• Friday, 07 March 2025

Rute: Ne duam një fund të agresionit rus dhe paqe të qëndrueshme për Ukrainën

Rute: Ne duam një fund të agresionit rus dhe paqe të qëndrueshme për Ukrainën

Bruksel, 6 mars 2025 (MIA) - Këto janë kohë të pasigurta dhe e di se disa mund të jenë të shqetësuar për të ardhmen e NATO-s, por marrëdhëniet transatlantike dhe partneriteti mbeten themeli i Aleancës, tha sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rute pas takimit me presidentin polak Andzhej Duda në Bruksel.

"Ndërsa aleatët punojnë për të rritur investimet e tyre në mbrojtje, shumë po punojnë gjithashtu se si mund të kontribuojnë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. Të gjithë duam të shohim një fund të agresionit rus dhe një marrëveshje që siguron paqe të qëndrueshme për një Ukrainë sovrane," shtoi Rute.

Ai theksoi se presidenti amerikan Donald Tramp ka theksuar qartë angazhimin e SHBA-së dhe angazhimin e tij personal ndaj NATO-s, por gjithashtu e ka bërë të qartë se pret që Evropa të bëjë më shumë në drejtim të shpenzimeve të mbrojtjes.

"Tashmë po shohim lëvizje në drejtimin e duhur. Vitin e kaluar, investimet e mbrojtjes në Evropë dhe Kanada u rritën për 20 për qind. Në të njëjtën kohë, aleatët po punojnë në mënyrë aktive se si mund të bëjnë më shumë", theksoi Rute.

Ai kujtoi se vetëm në javët e fundit, Danimarka dhe Mbretëria e Bashkuar kanë paralajmëruar investime të mëdha në mbrojtje dhe hapa të rëndësishëm në këtë drejtim janë ndërmarrë edhe nga Gjermania, Franca dhe Republika Çeke.

“Unë e mirëpres këtë, sepse siguria e përbashkët është përgjegjësia jonë kolektive”, shtoi Rute.

Ai vuri në dukje Poloninë si një shembull të ndritshëm të shpenzimeve të mbrojtjes, të cilat këtë vit janë 4.7 për qind të PBB-së kombëtare, duke e bërë vendin një kontribues të rëndësishëm në sigurinë e aleatëve të NATO-s, duke shtuar se Varshava luan gjithashtu një rol jetik në mbështetjen e partnerit dhe fqinjit të saj të Aleancës, Ukrainës. sa/

Foto: NATO