
12:00/14 mars/2025
Shkup - Në Kuvend sot do të ketë edhe një tentativë për zhbllokimin e punës së Komisionit për Politikë Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe Komisionit Ligjvënës, ku në rendin dite ka vetëm një pikë - Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor në procedurë të shkurtuar. Pardje puna e këtij Komisioni mbeti e bllokuar, ndonëse kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi emëroi kryesuese deputeten nga koalicioni qeverisës “VLEN", Imërlije Sali Fetai, pasi të hënën deputeti Bejxhan Iljas refuzoi ta kryej këtë funksion.
Beograd - Ambasada e SHBA-së në Beograd ka lëshuar një paralajmërim sigurie për qytetarët amerikanë lidhur me protestën e nesërme, e cila mund të grumbullojë qindra mijëra njerëz në Beograd dhe u ka bërë thirrje atyre që të shmangin turmat dhe vendet e tubimeve masive, transmeton H1. "Në Beograd priten aksione të mëdha proteste me një numër të përgjithshëm pjesëmarrësish që mund të arrijnë deri në qindra mijëra. Protestat mund të përhapen në një pjesë më të madhe të qendrës së Beogradit, veçanërisht në zonat pranë institucioneve shtetërore dhe selisë së transmetuesit publik RTS", thuhet në njoftimin për qytetarët amerikanë të postuar në faqen e internetit të ambasadës.
Athinë - Ndryshime në disa ministri, përfshirë ato në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare dhe Financave, Infrastrukturës dhe Transportit, Energjetikës, Migracionit etj, ka bërë kryeministri grek Kiriakos Micotakis, ndërsa Jorgos Gerapetritis dhe Nikos Dendias janë mes ministrave që kanë mbetur në postet e tyre, përkatësisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes Kombëtare, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, njoftoi sot paradite përbërjen e re të qeverisë, ku zëvendëskryeministër do të bëhet ministri aktual i Ekonomisë Kombëtare dhe Financave, Kostis Haxidakis, i zëvendësuar nga Kiriakos Pierakakis nga Ministria e Arsimit, ku tani ministre do të jetë Sofia Zaharaki.
Ankara - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka deklaruar se Ukraina e sheh Turqinë si partnere në garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe shtoi se Kievi është i gatshëm të ratifikojë marrëveshjen e tregtisë së lirë ndërmjet dy vendeve. Ai u takua dje në Kiev me ministrin turk të Mbrojtjes, Omer Bollat dhe ministrin e Bujqësisë, Ibrahim Jumakli dhe diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin në prodhimin e dronëve, si dhe pjesëmarrjen e kompanive turke në rindërtimin e Ukrainës.
Bruksel - Përfaqësuesit e përhershëm të qeverive të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel deri mbrëmë vonë nuk arritën një kompromis për vazhdimin e ri gjashtëmujor të pakos së sanksioneve të vendosura për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës. Nëse një marrëveshje për zgjatjen e sanksioneve kundër Rusisë nuk arrihet brenda 24 orëve të ardhshme, ato do të pushojnë së qeni në fuqi nesër mbrëma në mesnatë.
Bruksel - Temë qendrore e agjendës së Këshillit Evropian në mars do të jetë konkurrenca, por do të vazhdojmë edhe me adresimin e zhvillimeve të fundit në lidhje me Ukrainën dhe hapat e ardhshëm për mbrojtjen pas prezantimit të "Librit të bardhë" për të ardhmen e mbrojtjes evropiane, thekson kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta në ftesën e dërguar sot krerëve të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të Unionit për të marrë pjesë në Samitin e BE-së të planifikuar për më 20 dhe 21 mars në Bruksel. "Mbështetja jonë e vazhdueshme për Ukrainën, nevoja për të investuar në mbrojtjen tonë dhe konkurrenca jonë janë të lidhura ngushtë. Një Union më konkurrues do të thotë një Union më i fortë i cili do të jetë më i aftë të mbrojë qytetarët, interesat dhe vlerat e tij në skenën globale", thekson Koshta në ftesë.
Bruksel - Diplomatë të lartë të Bashkimit Evropian sot në mëngjes u dakorduan për vazhdimin e sanksioneve ndaj rreth 2.000 qytetarëve rusë, përfshirë edhe presidentin Vlladimir Putin, shumë politikanë dhe biznesmenë. Sanksionet të cilat duhet të azhurnohen njëzëri çdo gjashtë muaj, mbeten në fuqi deri më 15 shtator 2025. Pas kërcënimit të Hungarisë se do të vendos veto, katër persona u hoqën nga lista, ndërsa tre persona që së fundmi vdiqën janë fshirë, thonë burimet e BE-së.
Kiev - Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se gjatë natës kanë rrëzuar 16 nga gjithsej 27 dronë të dërguar nga Rusia. "Nëntë dronë nuk arritën objektivat e tyre, ndoshta si rezultat i veprimeve të forcave të luftës elektronike”, kumtoi ushtria ukrainase. Mbrëmë vonë, në një sulm me dron u plagosën shtatë persona në qytetin verilindor Harkov, tha guvernatori i rajonit të Harkovit, Oleg Sinegubov. Ai saktësoi se në një incident të veçantë në zonë, si pasojë e një sulmi ka shpërthyer një zjarr në spital dhe një grua ka mbetur e plagosur.
Moskë - Princi i kurorës saudite, Mohamed bin Salman, në bisedën e sotme telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, e ka theksuar rëndësinë e përfundimit të shpejtë të luftës në Ukrainë dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për të kontribuar në normalizimin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe SHBA-së, njoftoi Kremlini. Bin Salman e ka theksuar rëndësinë e përfundimit të shpejtë të marrëveshjes për armëpushim në Ukrainë, ndërsa Putini vlerësoi përpjekjet ndërmjetësuese të Riadit, ku muajin e kaluar u mbajtën bisedimet ruso-amerikane në nivel të lartë.
Kopenhagë - Luftërat, konfliktet, dhuna dhe persekutimi do të detyrojnë 6.7 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre në dy vitet e ardhshme, paralajmëroi sot një organizatë humanitare daneze. "Shkurtimet "të rrezikshme" të ndihmës ndërkombëtare nga vendet e mëdha si SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania kanë privuar miliona njerëz të cenueshëm nga mbështetja që është thelbësore për mbijetesën e tyre", ka theksuar Këshilli Danez për Refugjatët (DRC). "Jetojmë në një epokë lufte dhe mosndëshkimi dhe qytetarët paqësorë po paguajnë çmimin”, thuhet në kumtesën e sekretares së Përgjithshme të Organizatës, Sharlot Slente.
Uashington - SHBA dhe Izraeli kanë kontaktuar me përfaqësues të tri vendeve të Afrikës Lindore për mundësinë e zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza në territorin e tyre, njoftoi agjencia amerikane e lajmeve AP, duke iu referuar burimeve amerikane dhe izraelite. Sipas AP-së, janë kontaktuar zyrtarë nga Sudani, Somalia dhe rajoni i shkëputur i Somaliland. Megjithatë, autoritetet sudaneze thanë se e kishin refuzuar propozimin, ndërsa zyrtarët në Somali dhe Somaliland thanë se nuk ishin në dijeni të ndonjë bisede të tillë.
Uashington - Më shumë se gjysma e amerikanëve, duke përfshirë një në katër republikanë, besojnë se presidenti Donald Tramp është "shumë i afërt" me Rusinë pasi ndryshon rrënjësisht politikën e jashtme të SHBA-së, tregon një sondazh i ri i Rojters/Ipsos, raporton BTA. Sondazhi, i përfunduar të mërkurën, tregoi gjithashtu se axhenda ekspansioniste e Trampit, e cila ka folur për marrjen e Groenlandës, Kanadasë dhe Kanalit të Panamasë, nuk po merr mbështetje të fortë. Rreth 56 për qind e të anketuarve - 89 për qind e demokratëve dhe 27 për qind e republikanëve - pajtohen me deklaratën se Trampi është shumë afër Moskës.