• Thursday, 12 March 2026

Janë shënuar 83 vjet nga deportimi i hebrenjve maqedonas: Nuk guxojmë të kthejmë shpinën nga e kaluara dhe të frikohemi nga kapitujt më të errët të historis

Janë shënuar 83 vjet nga deportimi i hebrenjve maqedonas: Nuk guxojmë të kthejmë shpinën nga e kaluara dhe të frikohemi nga kapitujt më të errët të historis

Shkup, 11 mars 2026 (MIA) - Kujtesa është detyra jonë morale, ndërsa lufta kundër urrejtjes përgjegjësia jonë historike. Prandaj, nuk guxojmë të kthejmë shpinën nga e kaluara dhe nuk duhet të kemi frikë nga kapitujt më të errët të historisë, por t’i pranojmë të vërtetat e tmerrshme, si dhe boshllëqet, pasiguritë dhe pyetjet që edhe sot e kësaj dite mbeten pa përgjigje të qarta. Nuk guxon të lejohet që harresa t’i përpijë hebrenjtë maqedonas. Mund të ketë shumë tregime të motivuara politikisht, por ekziston vetëm një e vërtetë historike. Ishin këto mesazhet që u dërguan sot nga ish Monopoli në Shkup, ku u shënuan 83 vjet nga deportimi i 7.144 hebrenjve maqedonas në kampin Treblinka. 

Kryetari i Bashkësisë Hebraike në vend, Pepo Levi, në fjalimin e tij tha se edhe pas 83 vitesh ndjenja nuk është ndryshe dhe se hidhërimi dhe dhimbja nuk do të kalojnë kurrë

Para saktësisht 83 vitesh këtu koha u ndal. Këtu u zhduk një komunitet. 7144 hebrenj u zhdukën në kampin Treblinka. U zhdukën Kalderon, Levi, Nahmijas, Kamhi, Ruso, Sadikario, Mizrahi, Faraxhi, Alba, Shami, u zhdukën mijëra të afërm tanë, njerëzit tanë të dashur. Rruga drejt Treblinkës filloi këtu, në Monopol. Nga vagonët e bagëtive të BDZH, të ngarkuar si mall e jo si njerëz, pa dinjitet, pa mëshirë, pa as edhe një grimcë njerëzillëku. Ftohtësia me të cilën u organizuan këto transporte mbetet një nga dëshmitë më të tmerrshme se sa shpejt aparati shtetëror i Gjermanisë naziste, përmes satelitëve të saj, okupatorëve bullgarë, mund të shndërrohet në një makinë të përsosur të vdekjes, tha Levi.

Ai kujtoi se 98 për qind e popullsisë hebraike në Maqedoni u zhduk dhe se kjo është një nga përqindjet më të larta të shkatërrimit në të gjithë Evropën e pushtuar.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitet 50, 60 dhe 70, asnjë mendje e shëndoshë nuk mund ta paramendonte se do të vinte një kohë kur dikush do të përpiqej të shtrembëronte historinë e Holokaustit. Megjithatë sot, pothuajse tetë dekada pas përfundimit të luftës, ne jemi dëshmitarë të përpjekjeve të vazhdueshme për glorifikimin e nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Krijohen narrativa paralele dhe fshihet përgjegjësia, theksoi Levi.

null

Ai theksoi se nuk duhet të lejohet që harresa t’i përpijë hebrenjtë maqedonas, të harrohen trenat dhe të mos përmenden listat.

Mund të ketë shumë tregime të motivuara politikisht, por ekziston vetëm një e vërtetë historike. Në hapësirën memoriale të muzeut Treblinka, ku hiri i mijëra njerëzve është përzier me tokën dhe ku janë vendosur shenja guri me emrat e vendeve nga të cilat janë sjellë viktimat, mes tyre edhe guri me mbishkrimin Maqedonia, ndërsa sot po kontestohet ai gur. Kërkohet riemërtimi ose heqja e tij për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe futjes së politikës ditore në një varr masiv. Nga këtu dua të theksoj qartë se ai gur nuk është formulë gjeopolitike dhe as qëndrim diplomatik, por është historia e hebrenjve maqedonas. Është historia e Maqedonisë. Dhe pikërisht sot, në këtë moment, në Treblinka, delegacioni i bashkësisë hebraike dhe fondit të Holokaustit i udhëhequr nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova po vendos lule para atij guri. Jo si akt politik, por si akt respekti për 7.144 jetë që atje nuk kanë varr tjetër përveç atij guri, theksoi Levi.

Ambasadorja gjermane Petra Dreksler tha se si përfaqësuese e Gjermanisë dhe si qytetare gjermane është thellësisht e prekur nga ftesa e Bashkësisë Hebraike që të merr fjalën në shënimin e sotëm të Holokaustit të hebrenjve maqedonas.

"Kujtesa jonë e përbashkët është bërë një traditë e vlefshme dhe një përvojë thellësisht emocionale çdo vit. Edhe 83 vjet më vonë, shkalla e mizorisë dhe brutalitetit që iu bë familjeve hebraike nga rajoni i Manastirit, Shkupit dhe Shtipit këtu në kampin e improvizuar të deportimit në fabrikën e duhanit Monopol mbetet e pakuptueshme. Për shumicën prej tyre ky ishte një nga vendet e fundit që do të shihnin para se të vriteshin në kampin e shfarosjes Treblinka", tha Dreksler.

Holokausti, theksoi ambasadorja, nuk filloi me fabrikat gjermane të vdekjes.

"Shkatërrimi i industrializuar ishte kulmi i një sulmi të paprecedentë, të qëllimshëm dhe të tmerrshëm kundër qytetërimit. Ai lindi kryesisht nga urrejtja e thellë e Hitlerit ndaj jetës hebraike. Kjo urrejtje mori mjete që do të përkthehen në Holokaust. Antisemitizmi, përjashtimi, propaganda, racizmi institucional dhe indiferenca e përhapur hapën rrugën për shkatërrimin sistematik. Duke shikuar prapa drejt tmerreve të Luftës së Dytë Botërore me njohuritë që kemi sot, ne e bëjmë këtë me pyetje për përgjegjësinë historike. Në vitin 1985, presidenti i atëhershëm federal Richard von Weizsäcker e ftoi Gjermaninë ta pranojë të kaluarën e saj. Kjo thirrje vazhdon të tingëllojë edhe sot, duke kërkuar përgjegjësi dhe duke pranuar se nuk ekziston diçka si faj apo pafajësi e një kombi të tërë. Faji, ashtu si pafajësia, nuk është kolektiv por personal. Kjo nuk justifikon asgjë. Përkundrazi, kjo është një thirrje për veprim për të gjithë ne", tha Dreksler.

Ambasadorja gjermane theksoi se nuk duhet të kthejmë shpinën nga e kaluara dhe nuk duhet të kemi frikë nga kapitujt më të errët të historisë, por t’i pranojmë të vërtetat e tmerrshme, si dhe boshllëqet, pasiguritë dhe pyetjet që edhe sot mbeten pa përgjigje të qarta

null

Mes të vërtetave është edhe përgjegjësia historike e Gjermanisë naziste për krimin kundër njerëzimit që ishte Holokausti. Ne e pranojmë këtë përgjegjësi. Ne e pranojmë të kaluarën tonë duke e ditur se e kaluara nuk mund të kapërcehet sepse ajo që ka ndodhur nuk mund të zhbëhet. Pranimi i së kaluarës do të thotë të pranojmë se të gjithë jemi të prekur nga pasojat e saj. Pranimi i së kaluarës do të thotë gjithashtu të mbajmë gjallë kujtesën. Të gjithë atyreve, zërat e të cilëve janë heshtur përgjithmonë u kemi borxh t’i kujtojmë. Këtë kujtesë ia kemi borxh edhe vetes për të na mbrojtur si qenie njerëzore nga prirja jonë për ta larguar shikimin nga çnjerëzillëku. Dhe detyrën për të kujtuar ua kemi borxh edhe pasardhësve që kurrë nuk do të harrojnë, përfundoi ambasadorja gjermane.

Kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij theksoi se kujtesa është detyrë e jona morale dhe lufta kundër urrejtjes përgjegjësi e jona historike.

Ai theksoi se sot qëndrojmë në heshtje dhe me respekt të thellë para një prej faqeve më të dhimbshme të historisë sonë dhe kujtojmë deportimin e hebrenjve maqedonas, një tragjedi që e shënoi përgjithmonë kujtesën tonë kolektive.

"Në mars të vitit 1943 më shumë se shtatë mijë bashkëqytetarë tanë hebrenj nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi u mblodhën me forcë dhe u morën nga shtëpitë e tyre, nga familjet e tyre dhe nga jeta e tyre. Ata u deportuan në kampin e vdekjes Treblinka ku jetët e tyre u ndërprenë në mënyrë të pamëshirshme. Pas atij numri qëndrojnë emra, familje, ëndrra, talente dhe fate. Qëndrojnë njerëz që ishin pjesë e jetës së qyteteve tona, të tregtisë, të kulturës dhe të shpirtit të Maqedonisë. Me zhdukjen e tyre vendi ynë humbi një pjesë të shpirtit të vet.

null

Kryeministri theksoi se sot nuk kujtojmë vetëm tragjedinë, por edhe detyrimin për të parandaluar urrejtjen, antisemitizmin, racizmin dhe intolerancën në shoqërinë tonë.

"Por sot nuk kujtojmë vetëm tragjedinë. Kujtojmë edhe detyrimin. Detyrimin që kurrë të mos lejojmë që urrejtja, antisemitizmi, racizmi dhe intoleranca të gjejnë përsëri vend në shoqëritë tona. Historia na mëson se e keqja fillon me një fjalë, me një paragjykim, me indiferencë dhe përfundon me tragjedi që tronditë njerëzimin. Prandaj sot si shtet dhe si shoqëri e rinovojmë betimin tonë se do ta ruajmë të vërtetën, do ta kultivojmë kujtesën dhe do ta mbrojmë dinjitetin njerëzor. Maqedonia është shtëpi e dallimeve. Forca jonë gjithmonë ka qenë në faktin se kulturat, fetë dhe traditat e ndryshme kanë jetuar së bashku duke krijuar një të ardhme të përbashkët", theksoi Mickoski.

Kryeministri konkludoi se bashkësia hebraike ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e këtij vendi dhe se kontributi i saj në kulturë, arsim, ekonomi dhe në jetën shoqërore është pjesë e trashëgimisë sonë të përbashkët.

Hebrenjtë nga Manastiri, Shtipi dhe Shkupi, natën mes 10 dhe 11 marsit 1943 u mblodhën në Monopol në Shkup dhe prej andej në tre hove u deportuan në kampin Treblinka në Poloninë e pushtuar. Transporti i hebrenjve nga Maqedonia filloi më 22 mars 1943 dhe deri më 29 mars të po atij viti të gjithë hebrenjtë maqedonas u deportuan në Treblinka nga ku askush nuk u kthye. Për vetëm 14 muaj nga gushti 1942 deri në shtator 1943 në Treblinka u vranë 925 mijë njerëz mes të cilëve ishin edhe 7144 hebrenjë maqedonas. rq/

Foto: MIA