• Wednesday, 22 April 2026

Mickoski në Vjenë në takim me diasporën e Maqedonisë: Jam i bindur se vetëm së bashku mund ta çojmë vendin përpara

Mickoski në Vjenë në takim me diasporën e Maqedonisë: Jam i bindur se vetëm së bashku mund ta çojmë vendin përpara

Shkup, 21 prill 2026 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski u takua sot në Vjenë me bashkëqytetarët tanë nga diaspora e Maqedonisë, me të cilët, siç publikoi, diskutuan hapur për sfidat, por edhe për mundësitë që kemi si vend. 

Mickoski, siç publikoi në profilin e tij në Fejsbuk, bëri thirrje në takime që “të shqyrtohet mundësia e kthimit, investimit dhe angazhimit aktiv në zhvillimin e vendit”, duke theksuar se “si Qeveri, po punojmë me përkushtim për të krijuar një klimë biznesi të qëndrueshme dhe të parashikueshme, e cila do të inkurajojë hapa të tillë”.

"Veçanërisht theksova rëndësinë e vazhdimit dhe thellimit të marrëdhënieve miqësore me Austrinë. Afërsia midis vendeve tona është e qartë dhe ne duhet ta shndërrojmë atë në një bashkëpunim edhe më të madh ekonomik dhe investime të reja. U dërgova një mesazh njerëzve tanë në diasporë, ata janë pjesë e pandashme e Maqedonisë", publikoi Mickoski në Fejsbuk.

Këto takime, shkroi Mickoski, janë të rëndësishme sepse ndërtojnë bashkësi dhe besim.

"Jam i bindur se vetëm së bashku, me mbështetjen e diasporës dhe me partneritete të forta ndërkombëtare, mund ta çojmë vendin përpara. Po punojmë me përkushtim, hap pas hapi, me një qëllim të qartë për zhvillim ekonomik dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë", publikoi Mickoski.

Mickoski, së bashku me një delegacion qeveritar, ndodhet në një vizitë zyrtare politike dhe ekonomike në Vjenë, në Republikën e Austrisë, gjatë së cilës, siç është paralajmëruar, do të takohet me kancelarin e Republikës së Austrisë, Kristian Shtoker. rq/

Foto: Fejsbuku i Hristijan Mickoskit