• Thursday, 12 March 2026

Fetai: Historia tregon se lëvizjet që hanë njerëzit e tyre përfundojnë në kolaps

Fetai: Historia tregon se lëvizjet që hanë njerëzit e tyre përfundojnë në kolaps

Shkup, 11 mars 2026

“Revolucioni i ha bijtë e vet” me këtë metaforë të Revolucionit Francez, Arben Fetai ka bërë një paralelizëm të drejtpërdrejtë mes dramës së Revolucionit Francez dhe zhvillimeve të fundit politike në vend, duke paralajmëruar për rrezikun që një lëvizje politike të shkatërrojë vetveten nga brenda.

Në këtë kontekst, shkrimi i tij shihet nga shumë vëzhgues si apel për maturi dhe vetëdije politike: kur ambiciet fraksioniste vendosen mbi projektin e përbashkët, përfitimi mund të jetë i përkohshëm për një grup apo individ, por humbësi i madh në fund është vetë lëvizja.

Duke iu referuar historisë së Revolucionit Francez dhe shprehjes së njohur “Revolucioni i ha bijtë e vet”, Fetai paralajmëron për një fenomen të përsëritur në histori: lëvizjet që nisin me idealet e ndryshimit shpesh përfundojnë duke u dobësuar nga lufta e brendshme për pushtet.

Mesazhi i tij vjen në një moment të ndjeshëm për kampin politik shqiptar në RMV. Ky zhvillim ka hapur debat të ri mbi stabilitetin dhe unitetin e projektit politik VLEN që synon përfaqësimin dhe fuqizimin e faktorit shqiptar në vend.

Në analizën e tij, Fetai kujton se si gjatë Revolucionit Francez fraksionet që rrëzuan monarkinë përfunduan duke eliminuar njëra-tjetrën në një spirale intrigash dhe spastrimësh politike. Nga Zhirondinët te Jakobinët, nga Hebertistët te Dantonistët, secili fraksion u bë viktimë e luftës së brendshme, derisa vetë revolucioni përfundoi duke krijuar një vakum që u mbush nga ngritja e një pushteti të ri autoritar.

Pikërisht kjo histori, sipas mesazhit që përcjell Fetai, duhet të shërbejë si paralajmërim për çdo lëvizje politike që fillon të konsumojë energjinë dhe njerëzit e saj në beteja të brendshme.

Në fund shkrimi i Fetait interpretohet si kujtesë se historia politike ka treguar vazhdimisht të njëjtin mësim: kur një lëvizje fillon të “hajë bijtë e vet”, rrezikon të përfundojë duke shkatërruar edhe vetë qëllimin për të cilin u krijua.

Arben Fetai, zv/kryeministër për qeverisje të mirë