• Friday, 07 March 2025

Kellog: Nuk mund të garantoj vazhdimin e ndihmës për Ukrainën, Trampi do të vendosë për këtë

Kellog: Nuk mund të garantoj vazhdimin e ndihmës për Ukrainën, Trampi do të vendosë për këtë

Uashington, 6 mars 2025 (MIA) - I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ukrainën dhe Rusinë, Kit Kellog, tha sot se nuk mund të garantojë se Uashingtoni do të vazhdojë ta furnizojë Kievin me armë edhe nëse Ukraina e pranon marrëveshjen për burimet minerale dhe se ky vendim varet nga presidenti amerikan, Donald Tramp.

Ai tha se pala ukrainase ishte informuar se takimi në Dhomën Ovale midis Trampit dhe presidentit ukrainas Volodimir Zelenski do të përqendrohej në lidhjen e një marrëveshjeje për mineralet, raportojnë mediat amerikane.

Kellog tha se takimi "ndoqi rrugën e gabuar" kur Zelenski dyshohet se u përpoq të bindte Trampin të qëndronte në anën e Kievit.

Zelenski, i cili këmbënguli se Ukraina kishte nevojë për garanci sigurie përpara një armëpushimi me Rusinë, më vonë tha se ishte gati të nënshkruante marrëveshjen.

Megjithatë, Kellog tha se ai nuk mund të garantonte vazhdimin e dërgesave të armëve edhe nëse Zelenski pranonte marrëveshjen dhe se vendimi do të merrej nga Trampi.

Trampi dhe Zelenski shkëmbyen fjalë të ashpra për situatën në Ukrainë, ku Trampi akuzoi presidentin ukrainas se nuk ishte mirënjohës për ndihmën që mori vendi i tij nga SHBA dhe se tregoi “mosrespekt”, pas së cilës u shty nënshkrimi i paralajmëruar i marrëveshjes për mineralet e rralla nga Ukraina.

Pas takimit të dështuar, presidenti amerikan tha se Zelenski "nuk ishte gati për paqe" dhe se ai mund të kthehej në Shtëpinë e Bardhë për bisedime kur të ishte gati. sa/

foto: Arkivi i MIA-s