Qeveria, me propozim të MEP, miratoi masa për stabilizimin e çmimeve të plehrave dhe mbrojtjen e bujqëve
- Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, miratoi paketë vendimesh me qëllim të stabilizimit të tregut të plehrave, mbrojtjes së bujqëve dhe sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm në prag të sezonit bujqësor.
- Post By Ramize Qamili
- 18:47, 21 April, 2026
21 prill 2026
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, miratoi paketë vendimesh me qëllim të stabilizimit të tregut të plehrave, mbrojtjes së bujqëve dhe sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm në prag të sezonit bujqësor.
Këto vendime janë miratuar në përputhje me Ligjin për Tregti, e në bazë të analizës së bërë paraprakisht nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut për lëvizjen e çmimeve të plehrave në tregun vendor në tregtinë me shumicë dhe pakicë në periudhën shkurt-prill të vitit 2026 dhe për lëvizjen e çmimeve të importit të plehrave në periudhën janar-prill të vitit 2026.
Vendimi i parë përcakton kushte të veçanta për tregtinë e plehrave joorganike, organike dhe organo-minerale, si dhe biostimulantëve dhe përmirësuesve të cilësisë së tokës. Në të njëjtën kohë, vendoset kufizim i marzheve bruto të fitimit në gjithë zinxhirin tregtar.
Marzhi maksimal për plehrat joorganike do të kufizohet në:
• deri në 5% në tregtinë me shumicë
• deri në 5% në tregtinë me pakicë
Për llojet e tjera të plehrave dhe produkteve të ngjashme, marzhet janë të kufizuara në:
• deri në 10% në tregtinë me shumicë
• deri në 10% në tregtinë me pakicë
Përveç kësaj, tregtarëve u kërkohet të sigurojnë disponueshmërinë e vazhdueshme të këtyre produkteve, respektivisht të shesin të paktën 70% të sasive mesatare mujore, duke parandaluar kështu krijimin e mungesave artificiale në treg.
Me vendimin e dytë, Qeveria përcaktoi edhe një masë të drejtpërdrejtë për të ulur çmimet e sasive ekzistuese të plehrave joorganike në tregtinë me shumicë të prokuruar deri më 15 prill të vitit 2026. Me fjalë tjera, çmimet më të larta janë fikse në nivelin e 15 prillit të vitit 2026, të ulura për 10% vetëm për
sasitë e plehrave të blera deri më 15 prill të vitit 2026, ndërsa do të jenë të vlefshme derisa të shterojnë plotësisht.
Këto masa synojnë parandalimin e tronditjeve të çmimeve, mbrojtjen e prodhimit bujqësor vendor, sigurimin e kushteve të drejta të tregut dhe furnizimin me kohë të bujqëve me repromaterialet e domosdoshme.
Vendimet do të hyjnë në fuqi në ditën e publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, me ç'rast masat që kufizojnë marzhat do të zbatohen deri më 31 maj të vitit 2026.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës
Foto: arkivi i MIA-s