Në sulmet izraelite në Gazë 413 viktima, mes tyre dhe përfaqësues të lartë të Hamasit
- Numri i viktimave nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës ka arritur në 413, njofton DPA, duke cituar autoritetet shëndetësore në enklavën palestineze e cila kontrollohet nga Hamasi.
- Post By Fami Bajrami
- 14:56, 18 March, 2025

Gazë, 18 mars 2025 (MIA) - Numri i viktimave nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës ka arritur në 413, njofton DPA, duke cituar autoritetet shëndetësore në enklavën palestineze e cila kontrollohet nga Hamasi.
Në sulm janë lënduar të paktën 600 persona.
Izraeli sot filloi një ofensivë të re në Gazë, duke i dhënë fund armëpushimit me grupin islamik. Ekziston frika e një ripërtëritjeje të plotë të luftës, thekson DPA.
"Shumë struktura shëndetësore janë të mbingarkuar fjalë për fjalë" pas granatimeve të reja, kumtoi sot Federata ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Organizata Botërore e Shëndetësisë nga ana e saj theksoi mungesën e ilaçeve në territorin palestinez. "Për shkak të mungesës së ilaçeve, ekziston rreziku që punonjësit e shëndetësisë të mos jenë në gjendje të ofrojnë trajtim për një sërë kushtesh mjekësore, jo vetëm për plagë traumatike", paralajmëroi OBSH-ja.
Të paktën katër përfaqësues të lartë, duke përfshirë dy policë në administratën e Hamasit u vranë në sulmet e mbrëmshme. Midis tyre janë shefi i komitetit administrativ të qeverisë, Esam al Dalis, nënsekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjenerali Mohamed Abu Vatfa, drejtori kryesor i shërbimeve të sigurisë së brendshme, gjenerali Bahxhat Abu Sultan dhe nënsekretari i Ministrisë së Drejtësisë, Ahmed al-Heta. rq/
Foto: arkivi i MIA-s