Tre të lënduarit të cilët janë në spitalin e Athinës janë në gjendje relativisht të mirë
- Tre të lënduarit, të cilët gjatë natës nga Shkupi me aeroplan C-27 të Forcave Ajrore Greke janë transferuar në Athinë dhe janë shtruar në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak 401, sipas informacioneve të korrespondentes së MIA-s nga Athina, janë në gjendje relativisht të mirë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 14:39, 18 March, 2025

Athinë, 18 mars 2025 (MIA) - Tre të lënduarit, të cilët gjatë natës nga Shkupi me aeroplan C-27 të Forcave Ajrore Greke janë transferuar në Athinë dhe janë shtruar në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak 401, sipas informacioneve të korrespondentes së MIA-s nga Athina, janë në gjendje relativisht të mirë.
Sipas të njëjtave informacione, bëhet fjalë për të rinj të moshës 22 deri në 24 vjeç, të cilët kanë pësuar djegie nga zjarri dhe po trajtohen për masa paraprake në Repartin e Mjekimit Intensiv të Spitalit Ushtarak të Athinës.
Siç mbrëmë njoftoi MIA, aeroplani pak pas orës 22 i ka marrë të plagosurit nga Shkupi dhe ka fluturuar për në Athinë, ku ka mbërritur rreth mesnatës, ndërsa tre të rinjtë janë transportuar në spitalin ushtarak me autoambulancë.
Nga Ambasada greke në Shkup në Fejsbuk kanë postuar fotografi nga aeroplani në aeroportin e Shkupit dhe ka shkruar se mendimet dhe lutjet e tyre janë me të lënduarit, duke shprehur gjithashtu "solidaritet me Maqedoninë e Veriut".
Nga Shtabi i Përgjithshëm i Armatës Kombëtare Greke, sot përmes Iks informuan se 20 minuta pas mesnate, "Forcat e Armatosura Greke kryen një fluturim evakuimi mjekësor me një C-27 J Spartan, duke transportuar tre pacientë në terapi intensive në Spitalin Ushtarak 401 në Athinë pas tragjedisë në Koçan".
Në Greqi gjithsej në spitale janë shtruar tetë të lënduar, tre në Spitalin Papanikolaou të Selanikut, dy në Spitalin Ushtarak 424 në Selanik dhe tre të tjerë në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak 401 në Athinë.
Foto: Shtabi i Përgjithshlm i Armatës Kombëtare të Greqisë