
09:00/13 mars/2025
Baku - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova do të mbajë fjalim në hapjen e Forumit të 12-të botëror në Baku me titull "Rihetimi i rendit botëror: Kthimi i sfidave në mundësi". Siljanovska Davkova do të mbajë fjalim edhe në panelin "Pakti për të ardhmen e Kombeve të Bashkuara: Ndërtimi i një konsensusi të ri global". Në forum do të debatohet gjithashtu edhe në panelet mbi temat: "Ndryshimet gjeopolitike: Partneritete të përgjegjshme kundrejt rivalitetit" dhe "Rimendimi i multilateralizmit për një botë shumëpolare". Pritet të marrin pjesë rreth 400 pjesëmarrës - presidentë aktualë dhe të mëparshëm të shteteve dhe qeverive, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.
Shkup - Në Kuvend sot seancë do të mbajë Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Në rend dite janë përcaktimi i propozim-vendimeve për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike, për shkarkimin e anëtarëve të Agjencisë së Postës, për emërimin e anëtarit të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Propozimin për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe përcaktim i Propozim - vendimit për shkarkimin dhe emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit për ndarjen e çmimit shtetëror "23 Tetori".
Shkup - Gjykata Themelore Penale në Shkup sot duhet ta shpallë aktgjykimin për vrasjen pas qendrës tregtare "Mavrovasja" në Shkup më 20 gusht të vitit të kaluar. Prokuroria Themelore Publike në Shkup në dhjetor të vitit të kaluar, ka ngritur aktakuzë kundër një personi për vrasje, tentim vrasje dhe prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim të paautorizuar të armëve dhe lëndëve plasëse. Siç njofton PTHP Shkup, i pandehuri më 20 gusht, prapa qendrës tregtare "Mavrovasja" në Shkup, nga lakmia, ka qëlluar me armë zjarri - pistoletë të dëmtuarin Vasil Eftimov, pas së cilës me pistoletë e ka kanosur dhe bashkëshortes ia ka marrë çantën, të cilën ajo e ka mbajtur në shpatull dhe një gajbe me ngjyra të ndryshme, në të cilën ka pasur vegla të ndryshme pune, të cilën të dëmtuarit e kanë pasur në automjet.
Shkup - Në Qendrën për trajnim të MPB-së në Idrizovë sot do të mbahet ceremoni me rastin e prezantimit të akreditimit nga Asociacioni ndërkombëtar i drejtorëve të Akademisë policore për standarde dhe trajnim (IADLEST). Në këtë aktivitet fjalim do të kenë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ambasadorja amerikane Anxhela Ageler dhe ndihmësministri i Qendrës për trajnime, Vllatko Mitkovski.
Shkup - Sot në Shtëpinë e ARM-së do të organizohet tribunë "Pesë vjet anëtarësim i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO: Arritjet, perspektivat dhe sfidat". Organizatorë janë Klubi diplomatik - Shkup dhe Shoqata e veteranëve dhe rezervistëve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Janë planifikuar dy sesione në kuadër të tribunës. Sipas paralajmërimit, në sesionin e parë fjalë përshëndetëse do të kenë Jovan Tegovski, kryetar i Klubit diplomatik - Shkup ambasador në pension, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski dhe gjeneralët në pension, Ilija Nikollovski dhe Pavle Arsoski.
Shkup - Në kazermën "Ilinden" në Shkup sot do të shënohet Dita e formimit të Njësitit Special Antiterrorist - TIGRAT. Në ngjarje fjalim do të kenë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe komandanti i NJSA TIGRAT Dragan Prokopovski. Delegacione nga Qeveria dhe MPB do të vendosin lule dhe do të bëjnë homazhe në pllakën përkujtimore të pjesëtarëve të rënë të "NJSA - TIGRAT".
Shkup - Komunikacioni në rrugët e vendit zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi. Në autostradën A1, aksi Demir Kapi - Smokvicë nga 20.02.2025 deri më datë 31.05.2025, për shkak të rikonstruksionit të tubit të tunelit të majtë të tunelit T2, do të ketë ndryshim të përkohshëm në qarkullim. Tubi i majtë i tunelit T2 është plotësisht i mbyllur për qarkullim, ndërsa trafiku është plotësisht i orientuar në tubin e djathtë të tunelit me zhvillim të dyanshëm të trafikut.
Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira, reshje lokale shiu dhe bubullima. Proceset do të jenë më intensive paradite në pjesët lindore ku do të jenë në formën e stuhisë me shi më të dendur (20 l/m2), erë e fortë (mbi 60 km/h) dhe kushtet për paraqitje të izoluar të breshrit. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 7 deri 13 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 17 deri 24 gradë Celsius. Në Shkup do të mbajë mot i ndryshueshëm, me vranësira, erë mesatare deri e përforcuar nga jugu. Paradite do të ketë reshje të dendura shiu dhe bubullima, ndërsa pasdite vranësirat do të zvogëlohen. Temperatura minimale do të ulet deri 12, ndërsa maksimalja do të arrijë deri 24 gradë Celsius.
Berlin - Blloku konservator fitues i Gjermanisë sot duhet t'i fillojë bisedimet për koalicion me Socialdemokratët e qendrës së majtë (SPD) të kancelarit në largim Olaf Sholc në përpjekje për të formuar Qeverinë e ardhshme gjermane, njofton DPA. Pasi siguroi fitore të qartë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, Unioni Demokristian (CDU) dhe partia e tyre bavareze simotër Unioni Kristiansocial (CSU) në bisedimet preliminare me SPD-në, ranë dakord për një sërë pikash kyçe për punën e qeverisë së ardhshme, shton agjencia gjermane. Nga sot, 16 grupe punuese, secili i përbërë nga 16 përfaqësues të CDU-së, CSU-së dhe SPD-së, duhet të negociojë detajet e programit të përbashkët të qeverisë.
Moskë - Presidenti rus Vlladimir Putin dje e ka vizituar rajonin perëndimor rus të Kurskut për herë të parë që kur forcat ukrainase pushtuan një pjesë të territorit në rajon. Putini i veshur me uniformë ushtarake, e vizitoi qendrën e kontrollit në rajonin e Kurskut që e shfrytëzojnë forcat ruse, njoftoi televizioni shtetëror rus. "Për hir të së vërtetës, në kohën më të shkurtër të mundshme, ne duhet të mposhtim më në fund armikun që është i ngulitur në rajonin e Kurskut dhe ende po kryen operacione mbrojtëse këtu", tha Putini në fjalimin e tij drejtuar kreut ushtarak ruse.
Otavë - Mark Karni nesër do të japë betimin si kryeministër i ardhshëm i Kanadasë, duke shënuar ditën e fundit të Xhastin Trudo në pushtet pas më shumë se nëntë vitesh. Guvernatorja e përgjithshme, Meri Sajmon, nesër paradite, në orën 11 do të udhëheqë ceremoninë e betimit për Karnin dhe ministrat e tij, theksohet në kumtesën e kabinetit të saj. Karni, një ish-bankier që udhëhoqi Bankën Qendrore të Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të dielën u zgjodh lider i Partisë Liberale të Kanadasë. Ai do të bëhet kryeministri i 24-të i Kanadasë.
Gazë - Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Kasem, dje ka përshëndetur tërheqjen e presidentit amerikan Donald Tramp nga propozimi për shpërnguljen e përhershme të palestinezëve nga Gaza, duke i bërë thirrje Trampit që të përmbahet nga pajtueshmëria me vizionin e të “djathtës ekstreme sioniste”. Deklarata e përfaqësuesit të Hamasit vjen pasi Trampi tha dje se "askush nuk po i dëbon palestinezët nga Gaza" si përgjigje e pyetjes gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin irlandez, Majkëll Martin. “Nëse deklaratat e presidentit amerikan Tramp paraqesin tërheqje nga çdo ide e zhvendosjes së njerëzve nga Rripi i Gazës, ato janë të mirëseardhura”, ka thënë Kasem.
Nuk - Kryeministri i ri i mundshëm i rajonit autonom danez të Grenlandës, Jens-Frederik Nilsen, e ka hedhur poshtë idenë e presidentit amerikan Donald Tramp për marrjen e ishullit të madh në qarkun arktik nga ana e Amerikës, duke thënë se grenlandezët duhet të vendosin për të ardhmen e tyre. Grenlanda dëshiron të shkëputet nga Danimarka, por fituesit e zgjedhjeve, Partia Demokratike, duan që kjo të ndodhë ngadalë dhe gradualisht. Demokratit, partia e prirur në qarqet e bizneseve, ishte fituese surprizë në zgjedhjet e djeshme, duke lënë pas dy partitë e majta që formuan qeverinë e mëparshme të Grenlandës.
Madrid- Trajneri i Atletiko Madridit, Diego Simeone ka lavdëruar lojtarët e tij për paraqitjen në ndeshjen e mbrëmshme kundër Real Madridit. Atletiko pas 90 minutave të rregullta dhe 30 minutave shtesë kishte epërsi me rezultat 1:0, por humbi në penalti (2-4) dhe u eliminua në 1/8-ën e Ligës së kampionëve. "Mendoj se luajtëm një ndeshje shumë të mirë. Lufta ishte thjesht e jashtëzakonshme. Jam krenar për lojtarët e mi. Jam i kënaqur që ata luftuan në mënyrë shembullore. Po, nuk arritëm ta mposhtim Realin në Ligën e kampionëve, por ata gjithmonë kanë beteja të vështira kundër nesh. Luajtëm ndeshje të jashtëzakonshme me energji dhe punë ekipore. Kishim një kundërshtar me lojtarë shumë të mirë. Kur eliminohesh, nuk është e lehtë të jesh pozitiv, por lojtarët e mi merituan duartrokitje. Tifozët ishin me ne gjatë gjithë ndeshjes. Kjo ishte një ditë e bukur. Fatkeqësisht nuk arritëm të ecim më tej, por largohem me një ndjenjë qetësie”, ka thënë Simeone pas ndeshjes me rivalin e qytetit.