• Monday, 03 March 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 2 mars/ 2025

 Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministrat do të marrin pjesë në samitin qeveritar Hungari - Maqedoni më 3-4 mars të vitit 2025, i cili do të mbahet në Republikën e Hungarisë. Siç bëri të ditur pres shërbimi qeveritar, sipas agjendës, është paraparë takim tet-a-tet midis kryeministrit Mickoski dhe kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban. Në kuadër të samitit qeveritar, është paraparë të mbahen edhe takime dypalëshe midis ministrave përkatës të të dy qeverive, pas së cilave do të pasojë edhe mbledhje e përbashkët qeveritare midis dy qeverive.

Shkup - Qeveria po ndjek një politikë shumë të kujdesshme në drejtim të kontrollit të kostove, deficitit buxhetor dhe borxhit publik, dhe ai përkushtim është treguar përmes zvogëlimit të borxhit shtetëror, ndërsa në përputhje me këtë edhe borxhit publik, këtë e theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila informoi se niveli i borxhit publik në fund të vitit 2024 ishte 61,9 për qind dhe se ai në fund të janarit arrin 58,2 për qind të PBB-së. "Kjo i detyrohet shlyerjes së eurobondit me kredinë që kemi marrë dhe me të cilën kemi bërë kursime vjetore prej 15 milionë eurosh ose 30 milionë euro për dy këstet. Kjo tregon përkushtimin tonë për kontrollin e shpenzimeve, deficitit buxhetor dhe borxhit publik dhe besoj se deri në fund të vitit do të jemi shumë të kujdesshëm", tha ministrja duke qenë e ftuar në Ditarin e TV Sitel.

Shkup - Nëse një institucion vendos të mbrohet, e bën këtë. Por ne ende nuk kemi obligim që të gjitha institucionet ta bëjnë këtë, prandaj e kemi këtë pabarazi dhe institucione të caktuara shumë shpesh janë cak i sulmeve kibernetike, tha ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. "Fatkeqësisht, ne jemi një vend pa ligj për sigurinë kibernetike, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit dhe të Evropës kanë miratuar ligje të tilla 13 vite më parë. Ne po bëjmë përpjekje që ta miratojmë ligjin tani, me shumë mundësi deri në qershor. Ai ligj do të jetë udhërrëfyesi ynë se ku duhet të lëvizim në sigurinë kibernetike. Tani mbrojtja që ne ofrojmë në hapësirën kibernetike është ad-hok. Nëse një institucion vendos të mbrojë veten, ai e bën këtë. Mirëpo, ne ende nuk kemi obligim që të gjitha institucionet ta bëjnë këtë dhe për këtë po na ndodh kjo pabarazi dhe shumë shpesh institucione të caktuara janë cak i sulmeve kibernetike", tha Andonovski.

Shkup - Mundësia e fundit që Qeveria të tregojë një minimum respekti për qytetarët është ndërhyrja urgjente për pagat. Nevojitet rritje e pagës minimale në 500 euro sepse kjo do të nxisë rritjen e të gjitha pagave. Nëse paga minimale nuk rritet në 500 euro, kjo do të thotë përkeqësim i mëtutjeshëm i jetës për mijëra familje, theksoi sot në një konferencë për shtyp nënkryetarja e LSDM-së Kaja Shukova. Sipas Shukovës, Qeveria nuk po merr masa konkrete për përmirësimin e gjendjes ekonomike.

Shkup - Në SPB Shkup mbrëmë është raportuar se në rrugën "Sën. Cirili dhe Metodi" në Shkup, automjeti motorik i pasagjerëve "Mercedes" me targa të Shkupit i drejtuar nga N.N. (48) nga Gostivari ka goditur personin B.L. (25) nga Manastiri. Është konstatuar se N.N ka qenë duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, më pas është arrestuar dhe automjeti është sekuestruar për procedim të mëtejshëm. Nga MPB informojnë se B.L. është dërguar në Qendrën Klinike "Nëna Terezë", ku u konstatua se ka lëndime të rënda trupore.

Shkup - Me datë 01.03.2025 rreth orës 21:00 në Tetovë, nga ana e nëpunësve policorë nga SPB Tetovë, është kryer bastisje në shtëpinë dhe objektet ndihmëse të F.I (31) nga Tetova. Siç kumtoi MPB, gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua marihuanë dhe tre thërrmues me mbetje marihuane. F.I. është privuar nga liria dhe kundër tij do të bëhet kallëzim përkatës.

 Shkup - Më ftohtë mëngjesin e sotëm është në Kodrën e Diellit dhe Llazaropole, -1 gradë Celsius, ndërsa më ngrohtë ka qenë në Shkup - Petrovec dhe Demir Kapi, ku janë matur 8 gradë Celsius. Një gradë është matur në Hanet e Mavrovës, 2 në Berovë, 3 në Krushevë, Manastir, 4 në Kriva Pallankë, Pretor, Ohër, 5 në Prilep, 6 në Tetovë, Vinicë, Shtip, 7 në Veles, Kavadar, Shkup-Zajçev Rid, Strumicë dhe Gjevgjeli. 

Paris - Nëse presidenti rus Vladimir Putini, i cili sulmon Ukrainën që nga viti 2022, nuk ndalet, "ai me siguri do të drejtohet ndaj Moldavisë, e ndoshta edhe më tej ndaj Rumanisë, paralajmëroi presidenti francez Emanuel Makroni në një intervistë për disa botime javore. Një tërheqje e mundshme e SHBA nga Ukraina "nuk është në interesin e tyre", sepse "ajo që SHBA ka bërë për tre vitet e fundit është plotësisht në përputhje me traditat e saj diplomatike dhe ushtarake", tha Makroni për të javoren "Tribjun dimansh".

Varshavë - Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha sot, para se të nisej për takimin e liderëve evropianë në Londër, se Evropa është zgjuar dhe dalëngadalë po e kupton se çfarë paradoksi është që 500 milionë evropianë po i lusin 300 milionë amerikanë që t'i mbrojnë nga vetëm 140 milionë rusë. "Evropa është zgjuar. Një Evropë e zgjuar, një Evropë që di të llogarisë, që kupton potencialin e saj global, një Evropë që është një forcë, nuk do të jetë një alternativë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por një aleat më i dëshirueshëm", tha Tusk përpara se të nisej për në Londër.

Berlin - Kryetari i forcës politike me grupin më të madh në Parlamentin Evropian - Partia Popullore Evropiane (PPE), Manfred Veber bëri thirrje për vendime të shpejta për formimin e politikës së pavarur të mbrojtjes për Evropën pas përplasjes verbale mes presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës - Donald Tramp dhe Volodimir Zelenski - pardje në Shtëpinë e Bardhë, njoftoi DPA. "Nëse shikoni Uashingtonin, duhet të kuptoni një gjë: Evropa është vetëm dhe tani ne duhet të armatosemi në mënyrë të pavarur", tha politikani gjerman në një deklaratë për grupin mediatik "Funke" të publikuar sot.

Bruksel - Sot në Londër do të mbahet samiti, i organizuar nga kryeministri britanik Kir Starmer, me pjesëmarrjen e rreth 15-të liderëve nga Evropa, kushtuar "avancimit të aktiviteteve evropiane për Ukrainën dhe sigurinë". "Kryeministri (Starmer) do ta shfrytëzojë samitin për të çuar përpara veprimet evropiane për Ukrainën, duke demonstruar mbështetjen tonë të palëkundur kolektive për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme dhe një zgjidhje të qëndrueshme që garanton sovranitetin dhe sigurinë e ardhshme të Ukrainës," kumtoi Dauning strit 10 të premten.

 Londër - Kryeministri britanik Kir Starmeri sot deklaroi se Britania e Madhe, Franca dhe Ukraina kanë rënë dakord të punojnë në planin për armëpushim që do t'i prezantohet SHBA-së. Starmeri, i cili  sot është nikoqir i samit të liderëve evropianë në Londër kushtuar Ukrainës, tha se ideja për këtë plan erdhi pas një debati të ashpër midis presidentit amerikan dhe ukrainas Donald Tramp dhe Volodimir Zelenski në Zyrën Ovale.

Jerusalem - Izraeli sot njoftoi se po ndërpret qasjen në të gjitha ndihmat humanitare për popullatën palestineze në Rripin e Gazës. Vendimi është marrë nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, thuhet në një deklarate zyrtare nga zyra e tij. Në kumtesë nuk janë dhënë detaje, por paralajmëroi se do të kishte "pasoja të mëtejshme" nëse lëvizja palestineze Hamas nuk pranon planin e SHBA-së për të zgjatur armëpushimin midis Izraelit dhe Rripit të Gazës, raportuan agjencitë.

Gaza - Lëvizja palestineze Hamas e quajti "krim lufte" dhe "shantazh të lirë" vendimin e sotëm të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për ndalimin e dërgimit të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, njoftuan agjencitë botërore. Hamasi u bëri thirrje ndërmjetësuesve ta detyrojnë Izraelin t'i ndërpresë masat ndëshkuese kundër popullatës në Rripin e Gazës. Faza e parë e armëpushimit ndërmjet Hamasit dhe Izraelit hyri në fuqi më 19 janar dhe përfundoi mbrëmë.

Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që anglishtja të bëhet gjuhë zyrtare e SHBA-së. "Është në interesin e Amerikës të përcaktojë gjuhën e vetme zyrtare". Qëllimi i këtij hapi është "të promovojë unitetin dhe të formojë një kulturë të përbashkët amerikane për të gjithë qytetarët" e vendit, thuhet në tekst.

Uashington - Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, njoftoi se ka nënshkruar një deklaratë për përshpejtimin e dërgimit të ndihmës ushtarake për Izraelin në vlerë prej afër katër miliardë dollarësh. Administrata e presidentit Donald Tramp, e cila mori detyrën më 20 janar, ka miratuar gati 12 miliardë dollarë shitje ushtarake për Izraelin", tha Rubio, duke shtuar se ai "do të vazhdojë të përdorë të gjitha instrumentet në dispozicion për të përmbushur angazhimin afatgjatë të Amerikës për sigurinë e Izraelit, duke përfshirë mjetet për të kundërshtuar kërcënimet e sigurisë".

Uashington - Pentagoni do të dërgojë rreth 3.000 trupa të tjera aktivë në kufirin SHBA-Meksikë, njoftuan mbrëmë zyrtarët amerikanë. Ministri i Mbrojtjes Pit Hegset ka urdhëruar vendosjen e elementeve të Ekipit Luftarak të Brigadës Strajker dhe Batalionit të Përgjithshëm të Mbështetjes së Aviacionit për misionin, kumtoi Pentagoni.