• Wednesday, 22 April 2026

Siljanovska-Davkova priti përfaqësuesit e "Maqedonia 2025", diskutuan për Samitin e ardhshëm dhe themelimin e Këshillit të diasporës

Siljanovska-Davkova priti përfaqësuesit e

Shkup, 21 prill 2026 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot priti përfaqësues të "Maqedonia 2025", të udhëhequr nga drejtoresha ekzekutive e organizatës, Nikica Mojsoska-Bllazhevski, të cilët, siç informojnë nga Kabineti i presidentes, e informuan për rezultatin e konkursit vjetor për ndarjen e Mirënjohjes për kontribut të veçantë për persona të shquar nga diaspora. 

Siljanovska-Davkova përshëndeti cilësinë e lartë të kandidatëve dhe përzgjedhjen parimore të fituesve të çmimeve, duke vlerësuar kontributin e tyre të vërtetë për vendin, dhe siç informuan nga Kabineti, pranoi ftesën, edhe këtë vit, në cilësinë e patrones, t'ua ndajë mirënjohjet fituesve, në kuadër të hapjes ceremoniale të Samitit tradicional "Maqedonia 2025". 

Për shkak të interesit në rritje të diasporës për t'u kthyer në vend, por edhe për të inkurajuar të rinjtë dhe për të vlerësuar kontributin e tyre, bashkëbiseduesit ranë dakord se do të ishte mirë të futeshin dy kategori të reja çmimesh në të ardhmen: për të rinjtë dhe për të kthyerit në vend.

Në takim, Mojsoska-Bllazhevski theksoi edhe problemet institucionale me të cilat përballet diaspora në procesin e marrjes së nënshtetësisë së Maqedonisë.  

Në themelimin e Këshillit të diasporës, theksohet në kumtesë, të dyja palët njohin potencialin për përfshirje aktive dhe ndikim të diasporës në vendin amë. Sipas Siljanovska-Davkovës, në të duhet të përfshihen individë që personifikojnë unitetin e Maqedonisë dhe gëzojnë besimin e diasporës së Maqedonisë, e cila i njeh dhe i vlerëson ata. 

Sipas bashkëbiseduesve, qasja e koordinuar ndërinstitucionale do të lehtësojë kthimin e personelit të kualifikuar në atdheun e tyre. rq/

Foto: Kabineti i presidentes Gordana Siljanovska-Davkova