Mbështetje dhe solidaritet pas tragjedisë në Koçan nga zëvendësministrat grekë, Haxivasiliu dhe Julekas
- Dëshiroj të them edhe një herë se Qeveria greke mbështet fqinjët tanë dhe jemi në dispozicion për të ndihmuar në çdo gjë që është e nevojshme me dëshirën që një tragjedi e tillë të mos përsëritet askund, tha zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Tasos Haxivasiliu, pasi me ministrat Timço Mucunski dhe Arben Taravari dhe zëvendësministrin grek Kostas Julekas e vizituan spitalin Papanikolau në Selanik ku janë të hospitalizuar tre të lënduar, njofton korrespondentja e MIA-s në Athinë.
- Post By Fami Bajrami
- 13:50, 18 March, 2025

Athinë, 18 mars 2025 (MIA) - Dëshiroj të them edhe një herë se Qeveria greke mbështet fqinjët tanë dhe jemi në dispozicion për të ndihmuar në çdo gjë që është e nevojshme me dëshirën që një tragjedi e tillë të mos përsëritet askund, tha zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Tasos Haxivasiliu, pasi me ministrat Timço Mucunski dhe Arben Taravari dhe zëvendësministrin grek Kostas Julekas e vizituan spitalin Papanikolau në Selanik ku janë të hospitalizuar tre të lënduar, njofton korrespondentja e MIA-s në Athinë.
Zëvendësshefi i diplomacisë greke theksoi se “që në momentin e parë të ngjarjes tragjike, Qeveria e Greqisë tregoi solidaritet dhe humanizëm me popullin e Maqedonisë së Veriut”.
“Me kolegët e mi, ministrin e Punëve të Jashtme dhe ministrin e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, së bashku me kolegun tim Kostas Julekas vlerësuam gjendjen e pacientëve dhe biseduam me familjet e të lënduarve të cilët deklaruan se janë të kënaqur me kujdesin që po marrin fëmijët e tyre këtu në Greqi”, tha Haxivasiliu.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Greqisë, përgjegjës për rajonin e Maqedonisë dhe Thrakisë, Kostas Julekas, tha se kjo ishte një "tragjedi e paprecedentë", duke shprehur ngushëllime dhe mbështetje.
"Greqia që në momentin e parë hapi dyert e saj, hapi dyert e spitaleve të saj. Ne i trajtojmë këta njerëz të rinj dhe mbështesim prindërit dhe të afërmit e tyre. Nga shteti fqinj kanë ardhur ministrat e Punëve të Jashtme dhe Shëndetësisë për të parë bashkatdhetarët e tyre. Nga ajo që na kanë informuar mjekët, gjendja e të lënduarve është stabile dhe natyrisht janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore. Urojmë nga zemra që këta fëmijë që u transferuan këtu të largohen të shëndetshëm dhe të kthehen në vendlindje. Ne po bëjmë gjithçka mundemi dhe mjekët po i monitorojnë 24 orë në ditë”, theksoi Julekas.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari së bashku me zëvendësministrat grekë mëngjesin e sotëm kanë vizituar të lënduarit nga zjarri në Koçan të cilët hospitalizohen në dy spitalet e Selanikut.
Shefi i diplomacisë, siç raportoi më herët MIA në një deklaratë për mediat greke në Selanik, theksoi se “ky ishte momenti më tragjik në historinë e popullit tim, një moment që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën kolektive, por ajo që do të mbetet në kujtesën tonë kolektive dhe që nuk duhet ta harrojmë kurrë, është solidariteti që kemi marrë”.
Lidhur me gjendjen e dy vajzave dhe të riut të moshës 19, 25 dhe 26 vjeç, të cilët prej të dielës janë të shtruar në spitalin Papanikolau në Selanik, drejtoresha e Departamentit të djegieve, Sofija Papadopulu tha se janë në gjendje kritike.
Mjekja shpjegoi se tre pacientët kanë djegie nga 15 deri në 25 për qind të trupit ku dy prej pacientëve sot do t'i nënshtrohen operacionit për herë të dytë sot, ndërsa i lënduari i tretë në ditët në vijim, por theksoi se ajo që është më serioze është se kanë thithur tym.
Në Greqi janë shtruar tetë të lënduar, tre në Spitalin Papanikolou në Selanik, dy në Spitalin ushtarak 424 në Selanik, ndërsa nga mbrëmë në Athinë mjekohen tre persona të tjerë në Spitalin e përgjithshëm ushtarak 401.
Foto: Profili në Fejsbuk i Timço Mucunskit dhe Tasos Haxivasiliut