Propozim-konkluzione nga Samiti në Bruksel: Nuk ka bisedime për Ukrainën pa Kievin dhe për sigurinë evropiane pa BE-në
- Nuk mund të ketë asnjë lloj negociate për Ukrainën pa pjesëmarrjen e Kievit, thuhet në tekstin e propozim-konkluzioneve të Këshillit e sotëm të posaçëm Evropian në Bruksel, kushtuar mbështetjes së Ukrainës dhe mbrojtjes së Evropës.
- Post By Melahat Baftija
- 16:57, 6 March, 2025

Bruksel, 6 mars 2025 (MIA) - Nuk mund të ketë asnjë lloj negociate për Ukrainën pa pjesëmarrjen e Kievit, thuhet në tekstin e propozim-konkluzioneve të Këshillit e sotëm të posaçëm Evropian në Bruksel, kushtuar mbështetjes së Ukrainës dhe mbrojtjes së Evropës.
Gjithashtu, në konkluzionet e dakorduara mëngjesin e sotëm nga ana e përfaqësuesve të përhershëm të vendeve-anëtare të BE-së në Bruksel, theksohet se BE-ja duhet të përfshihet në çdo bisedë lidhur me sigurinë evropiane.
Siç ka njoftuar korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, për një armëpushim të mundshëm në Ukrainë, konkluzionet tregojnë se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm si pjesë e një procesi që do të çonte në një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes.
Ky është vetëm një projekt-tekst dhe ka mundësi që të ketë ndryshime në përmbajtjen e tij në versionin përfundimtar të konkluzioneve, të cilat do të miratohen në fund të Samitit të sotëm.
Ndryshe, gjatë takimit të deritanishëm të liderëve, krerët e shteteve apo qeverive të vendeve-anëtare të BE-së kanë mbajtur një drekë pune me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski, në të cilën është diskutuar për mbështetjen e Unionit për Ukrainën.
Pas drekës filloi pjesa e punës e Këshillit, ku liderët diskutuan për sigurinë dhe mbrojtjen evropiane, ndërsa bazë e diskutimit, sipas njoftimeve, do të jetë Plani për riarmatimin e Evropës, i cili u promovua dje nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen.
Në vigjilje të Samitit, kryeministri hungarez Viktor Orban njoftoi se do të vërë veton ndaj konkluzioneve të Samitit nëse ato përmbajnë një njoftim për mbështetje shtesë ushtarake për Ukrainën, ndërsa kryeministri sllovak Robert Fico kushtëzoi mbështetjen e tij për dokumentin me marrjen e garancive nga BE-ja se do të kryente presion mbi Kievin për të vazhduar transitin e gazit rus përmes territorit ukrainas. mb/
Foto: MIA