Mickoski: Me përfaqësuesit e marketeve arritëm në përfundimin se duhet të ketë çmime të drejta për produktet, pa rritje të reja
- Me përfaqësuesit e marketeve arritëm në përfundim të përbashkët se duhet të ketë çmime të drejta për produktet dhe se nuk duhet të ketë rritje të reja të çmimeve, informoi kryeministri Hristijan Mickoski pas takimit të mbajtur sot pasdite në Qeveri.
- Post By Ramize Qamili
- 19:22, 11 March, 2026
Shkup, 11 mars 2026 (MIA) - Me përfaqësuesit e marketeve arritëm në përfundim të përbashkët se duhet të ketë çmime të drejta për produktet dhe se nuk duhet të ketë rritje të reja të çmimeve, informoi kryeministri Hristijan Mickoski pas takimit të mbajtur sot pasdite në Qeveri.
Përmes një publikimi në rrjetet sociale, kryeministri thekson se nuk do të lejojnë devijime dhe profiterizëm.

"Pata një takim me marketet e mëdha. Aktivisht e monitorojmë situatën dhe nuk do të lejojmë devijime dhe profiterizëm. Shteti nuk do të ndërhyjë në treg pa arsye. Por shteti nuk do të qëndrojë mënjanë nëse krijohet presion i vërtetë mbi qytetarët pa një bazë objektive", shkroi Mickoski.
Vazhdojmë, potencon kryeministri, të monitorojmë situatën dhe të ndërhyjmë nëse është e nevojshme. "Më i rëndësishëm është interesi i qytetarëve", shkroi Mickoski.
Ai para takimit deklaroi se ka mesazhe dhe argumente të qarta që do t’i paraqesë në takim dhe se pret që në gjendjen aktuale të sfidave, të gjithë të sillen brenda kornizës së asaj që do të thotë të mbrosh standardin e jetesës së qytetarëve, sepse, potencoi, kjo mbron edhe biznesin.

"Do të diskutojmë hapur se si ne, si Qeveri, mund t'i ndihmojmë ata të ruajnë stabilitetin e çmimeve, duke parandaluar një rritje dramatike të inflacionit gjegjësisht të shpenzimeve të jetesës. Pres që në këto kushte sfiduese, të gjithë do të sillemi brenda kornizës së asaj që do të thotë të mbrosh standardin e qytetarëve, sepse kjo mbron edhe biznesin. Kemi çmimet më të ulëta të derivateve në rajon, nuk ka tronditje çmimesh dhe furnizimi me naftë dhe derivate të naftës nuk është vënë në dyshim. Kompanitë e furnizimit kanë rezerva të mjaftueshme, inflacioni është më i ulëti në rajon. Situata në vend është absolutisht normale, do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas. Fillimi i vitit është premtues sipas të gjithë treguesve dhe parametrave, por ne vazhdojmë të punojmë në interes të standardit të jetesës së qytetarëve. Shpenzimet me pakicë janë 1,6 për qind në shkurt, që do të thotë se inflacioni bazë po qetësohet ngadalë por sigurt. Kam mesazhe dhe argumente të qarta për takimin e sotëm me tregtarët", theksoi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas takimit me investitorët e huaj në vend.
Foto: Fejsbuku i Hristijan Mickoskit