![MIA FLESH](https://mia.mk/images/20250206082837_big_730x400_3.webp )
09:00/6 shkurt/2025
Shkup - Në Kuvend sot do të mbajnë mbledhje dy komisione - Komisioni për mbrojtje dhe siguri dhe Komisionit juridiko-ligjvënës. Anëtarët e Komisionit për mbrojtje dhe siguri do të diskutojnë për Propozimin e ligjit për ndryshimin e Ligjit për depozitim dhe mbrojtje nga lëngjet dhe gazrat djegëse dhe Propozimin e ligjit për ndryshimin e Ligjit për mbrojtje ndërkombëtare dhe të përkohshme, të dy në lexim të parë.
Shkup - Këshilli Gjyqësor sot duhet të formojë komision i cili do t'i shqyrtojë të gjitha dosjet lidhur me rastet e mëparshme gjyqësore të të akuzuarit për aksidentin në "Aradhet partizane" Vasil Jovanov, ku jetën e humbi 22-vjeçarja Frosina Kullakova, pas çka do të dalë me qëndrim nëse ka pasur lëshime në procedurat e mëparshme gjyqësore të të akuzuarit Jovanov. Këtë e paralajmëroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, ndërsa vijon pas vërejtjeve të dhëna në publik lidhur me rastet e mëparshme gjyqësore të të akuzuarit Vasil për aksidentin në "Aradhet partizane". Ai dje informoi edhe se një komision i Këshillit Gjyqësor tashmë i shqyrton dosjet dhe do të veprojë për të gjitha vërejtjet në publik.
Shkup - Ministria e Vetëqeverisjes Lokale së shpejti do të vazhdojë me një varg vizitash në terren në komunat në vend, të quajtura "Ku zemra është në shtëpi", me qëllim për të hartuar të gjitha sfidat në to dhe për të sublimuar drejtimet për tejkalimin e tyre. Hollësirat rreth vizitave do të kumtohen sot në mëngjes pune me mediat në Klubin e rinovuar të deputetëve. Në takim është paralajmëruar prania e kryetarit të Qeverisë, Hristijan Mickoski, ministrit Zlatko Perinski, si dhe e drejtorit të Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkët (SHPPP) Ivica Tomovski.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, prej sot e deri më 13 shkurt do të qëndrojë për vizitë pune në Australi, që është vizitë e parë e një ministri të Punëve të Jashtme të Maqedonisë pas një pauze prej 15 vitesh në këtë vend. Siç kumton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në kuadër të agjendës intensive politike, është planifikuar takim me ministren e Punëve të Jashtme të Australisë, Peni Vong, në të cilin do të konfirmohen marrëdhëniet e mira dhe miqësore dypalëshe, si dhe mundësitë për thellimin e tyre të mëtejshëm, veçanërisht në planin ekonomik. Në takim pritet edhe shkëmbimi i mendimeve për çështjet aktuale ndërkombëtare.
Shkup - Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, sot, do të qëndrojë për vizitë pune në institucionet nga fusha e kulturës dhe subjektet nga fusha e turizmit në Gjevgjeli. Siç kumtuan nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, në kuadër të vizitës, ministri Ljutkov do të drejtohet në konferencë për shtyp në Teatrin kombëtar në Gjevgjeli.
Shkup - Plani vjetor për vitin 2025 për financimin e mbrojtjes specialiste-konsultative shëndetësore në institucionet private dhe publike shëndetësore, do të prezantohet sot në hapësirat e Fondit për sigurim shëndetësor në Shkup. "Fondi për sigurim shëndetësor, si financues dhe blerës më i madh i shërbimeve shëndetësore, këtë vit siguroi financimin deri tani më të madh për institucionet shëndetësore, informojnë nga FSSH.
Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte të dimrit, nëpër rrugë kryesisht të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
Shkup - Moti në mëngjes do të jetë i kthjellët dhe i ftohtë, ndërsa gjatë ditës me diell dhe me vranësira të vogla lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior, më e theksuar përgjatë Vardarit. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -7 deri në 1, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 4 deri 12 gradë, paralajmëroi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM). Në Shkup mëngjesi është i kthjellët dhe i ftohtë, gjatë ditës kryesisht me diell. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të ulet deri -3, ndërsa maksimalja do të arrijë deri 11 gradë.
Athinë – Për të tretën herë deputetët grekë sot paradite do të votojnë për president të Greqisë, pasi gjatë dy votimeve të para dhjetë ditëve dhe të premten asnjë nga katër kandidatët nuk e mori shumicën e nevojshme prej dy të tretave, përderisa sot për zgjedhjen e shefit të shtetit është e nevojshme të votojnë tre e pesta, gjegjësisht 180 nga gjithsej 300 deputetë që nuk pritet të arrihet, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Bruksel - Muaji i kaluar ishte janari më i ngrohtë deri më tani, duke vazhduar vargun e temperaturave ekstreme globale edhe krahas ndryshimit të fenomenit La Ninja për ftohje, thanë shkencëtarët nga Bashkimi Evropian. Me një temperaturë mesatare prej 13,23 gradë Celsius, sipas Kopernikus, "janari i vitit 2025 ishte 1,75 gradë mbi nivelet paraindustriale".
Londër - Nëse Donald Tramp i zbaton kërcënimet e tij dhe vendos tarifa për mallrat nga Unioni, Brukseli do të përgjigjet me targetimin e kompanive të mëdha të teknologjisë, publikoi "Fajnenshëll tajms" duke iu referuar dy burimeve në BE. Komisioni Evropian po përpiqet të përdorë "Instrumentin e tij kundër shtrëngimit"( Anti-Coercion Instrument ose shkurt ACI) në një mosmarrëveshje të mundshme me Uashingtonin, deklaruan për FT dy persona zyrtarë që kishin njohuri për planet.
Panama Siti - Administrata e Kanalit të Panamasë ka mohuar se i ka liruar anijet në pronësi të Qeverisë amerikane nga tarifat, siç publikoi paraprakisht Departamenti i Shtetit. Administrata e Kanalit të Panamasë, e cila është e autorizuar të rregullojë taksat dhe tarifat e tjera për tranzit përmes kanalit, raporton se nuk ka bërë përshtatje për to. "Anijet që i takojnë Qeverisë amerikane tani mund të kalojnë falas përmes kanalit të Panamasë. Qeveria e Panamasë ka rënë dakord të mos kërkojë pagesë për tarifat e tranzitit për anijet e qeverisë amerikane për kalim përmes Kanalit të Panamasë", publikoi Departamenti i Shtetit në X.
Uashington - Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseh, para takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu në Uashington, deklaroi se Pentagoni është i gatshëm t'i shqyrtojë të gjitha opsionet në lidhje me Rripin e Gazës. "Unë do të thosha përsa i përket Gazës - përkufizim i çmendurisë është të përpiqet të bëhet e njëjta gjë vazhdimisht", tha Hegset. Sipas tij, presidenti amerikan është i gatshëm të "mendojë jashtë kornizës, të kërkojë zgjidhje të reja dhe unike, dinamike për të zgjidhur problemet që dukeshin të pazgjidhshme".
Uashington - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dje mori pjesë në drekën ndërparlamentare ndërkombëtare në Kapitol Hill, si e ftuar nderi, ndërkaq në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, pati një adresim. Siç kumtojnë nga Kabineti i saj, gjatë drekës ndërparlamentare ndërkombëtare, të organizuar në kuadër të Takimit vjetor të Lutjes kombëtare, Osmani foli për rrugëtimin e popullit të Kosovës nga sfidat më të mëdha deri te arritjet e sotme, si dhe angazhimin e paluhatur për luftim të forcave dhe ndikimit malinj në Kosovë.
Uashington - Ushtria e SHBA-së po harton plane për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Siria, njoftoi televizioni amerikan En-Bi-Si, duke iu referuar burimeve anonime nga Pentagoni. Mediumi njoftoi se Ministria e Mbrojtjes shqyrton skenare për tërheqjen e ushtarëve nga ky shtet në afat prej 30, 60 ose 90 ditëve. Në këtë moment, SHBA-ja ka 2.000 ushtarë të sistemuar në Siri me qëllim për ta penguar rikuperimin e sërishëm të grupacionit Shteti Islamik. Armata bashkëpunon me forcat kurde, të cilat e kontrollojnë rajonin në pjesën verilindore të vendit.
Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që ndalon pjesëmarrjen e sportistëve transgjinorë në sportet e femrave. Urdhri, i titulluar "Përjashtim i burrave nga sportet e femrave", u jep agjencive federale, duke përfshirë Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Arsimit, liri të gjerë për të siguruar që subjektet që marrin fonde federale të jenë në përputhje me Titullin IX në përputhje me pozicionin e administratës Tramp, i cili interpreton "gjininë" si gjini që i është caktuar një personi gjatë lindjes, njoftuan mediat amerikane.