• e diel, 22 dhjetor 2024

Ahmeti - Petkov: Vendi ynë nuk humb asgjë nga miqësia dhe afërsia me Bullgarinë

Ahmeti - Petkov: Vendi ynë nuk humb asgjë nga miqësia dhe afërsia me Bullgarinë
Shkup, 18 janar 2022 (MIA) - Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti sot në Kuvend realizoi takim me kryeministrin e Republikës së Bullgarisë Kirill Petkov, gjatë të cilit bashkëbiseduan rreth implementimit të qasjes më konstruktive dhe racionale për zgjidhjen e kontestit mes të dyja vendeve të rëndësishëm për perspektivën europiane të Maqedonisë së Veriut. Siç thuhet në kumtesën e BDI-së, Ahmeti ka përshëndetur vizitën e kryeministrit Petkov në vendin tonë duke e cilësuar si hap që shënon fillimin e një kapitulli të ri të bashkëpunimit, të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë bilaterale dhe thellimin e raporteve të fqinjësisë së mirë si garancë e vetme e të ardhmes progresive të të dyja vendeve. Gjatë takimit, Ahmeti i ka potencuar kryeministrit Petkov rëndësinë e hapjes së negociatave të vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në qershor të vitit 2022 duke kërkuar konstruktivitet dhe angazhim maksimal për zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Kryeministri bullgar Petkov ka folur për pozicionet e palës bullgare për zgjidhje përfundimtare e të kontestit bilateral por edhe ka shfaqur gatishmëri për ti adresuar të gjitha çështjet e hapura. Ahmeti ka theksuar përparësite e Marrëveshjes së Ohrit në aspekt të të drejtave të komuniteteve dhe ka shprehur mbështetjen e tij për përfshirjen e komunitetit bullgar në kushtetutën e vendit tonë sepse qytetarët tanë nuk humbasin asgjë. “Të dy vendet jemi në një proces shumë të rëndësishëm, kemi nevojë të jashtëzakonshme për të relaksuar raportet dhe marrëdhëniet. Kemi folur shumë hapur për temat që kërkojnë zgjidhje por edhe guxim, sepse nuk duhet të përfshihemi nga emocionet, por të jemi racional”, nënvizoi Ahmeti në konferencën për shtyp pas takimit. Në këtë periudhë gjashtë mujore duhet të hapen negociatat për anëtarësim të vendit tonë në Bashkimin Europian sepse me mohimin e perspektivës integruese rriten aspiratat dhe aktivitetet e frymave antieuropiane në rajonin tonë dhe kjo nuk duhet lejuar që të ndodh. Mes tjerash, Ahmeti dhe Petkov kanë konstatuar edhe nevojën e thellimit të bashkëpunimit jo vetëm në rrafshin politik, por edhe në atë ekonomik që do të mundësojë perspektivë më të madhe zhvillimore të të dyja vendeve përmes komunikimit më të drejtëpërdrejtë biznesor duke potencuar në këtë aspekt rëndësinë e ndërtimit sa më të shpejtë të Korridorit 8 që do të lidh tre kryeqytetete Sofjen, Shkupin dhe Tiranën. Takimin e përmbyllën duke shprehur optimizmin e përbashkët për avancimin e dialogut dhe tejkalimin e dallimeve mes të dyja vendeve që do të ketë epilog të sigurtë integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. bs/

QËNDRONI TË LIDHUR