Aliev: Trampi meriton çmimin Nobel për paqe
- Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliev, sot deklaroi se presidenti amerikan, Donald Tramp meriton çmimin Nobel për paqen.
- Post By Ramize Qamili
- 17:15, 27 gusht, 2025
Baku, 27 gusht 2025 (MIA) - Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliev, sot deklaroi se presidenti amerikan, Donald Tramp meriton çmimin Nobel për paqen.
Aliev në një intervistë për televizionin Al Arabija tha se së bashku me kryeministrin armen Nikoll Pashinjan e ka nominuar Trampin për çmimin Nobel për paqe.
"Ai me të vërtet e meriton. Siç thashë në Uashington, për disa muaj ai ka bërë mrekulli në Afrikë, në Azi, në Kaukazin jugor. Dhe kjo është në karakterin e tij. Kjo është natyra e tij. Ai dëshiron paqe. Ai është person i cili në përgjithësi nuk përshtatet me imazhin tradicional të një lideri perëndimor", theksoi Alievi, transmetoi RIA Novosti.
Trampi ndërmjetësoi në nënshkrimin e marrëveshjes së paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë në gusht në Shtëpinë e Bardhë.
Alievi dhe Pashinjani nënshkruan deklaratë të përbashkët me të cilën u zotuan për një ndërprerje të përhershme të armiqësive, vendosjen e marrëdhënieve tregtare dhe diplomatike, si dhe respekt të ndërsjellë për sovranitetin dhe integritetin territorial.
Në shkurt, Trampi deklaroi se meriton çmimin Nobel për paqe.
Më herët, mediat koreanojugore njoftuan se nënkryetari i komitetit parlamentar i inteligjencës së Koresë së Jugut, Park Sung-von, ka nominuar Trampin për çmimin Nobel për paqe.
Kongresmeni Erll Badi Karter ka paraqitur kërkesë zyrtare deri tek Komitetit të çmimit Nobel për nominimin e Trampit për çmimin Nobel për paqe për shkak përpjekjeve të tij në zgjidhjen e konfliktit Iran-Izrael.
Qeveria pakistaneze, gjithashtu ka propozuar nominimin e Trampit për çmimin Nobel për paqe për shkak ndërmjetësimit të tij në konfliktin midis Pakistanit dhe Indisë. rq/
Foto: EPA