Politiko: Lufta e Tretë Botërore tashmë është duke u zhvilluar - në Ukrainë
- Nëse keni ecur përgjatë vijës së frontit në javët e para të luftës në Ukrainë, mund të keni dëgjuar britma në gjuhën ukrainase dhe ruse, ndoshta të përziera me tingujt e gjuhëve rajonale - burjate dhe çeçene.
Bruksel, 18 dhjetor 2024 (MIA) - Nëse keni ecur përgjatë vijës së frontit në javët e para të luftës në Ukrainë, mund të keni dëgjuar britma në gjuhën ukrainase dhe ruse, ndoshta të përziera me tingujt e gjuhëve rajonale - burjate dhe çeçene.
Sot, ushtarët në të dy anët e konfliktit komunikojnë në gjuhën spanjolle, nepaleze, somaleze, serbe dhe koreane. Gjuhët e huaja në llogore janë vetëm shenjë se konflikti po fiton një dimension gjithnjë e më të madh ndërkombëtar, shkruan "Politiko", e cila titullon artikullin me “Lufta e Tretë Botërore është në rrjedhë. Në Ukrainë".
Në qiell, një dron iranian Shahed mund të takojë një sistem amerikan të mbrojtjes ajrore derisa në tokë, artileria gjermane tejkalon predhat e Koresë së Veriut. Pothuajse tre vjet më vonë, është e vështirë që konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës të quhet "rajonal". Ajo që filloi në shkurt të vitit 2022 si lufta më e madhe tokësore e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore tani po lufton për titullin e konfliktit më global që nga Lufta e Ftohtë, me dhjetëra vende të përfshira drejtpërdrejt ose tërthorazi në të.
Ky aspekt i konfliktit mund të përcaktojë rezultatin e tij, pasi Ukraina rrezikon të humbasë aleatin e saj më të madh me ardhjen e Donald Trampit në krye të SHBA-së, ndërsa Rusia po tërheq mbështetje nga armiqtë amerikanë si Koreja e Veriut.
"Herën e fundit që pamë diçka të tillë ishte ndoshta pushtimi sovjetik i Afganistanit," deklaroi për "Politiko"n Sergei Radçenko, një historian i shquar i Luftës së Ftohtë. "Atëherë Perëndimi së bashku me Pakistanin mbështetën muxhahedinët dhe të gjithë u përfshinë."
Kur Moska nisi pushtimin, Kremlini e justifikoi atë si veprim mbrojtës kundër NATO-s. Ekziston një marrëveshje e gjerë që Putini priste një konflikt jetëshkurtër, duke u mbështetur në pasivitetin e deritanishëm të Perëndimit ndaj veprimeve të tij në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Megjithatë, ukrainasit bënë rezistencë të papritur dhe Perëndimi reagoi shpejt, duke dërguar armë dhe inteligjencë që ndaluan përparimin rus dhe ndërkombëtarizuan konfliktin.
"Do të ishte një konflikt lokal nëse do të përfundonte shpejt," tha Radçenko. "Por, nuk është kështu".
Me kalimin e kohës, dimensioni ndërkombëtar është bërë vendimtar. Sot, të dyja palët varen nga ndihma e huaj: Ukraina për mbijetesë, Rusia për të ruajtur dominimin duke u
përpjekur të minimizojë efektet e luftës në popullsinë e vet. Derisa Ukraina pohon se po lufton për "demokraci", Rusia po e justifikon luftën e saj duke luftuar kundër "hegjemonisë amerikane".
Rusia ka fituar aleatë si Irani, i cili dërgon dronë dhe Koreja e Veriut, e cila dërgon raketa dhe trupa. Vendet e BRIKS-it, të pakënaqura me institucionet financiare perëndimore, shpesh tregojnë përparësi ndaj Rusisë. Mbështetja kineze, e cila përfshin blerjen e naftës dhe teknologjisë ruse, është me rëndësi kyçe për ekonominë ruse.
"India dhe të tjerët mund të bëjnë tregti me Rusinë, gjë që është e rëndësishme. Por asgjë nuk krahasohet me atë që sjell Kina", tha Aleksandër Gabuev, drejtor i Qendrës Karnegie për Rusinë dhe Euroazinë.
Nga ana tjetër, Rusia përdor metoda hibride për të shkaktuar probleme dhe ndarje, duke përfshirë ndërhyrjen në zgjedhje dhe mbështetjen për grupet pro-ruse siç janë Hutët në Jemen. Por, ndryshe nga Lufta e Ftohtë, Moska nuk ka konflikte proksi ku mund të sulmojë drejtpërdrejt NATO-n.
Ndihma perëndimore, e kryesuar nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO, siguroi mbijetesën dhe rezistencën ushtarake të Ukrainës. Nga raketahedhësit fillestarë deri te avionët F-16 dhe ATAKMS, ndihma u rrit gradualisht. BE-ja, gjithashtu, ka bërë përparim në proceset e aderimit të Ukrainës dhe Moldavisë.
"Pa ndihmë nga Perëndimi, lufta nuk do të kishte mbijetuar vitin e parë dhe do të kishte përfunduar me humbje të rëndë për Ukrainën", tha Gabuevi.
Megjithatë, Perëndimi iu përmbajt kufizimeve të caktuara për të parandaluar përshkallëzimin. Kërkesat e Ukrainës për sulme në Rusi janë injoruar prej kohësh ndërsa Moska, ndonëse kërcënon me sulme bërthamore, shmang konfliktet e drejtpërdrejta me NATO-n.
Nga ana tjetër, Rusia përdor aleatë si Koreja e Veriut për të siguruar burime dhe ushtarë, derisa Ukraina ofron motive financiare dhe historike për luftëtarët e huaj. Megjithatë, ndërsa lufta hyn në vitin e saj të katërt, asnjëra palë nuk merr të gjithë ndihmën që dëshiron.
Ideja e ngrirjes së konfliktit, e cila përfshin koncesione territoriale nga Ukraina, nuk është më temë tabu, por konsiderohet seriozisht.
"Ishte e qartë që nga fillimi se Amerika do të hiqte dorë nëse Ukraina nuk do të fitonte aq shpejt", shprehet Nina Hrushçova, profesoreshë e marrëdhënieve ndërkombëtare në Shkollën e Re në Nju Jork dhe stërmbesa e udhëheqësit sovjetik Nikita Hrushçov.
"Që nga fillimi, u pa si një serial i Hollivudit," shprehet ajo. "Fillimisht, aleatët menduan se do të përfundonte pas një sezoni. Por pastaj erdhi një tjetër. "
"Dhe tani jemi në sezonin e tretë dhe sigurisht që vëmendja është zvogëluar," tha ajo. "Ne nuk duam sezon të katërt, por kjo do të ndodhë."
"Për Amerikën, shmangia e luftës bërthamore me Rusinë ka qenë gjithmonë prioriteti numër një. I dyti ishte të ndihmonte Ukrainën të fitonte. Këto dy qëllime duhet të pajtohen disi", shprehet Radçenko.
Rënia e mbështetjes për Ukrainën është veçanërisht e dukshme në Shtetet e Bashkuara, ku opinioni publik është i ndarë dhe ardhja e Trampit mund ta zvogëlojë atë edhe më tej.
Ashtu siç konflikti hyn në vitin e saj të katërt, asnjëra palë nuk merr të gjithë ndihmën që dëshiron. Konflikti gjithnjë e më shumë i ngjan një lufte shpenzuese të Luftës së Parë Botërore, sesa një lufte të tretë botërore të teknologjisë së lartë.
"Do të kishte kuptim të shihje mijëra iranianë dhe ushtri kompakte kineze që luftojnë për Rusinë në Ukrainë tani," shkroi në tetor mendimtari ultranacionalist rus Aleksandar Dugin, i konsideruar si një nga ideologët e luftës në Ukrainë.
"Është e logjikshme që ata që janë kundër hegjemonisë perëndimore dhe për një botë multipolare të mbështesin Rusinë me veprim. E, Rusia pastaj do t'i mbështesë ata në luftërat e tyre anti-imperialiste. "
Ukraina është në një pozitë edhe më të vështirë. Dyshimet në lidhje me thellësinë e mbështetjes perëndimore po rriten ashtu siç ukrainasit po hyjnë në një dimër tjetër, të dobësuar nga morali i dobët dhe mungesa e pothuajse gjithçkaje. Sipas vlerësimeve të Pentagonit, vendi ka burime të mjaftueshme për gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj të tjerë përpara se të përballet me probleme serioze.
Të dyja palët po përdorin gjithnjë e më shumë luftëtarë të huaj, kryesisht nga vendet e varfra. Përveç trupave të siguruara nga Penjani, Moska rekrutoi luftëtarë nga Kuba, India, Nepali, Siria, Serbia, Republika e Afrikës Qendrore dhe Libia, duke premtuar paga dhe shtetësi ruse.
Nga ana tjetër, Ukraina, përveç stimujve financiarë, u ofron të huajve mundësinë për të qenë në "anën e vërtetë të historisë".
"Së bashku e kemi mposhtur Hitlerin, do ta mposhtim Putinin", shkroi ministri i Jashtëm i atëhershëm ukrainas Dmitro Kuleba në Platformën X në vitin 2022.
Fundi i konfliktit me siguri do të varet nga vendimi i mbështetësve kryesorë. Nëse NATO tërheq mbështetjen, Ukraina nuk do të mbijetojë. Në mënyrë të ngjashme, nëse Kina tërheq mbështetjen për Rusinë, Moska do të detyrohet të frenojë apetitet e saj.
Tani për tani, lufta vazhdon të formësojë politikën globale, derisa mbetet rreziku i përshkallëzimit. Çdo lojtar i ri ose faktor i jashtëm, siç janë konfliktet në Indo-Paqësor ose Lindjen e Mesme, mund të ndryshojë rrjedhën e konfliktit. Përderisa lufta vazhdon, rreziku nga përfshirja e aktorëve shtesë mbetet i lartë, konstaton "Politiko". ls/
foto EPA