![MIA Flesh](https://mia.mk/images/20250205115234_big_730x400_5.webp )
12:00/5 shkurt/2025
Shkup - Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, zhvilloi një takim të rëndësishëm me kongresmenin republikan nga Alabama, Robert Aderholt në të cilin është biseduar për një sërë çështjesh kyçe që prekin marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fokus në forcimin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve. Të dy palët, siç bëri të ditur u pajtuan se thellimi i këtyre marrëdhënieve duhet të jetë një prioritet i përbashkët.
Shkup - Ditën e dytë të vizitës së punës në Bruksel, ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani e filloi me takimin me Oliver Ropke, kryetar i Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (KESE), në të cilin diskutuan për rolin e partnerëve ekonomiko-socialë dhe shoqërisë civile në procesin euro-integrues. Siç informoi Ministria, Murtezani përshëndeti nismën e KESE-së për përfshirje më të thellë të sektorit të shoqërisë civile, sindikatave dhe odave ekonomike në procesin e zgjerimit dhe theksoi se gjithëpërfshirja dhe dialogu i gjerë social janë kyçe për zbatim të suksesshëm të reformave të lidhura me integrimin evropian.
Shkup - Në Klinikën e ortopedisë është kryer me sukses një tjetër transplant kockor nga donator. Ndërhyrja u realizua te një pacient 12-vjeçar i cili më parë ishte operuar për shkak të një deformimi në këmbën e majtë duke përdorur një vidë. Për shkak të rikthimit të deformimit u vendos që vida e vendosur të hiqet dhe të zëvendësohet me një transplant nga donatori i cili ofron një korrigjim më të mirë dhe më të qëndrueshëm, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë. Nga atje shtojnë se pacienti është liruar nga spitali me imobilizim në allçi dhe pas gjashtë javësh do të fillojë procesin e rehabilitimit.
Prishtinë - Në tubimin parazgjedhor në Podujevë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, mbrëmë tha se kthimi i qytetarëve nga diaspora veçse ka nisur dhe se do të rritet vitet në vijim. Ai tha se duhet bërë përgatitje për kthimin e tyre dhe shprehu bindjen se do të ketë rritje të numrit të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit e që do të vijnë në Kosovë për të votuar më 9 shkurt, njofton Koha. “Kur kanë shkuar në vitet e 90-ta këtu ka qenë terrori i Serbisë, okupimi, aparteidi. E kur kanë shkuar në Gjermani atëherë azilin ua kanë pranuar menjëherë, banesën ua kanë dhanë. Gjermania ka lulëzuar se u bashkua e u shndërrua në motorin e industrisë evropiane. Mirëpo sot, Kosova po lulëzon e fatkeqësisht ekonomia në Gjermani është buzë recesionit”, ka thënë Kurti.
Ankara - Shefi i diplomacisë turke ka kritikuar propozimin e presidentit Donald Tramp që SHBA të marrë Rripin e Gazës dhe të zhvendosin palestinezët në vende të tjera. “Kjo është një çështje e papranueshme”, deklaroi ministri i Jashtëm, Hakan Fidan për Agjencinë Anadollu. Trampi dje propozoi që SHBA të merrte Gazën, ku në aksionet ushtarake izraelite gjatë 16 muajve të fundit u vranë dhjetëra mijëra, pasi më herët propozoi që palestinezët në enklavë të zhvendosen përgjithmonë. Ideja u dënua nga ekspertë dhe avokatë të të drejtave të njeriut.
Berlin - Kancelari gjerman Olaf Sholc është përballur me presion nga Partia Socialdemokrate (SPD) që të heqë dorë nga kandidatura për kryetar të partisë në zgjedhjet e ardhshme, bënë të ditur sot Tagesshpigel dhe portali t-online. Mediat thonë se përfaqësuesit e SPD-së i kanë kërkuar politikanit momentalisht më të njohur gjerman, ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorius që ta marrë timonin e partisë.
Bruksel - Në afërsi të metro stacionit Klemanso në Bruksel janë regjistruar të shtëna, që shkaktuan linjë kaotike në metronë dhe tramvajin në kryeqytetin belg. "Fotografitë nga kamerat mbikëqyrëse tregojnë se të dyshuarit kanë ikur drejt metro stacionit Klemanso", deklaroi Sara Frederik, zëdhënëse e policisë jugore të Brukselit.
Kiev - Shefi i diplomacisë britanike ka mbërritur në Kiev, njoftoi ambasadori ukrainas në Londër dhe ish komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valerij Zaluzhni. "E përshëndes ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Dejvid Lami në territorin ukrainas. Do të bisedojmë për bashkëpunimin e mëtejshëm dhe projektet e përbashkëta për forcimin e sigurisë së Ukrainës", njoftoi Zaluzhni në Telegram.
Kiev - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski në intervistën e publikuar në kanalin JuTjub të "Pirs Morgan pacensuruar" (Piers Morgan Uncensored) deklaroi se SHBA-ja ka fituar miliarda dollarë nga lufta në Ukrainë, falë marrëveshjeve të mëdha për armët. Ai shtoi se kompanitë amerikane kanë realizuar të ardhura të mëdha edhe përmes licencimit, për shkak të kërkesës së madhe për armë dhe pajisje.
Gazë - Grupi palestinez i Hamasit sot e hodhi poshtë planin e presidentit amerikan Donald Tramp që ta "marrë kontrollin" ndaj Rripit të Gazës, duke e quajtur "raciste" me qëllim eleminimin e kauzës palestineze. "Qëndrimi racist amerikan përputhet me pozicionin e së djathtës ekstreme izraelite në zhvendosjen e popullit tonë dhe eliminimin e kauzës sonë", theksoi në kumtesë zëdhënësi i Hamasit, Abdel Latif al Kanu.
Tel Aviv - Pas takimit mes presidentit amerikan Donald Tramp dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu në Uashington, ministrat e qeverisë izraelite sot shprehën kënaqësinë pas porosive të Trampit në lidhje me Rripin e Gazës. "Kështu ndodh kur takohen dy lider të guximshëm", tha ministri i Transportit, Miri Regev. Siç raporton Tajms of Izrael, ministri i Energjetikës, Eli Koen theksoi se ky është "mëngjes historik për shtetin e Izraelit, Lindjen e Mesme dhe botën".
Uashington - Presidentja e Kosovës, Vjosma Osmani sot në Uashington do të takohet me përfaqësuesin e lartë të Departamentit të shtetit për pështje evropiane dhe euroaziatike, Luis L. Bono. Bono e mori detyrën më 20 janar, pasi presidenti amerikan, Donald Tramp, e filloi zyrtarisht mandatin e dytë presidencial. Ai së fundmi ka shërbyer si këshilltar i lartë për Negociatat në Kaukaz.
Uashington - “Nëse e bëjnë këtë, do të shkatërrohen. Ky do të jetë fundi," tha Tramp në Dhomën ovale teksa nënshkroi urdhrin që përsëri të kryhet presion maksimal ndaj Teheranit. Trampi drejtoi një paralajmërim për Iranin në përgjigje të pyetjes në lidhje me mundësinë që ai vend të përpiqet ta vrasë atë. Tramp tha se ai nuk dëshiron që të nënshkruajë atë urdhër kundër Iranit, por se është e nevojshme për të parandaluar Teheranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.
Nju-Jork - Lëvizja për të kundërshtuar veprimet e para të administratës së presidentit Donald Tramp ka nisur në internet, ndërsa sot janë planifikuar protesta në të gjithë SHBA-në, njoftun mediat amerikane. Lëvizja organizohet nën hashtagun #buildtheresistance dhe #50501, që do të thotë "50 protesta, 50 shtete, një ditë". Shumë nga protestat janë planifikuar në kryeqytetet e shteteve, ndërsa disa në qytete të tjera. Lëvizja ka ueb faqe interneti dhe llogari të mediave sociale. Fletushkat, që janë të shpërndara në internet, dënojnë Projektin 2025, "loja" e ekstremit të djathtë për qeverinë dhe shoqërinë amerikane dhe përfshijnë porosi të tilla si "Refuzoni fashizmin" dhe "Mbroni demokracinë tonë".
Pekin – Kina kundërshton propozimin e presidentit amerikan, Donald Tramp për zhvendosje të dhunshme të palestinezëve nga Rripi i Gazës dhe angazhohet për zgjidhje me dy shtete, Palestina dhe Izraeli, si përgjigje për arritjen e paqes së përhershme në Lindjen e Mesme, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Lin Xhijan. “Shpresojmë se të gjitha palët relevante do ta pranojnë ndërprerjen e zjarrit në Gazë dhe administratës pas ushtarake si mundësi për kthimin e çështjes palestineze në rrugën e vërtetë të zgjidhjes politike të bazuar në zgjidhje me dy shtete, me qëllim që të arrihet paqe e përhershme në Lindjen e Mesme”, tha Lin.
Uashington - Administrata e presidentit amerikan Donald Tramp ka vendosur personelin e Agjencisë së SHBA-së për zhvillim ndërkombëtar (USAID) në të gjithë botën në "mungesë administrative", përveç atyre të cilët konsiderohen të nevojshme, njoftojnë mediat amerikane. Sipas njoftimit të publikuar mbrëmë në internet, punonjësit kanë 30 ditë kohë që të kthehen në SHBA. Mijëra punonjës të USAID-it tashmë janë pushuar nga puna, ndërsa programet në mbarë botën janë mbyllur pasi presidenti Donald Tramp vendosi ngrirje masive të ndihmës së huaj pas marrjes së funksionit.
Uashington - Pesë persona janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një depo për kozmetikë në Nju Olbani, në shtetin federal amerikan Ohajo. Për shkak të të shtënave, nga objekti janë evakuuar 20 persona. Ende nuk dihet nëse sulmuesi është ende në depo.
Uashington - Duket se sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio e mbështet planin e presidentit Donald Tramp që ta merr kontrollin amerikan ndaj Gazës, duke theksuar se enklava palestineze duhet të lirohet nga grupi islamist Hamas. Trampi dje propozoi që SHBA-ja ta ndërmarrë Gazën, ku aksioni ushtarak izraelit në 16 muajt e fundit ka vrarë dhjetëra mijë, pasi paraprakisht ka propozuar që palestinezët në enklavë të zhvendoseshin përgjithmonë. Ideja u dënua nga ekspertë dhe përfaqësues të të drejtave të njeriut.
Uashington – Aeroplani i parë me emigrantë është ulur në gjirin Guantanamo në kuadër të fushatës së administratës së presidentit amerikan Donald Tramp për çrrënjosjen e emigrimit të jashtëligjshëm. Një aeroplan C-17 dje ateroi nga El Pas në Teksas me dhjetë emigrantë, të cilët dyshojnë se janë pjesëtarë të bandës së Venezuelës Tren de Aragva.
Uashington - Senati amerikan e konfirmoi Pem Bondin si prokurore e përgjithshme në votimin që përfundoi me rezultat 54 kundër 46, njoftoi Si-En-En. Bondi, një ish prokurore e përgjithshme e Floridës, ishte kandidatja e dytë e Trampit për këtë funksion,pasi që Met Gejts u tërhoq për shkak të mungesës së mbështetjes midis senatorëve republikanë. Emërimi i saj u miratua javën e kaluar nga ana e Komitetit Gjyqësor të Senatit me shumicë të ngushtë prej 12 vota kundër.
Uashington - Donald Tramp do të marrë pjesë në Superboll të dielën, duke u bërë presidenti i parë aktual amerikan që merr pjesë në një finale të plejofit të NFL-së si spektator, konfirmoi Shtëpia e Bardhë. Lideri amerikan të dielën do të marrë pjesë në finalen e plejofit të ligës profesioniste amerikan të futbollit në Nju Orleans midis Kanzas Siti Çifs dhe Filadelfia Igëlls, deklaroi përfaqësuesi i Shtëpisë së Bardhë, duke konfirmuar informacionet nga mediat amerikane.