• Thursday, 12 March 2026

Mickoski: Situata në vend është absolutisht normale, po e monitorojmë situatën dhe do të reagojmë në mënyrë të përshtatshme ndaj sfidave

Mickoski: Situata në vend është absolutisht normale, po e monitorojmë situatën dhe do të reagojmë në mënyrë të përshtatshme ndaj sfidave

Shkup, 11 mars 2026 (MIA) - Për momentin, nuk ka asnjë problem që do të kërcënonte funksionimin normal të sistemit. Situata në vend është absolutisht normale, po e monitorojmë situatën dhe do të reagojmë në mënyrë të përshtatshme ndaj sfidave, nuk do të presim që ato të ndodhin dhe pastaj të marrim masa, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski. 

Sipas Mickoskit, ajo që propozon opozita është gjithashtu pjesë e të menduarit të Qeverisë, por përveç kësaj, ka edhe masa të tjera që do të merren nëse vlerësohet se ka nevojë.

"Po e monitorojmë situatën, këto janë fillimet e konfliktit që po ndodh në Gjirin Persik dhe luftës. Ju lus të gjithëve të ruajnë qetësinë, sepse në këtë moment nuk ka ndonjë sfidë të tillë që do të kërcënonte funksionimin normal të sistemit, as nuk ka ndonjë tregues që mund të na habisë. Sigurisht, sfidat ndodhin çdo ditë dhe ne i analizojmë ato. Ndryshe nga opozita, ne kemi përgjegjësi. Shoh që ata po i referohen disa prej deklaratave tona të vitit 2022, por të dyja nuk janë absolutisht të krahasueshme, sepse ato deklarata u bënë pas disa muajsh rritjeje të vazhdueshme, ndërsa ne tani po flasim për disa ditë që nga fillimi i krizës. Përndryshe, ajo që propozon opozita është, sigurisht, pjesë e të menduarit të Qeverisë, por jo vetëm kaq, ka edhe masa të tjera që do të merren dhe ne do të reagojmë në mënyrë të përshtatshme ndaj sfidave, nuk do të presim që ato të ndodhin dhe pastaj të reagojmë. Për momentin, nëse më pyetni mua sot, situata është absolutisht normale, ndërsa ne do ta informojmë publikun në kohën e duhur për atë që do të ndodhë në të ardhmen", theksoi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas takimit me investitorët e huaj në vend. 

Ai për pasdite në orën 16:00 paralajmëroi takim me tregtarët dhe përfaqësuesit e marketeve. Tha se ka mesazhe dhe argumente të qarta të cilat do t'i paraqesë në takim.

Kryeministri pret, siç theksoi, që në gjendjen aktuale të sfidave, të gjithë do të sillen brenda kornizës së asaj që do të thotë të mbrohet standardi i jetesës së qytetarëve, sepse me këtë, potencoi mbrohen edhe biznesi.

"Do të diskutojmë hapur se ne, si Qeveri, mund t'i ndihmojmë ata të ruajnë stabilitetin e çmimeve, duke parandaluar një rritje dramatike të inflacionit, gjegjësisht shpenzimeve të jetës. Pres që në këto kushte sfiduese, të gjithë do të sillemi në kuadër të asaj që do të thotë të mbrojmë standardin e jetesës së qytetarëve, sepse kjo mbron edhe biznesin. Kemi çmimet më të ulëta të derivateve në rajon, nuk ka tronditje çmimesh dhe furnizimi me naftë dhe derivate të naftës nuk vënë në pikëpyetje. Kompanitë furnizuese kanë rezerva të mjaftueshme, inflacioni është më i ulëti në rajon. Situata në vend është absolutisht normale, do të shohim më tutje. Fillimi i vitit është premtues sipas të gjithë treguesve dhe parametrave, por ne vazhdojmë të punojmë në interes të standardit të jetesës së qytetarëve. Shpenzimet me pakicë janë 1,6 për qind në shkurt, që do të thotë se inflacioni bazë po qetësohet ngadalë por sigurt. Kam mesazhe dhe argumente të qarta për takimin e sotëm me tregtarët", theksoi Mickoski. rq/

Foto: MIA