• Tuesday, 18 March 2025

Vajc: BE-ja të japë garanci se ndryshimet kushtetuese nuk do të çojnë në kërkesa bilaterale shtesë

Vajc: BE-ja të japë garanci se ndryshimet kushtetuese nuk do të çojnë në kërkesa bilaterale shtesë

Bruksel, 18 mars 2025 (MIA) - Kemi mundësinë që përfundimisht ta “zhbllokojmë” procesin për fillimin real të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, porositi sot raportuesi i Komisionit për punë të jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) për vendin, Tomas Vajc duke prezantuar Draft- raportin e PE-së për vendin.

"Raporti fokusohet në aktivitetet e nevojshme dhe vendimet që duhet t'i miratojnë Qeveria dhe Parlamenti i Maqedonisë së Veriut në lidhje me ndryshimet kushtetuese që janë në tryezë. Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë përfshirjen e disa pakicave në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe dua të sqaroj vetëm një, kjo është kërkesë që Maqedonia e Veriut duhet ta përmbushë në përputhje me kërkesat dhe standardet që ndërlidhen me anëtarësimin në BE. Bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese që lidhen me legjislacionin e BE-së", ka deklaruar Vajc duke shtuar se duhet të jetë e qartë se në rrugën evropiane të vendit këto nuk do të jenë ndryshimet e fundit kushtetuese që do të duhet të bëhen.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, ai potencon se pasi të zbatohen ndryshimet kushtetuese, negociatat për anëtarësim mund të fillojnë menjëherë dhe të punohet në temat dhe debatet e nevojshme.

"Shpresoj që Qeveria dhe Parlamenti i Maqedonisë së Veriut do të reagojnë mirë ndaj kësaj dhe realisht do të mund të shohim ndryshimet kushtetuese të ndodhin sa më shpejt dhe të fillojnë negociatat. Përshtypja ime e qartë është se kjo është diçka që dëshiron shumica dërrmuese në Parlamentin Evropian dhe shumica dërrmuese në qeveri dhe popullsinë e vendit”, ka thënë Vajc.

Sipas tij, një mbështetje kaq e gjerë për integrimet evropiane i jep qeverisë aktuale mundësinë të reflektojë konform me legjislacionin e BE-së dhe të zbatojë reforma të qarta gjatë përgatitjeve për negociatat, duke theksuar se tashmë është bërë shumë sa i përket sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

"Mediat janë të lira të veprojnë në kuadër të përgjegjësive të tyre. Megjithatë, ne shohim ndikim të huaj, siç e shohim në shumë vende të tjera të rajonit. Na duhet pak më shumë transparencë kur bëhet fjalë për pronësinë e medias, por në përgjithësi vendi është në rrugën e duhur", ka thënë Vajc.

Lidhur me votimin e vendit në KB dy javë më parë, Vajci theksoi se shpreson se qeveria do të rishqyrtojë qëndrimin e saj, duke shtuar se një veprim i tillë është në kuadër të situatës së përgjithshme gjeostrategjike në të cilën "gjendemi ne evropianët". Mendoj se duhet të jetë e qartë për të gjithë ne se është koha të qëndrojmë së bashku për zhvillimin tonë të mëtejshëm dhe vetëm të bashkuar do të jemi të fortë", theksoi Vajc.

"Me implementimin e suksesshëm të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, vendi u bë shembull në rajon për zgjidhjen paqësore të kontesteve etnike përmes dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Vetëm katër vjet pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Maqedonia e Veriut mori statusin e kandidatit në 2005 dhe një kohë të gjatë ishte favorit në rajon. Vendi ka ndërmarrë reforma mbresëlënëse dhe të vështira, duke përfshirë ndryshimin historik të emrit, por procesi i tij i pranimit është penguar për një kohë të gjatë nga kontestet dypalëshe", ka thënë Vajci.

Në fillim të debatit për Draft- raportin, Vajc dhe kryetari i AFET, Dejvid Mekalister shprehën ngushëllimet më të thella për viktimat e tragjedisë në Koçan.

Foto: printskrin