• e hënë, 23 dhjetor 2024

Abdixhiku: Nuk pamë që Kurti ka plan për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës

Abdixhiku: Nuk pamë që Kurti ka plan për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës
Prishtinë, 8 nëntor 2022 (MIA) - Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK, Lumir Abdixhiku, pas takimit që kryeministri Kurti e thirri me liderët opozitarë me rastin e ngjarjeve në veri të vendit, deklaroi se kanë kërkuar nga qeveria koordinim më të madh me aleatët për përballje me gjendjen e krijuar me daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Duke iu drejtuar mediave pas përfundimit të takimit, Abdixhiku deklaroi se qeveria nuk guxon t'i vendosë qytetarët në një situatë ku duhet të zgjedhin mes ligjshmërisë dhe aleatëve. "Duhet të ulesh dhe të marrësh vendime të përbashkëta. Nuk duhet të zgjidhet mes ligjshmërisë dhe aleatëve, sepse kjo do të ishte e gabuar. Të mos e kthejmë në çështje të politikës së brendshme. Duhet të jemi unik, por në këtë unitet duhet të jemi bashkë edhe me aleatët ndërkombëtarë. Përndryshe, çdo situatë e re do të jetë përgjegjësi e Kurtit", tha Abdixhiku. Ai shtoi se Kurti në takim nuk ka thënë asgjë më shumë nga ajo që e deklaron në konferenca për shtyp dhe nuk ka paraqitur zgjidhje konkrete për t'u përballur me gjendjen. Ai porositi se Kurti do të ketë mbështetjen e LDK-së, megjithatë kërkoi koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe aleatët evropianë. Në takim te Kurti mori pjesë edhe lideri i i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi,  ndërsa lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u largua nga takimi menjëherë pas fillimit të tij dhe deklaroi se kryeministri ka mbajtur “ligjërata” dhe nuk shpjegoi “pse i prishi marrëdhëniet me Amerikën”. Serbët e Kosovës u larguan nga institucionet në nivel shtetëror dhe lokal  pas paralajmërimeve nga qeveria e Kurtit se do t'i dënojë personat që nuk i zëvendësojnë targat e lëshuara nga Serbia me targa RKS - Republika e Kosovës. ar/

QËNDRONI TË LIDHUR