• e premte, 05 dhjetor 2025

Aeroplanmbajtësja "Xherald Ford" ka lundruar në ujërat e Amerikës Latine

Aeroplanmbajtësja

Uashington, 11 nëntor 2025 (MIA) - Pentagoni përsëriti se aeroplanmbajtësja "Xherald Ford" ka lundruar në ujërat e Amerikës Latine me qëllim për të ndihmuar në "kapjen e trafikut të drogës dhe për të prishur dhe çmontuar organizatat ndërkombëtare kriminale".

Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp muajin e kaluar urdhëroi sistemimin e "Xherald Ford" në Detin e Karaibeve.

Pasi Uashingtoni fillimisht njoftoi se po dërgonte "Xherald Ford", presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro paralajmëroi se "miliona burra dhe gra do të armatosen në të gjithë vendin" nëse SHBA-ja ndërhyn ushtarakisht. Ai ka thënë vazhdimisht se SHBA-ja po grumbullon forca ushtarake në rajon për ta rrëzuar atë.

Në gusht, Uashingtoni rriti shpërblimin për informacionin që çon në arrestimin e Maduros në 50 milionë dollarë, duke e akuzuar atë se nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndaluar rrjedhën e drogës nga vendi i tij. Maduro i mohon akuzat.

Aeroplanmbajtësja "Xherald Ford" u lëshua në përdorim në vitin 2017. Është aeroplanmbajtësja më e re amerikane dhe më e madhja në botë, me një ekuipazh prej më shumë se 5.000 personash.

Në shtator, SHBA-ja dërgoi 10 aeroplanë luftarakë F-35 në Porto Riko, si dhe tetë anije luftarake dhe një nëndetëse bërthamore në pjesën jugore të Detit të Karaibeve pranë brigjeve të Venezuelës, me sa duket si pjesë e një operacioni kundër trafikut të paligjshëm të drogës.

Ushtria amerikane deri më tani ka kryer të paktën 19 bastisje ndaj anijeve të dyshuara për transportimin e drogës. Të paktën 76 persona janë vrarë në operacione në Detin e Karaibeve dhe në brigjet e Paqësorit të Amerikës Latine.mb/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR