këshillit të BE-së, e cila fokusohet në çështjet e sigurisë, është mundur të arrihet një përparim kaq domethënës në kontrollin dhe mbrojtjen e kufijve tanë të jashtëm", shtoi Sjemonjak.
Përmes sistemit EES do të regjistrohet në mënyrë digjitale hyrja dhe dalja e shtetasve të vendeve të treta nga BE-ja gjatë qëndrimit të tyre afatshkurtër në një nga anëtarët e bllokut. Sipas rregullave të parashikuara, me hyrjen ose daljen e parë nga BE-ja pas nisjes së sistemit, shtetasve të vendeve të treta do t'u skanohen dhe fotografohen të dhënat e pasaportës dhe shenjat e gishtërinjve dhe këto të dhëna do të ruhen në dosjen digjiitale të Unionit.
Konform marrëveshjes së arritur sot, nuk është caktuar një datë për fillimin e zbatimit gradual të sistemit, por është lënë që për këtë vendim të veçantë të marrë Komisioni Evropian pasi të hyjë në fuqi Rregullorja për EES.
Brenda tre muajve të parë të fillimit të zbatimit, vendet-anëtare duhet të prezantojnë sistemin EES me mundësinë e marrjes së të dhënave biometrike në të paktën gjysmën e pikave të tyre të kalimit kufitar.
Deri në skadim të periudhës për zbatimin gradual të sistemit, vendet-anëtare janë të detyruara të fillojnë regjistrimin e plotë të personave që hyjnë ose dalin nga BE-ja përmes pikave të tyre kufitare.
Kjo marrëveshje u arrit duke marrë parasysh nevojat e ndryshme të vendeve të BE-së, duke lejuar disa anëtarë të zbatojnë gradualisht sistemin EES, ndërsa të tjerëve iu ofrohet mundësia për zbatimin e plotë të tij që nga dita e parë.
Pasi që do të bëhet plotësisht funksional, sistemi EES do t'u mundësojë vendeve-anëtare të BE-së të kenë qasje në kohë reale në të dhënat personale të shtetasve të vendeve të treta, historinë e tyre të udhëtimit dhe informacionin nëse ata përputhen me dispozitat për qëndrimin në Zonën Shengen. Vlerësohet se kjo do të zvogëlojë ndjeshëm mundësinë e mashtrimit të identitetit dhe kohës së qëndrimit, duke forcuar kështu sigurinë e Zonës Shengen. mb/
Foto: BE