• Monday, 03 March 2025
MIA Flesh

12:00/28 shkurt/2025

Shkup - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, do të udhëtojë për vizitë në Republikën e Turqisë, bëri të ditur pres shërbimi qeveritar. Kryeministri do të takohet me presidentin e Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ku do të nënshkruhet deklaratë e përbashkët politike për krijimin e Këshillit për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë midis Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski nuk pret që rezoluta në Kombet e Bashkuara për Ukrainën, e cila ka qenë e përgatitur nga SHBA-ja, bashkësponsor i së cilës ka qenë vendi, të sjellë pasoja për anëtarësimin tonë në BE. "Sinqerisht nuk e pres. Është fakt që aleatët ndonjëherë mund të mos bien dakord për disa çështje, por është fakt që një ditë pas kësaj rezolute, kur SHBA-ja dhe Franca ishin në anët e kundërta, presidenti Makron shkoi në Shtëpinë e Bardhë për të parë presidentin Tramp dhe tha se Franca dhe SHBA janë gjithmonë në anën e duhur të historisë. Fakti është se këto shtete anëtare, disa prej tyre, kanë mundur të votojnë kundër kësaj rezolute në Këshillin e Sigurimit, e disa prej tyre kanë mundur të vënë veton ndaj saj, por kanë vendosur që të mos e bëjnë këtë", tha Mucusnki në daljen e mbrëmshme në TV21.

Shkup - Vlerësimi i Këshillit të Bankës Popullore është se gjendja makroekonomike në vend është në pajtim me prpjeksionet e tetorit me rritje vjetore të BPV-së prej tre për qind në tremujorin e tretë të vitit të kaluar dh tregues për rritje të vazhdueshme në tremujorin e katërt. Shkalla mesatare vjetore e inflacionit ka qenë 3,5 për qind dhe është tërësisht në pajtim me projeksionet e fundit të bankës qendrore. "Megjithatë, pasiguria lidhur me dinamikën e ardhshme të inflacionit edhe më tej ekziston, ndërsa është e ndërlidhur me çmimet e produkteve primare për shkak të faktorëve gjeopolitike dhe klimatike, si dhe për shkak të faktorëve të caktuar nga karakteri vendor, të cilët mund të ndikojnë në kërkesën agregate", thonë nga Këshilli i Bankës Popullore.

Shkup - Për mbi katër herë është rritur numri i kallëzimeve penale të dorëzuara nga Drejtoria Doganore përmes Departamentit për Kontroll dhe Hetime në Prokurorinë Themelore Publike dhe në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Që nga fillimi i këtij viti deri më tani janë paraqitur gjithsej 35 kallëzime penale kundër 69 personave fizikë dhe 16 personave juridikë, përderisa vitin e kaluar të njejtën periudhë janë paraqitur tetë kallëzime penale, thotë njeriu i parë i Drejtorisë Doganore Boban Nikollovski. Ai në intervistën për lajmet qendrore të TVM-së potencoi se këtë vit për më pak se dy muaj ka 74 raste të sekuestrimeve, pas çfarë janë zbuluar shkelje dhe vepra penale. Kjo, sipas tij, paraqet rritje prej 64 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur janë paraqitur 45 kallëzime penale.

Prishtinë - Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, mbrëmë në mënyrë kategorike e ka mohuar mundësinë për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje (VV). Sipas tij, nuk ka asnjë pikë të përbashkët mes dy partive që do t’i bashkonte në një qeverisje të mundshme. Ai tha se dallimet mes dy partive janë të thella, si në qasjen politike ashtu edhe në vizionin për të ardhmen. "Nuk shkojmë në koalicion. Pikë. Nuk bëjmë koalicion me Vetëvendosjen, sepse nuk na lidh asgjë. Nuk kemi pika që do të na bindin", deklaroi Krasniqi për RTV Dugagjinin. Ai shtoi se PDK-ja nuk do të pranojë koalicion me LVV-në edhe nëse iu ofrohet posti i kryeministrit.

Lisbonë - Presidenti francez Emanuel Makroni u bëri thirrje evropianëve që të refuzojnë "vasalitetin e lumtur" ndaj SHBA-së, veçanërisht në kushte të paparashikueshmërisë së administratës së presidentit amerikan Donald Tramp, si për situatën në Ukrainë ashtu edhe për çështjen e tarifave. Gjatë vizitës së tij në Lisbonë, Makroni i bëri thirrje Evropës që të jetë "më e bashkuar dhe më e fortë se kurrë" dhe të njohë rëndësinë e rrezikut, ambicies dhe fuqisë në përballimin e sfidave, raportoi televizioni francez BFM. 

Nju Delhi - Druhet se të paktën 47 persona janë bllokuar pasi që një akullnajë u shemb në shtetin himalaj Utarakhand të Indisë, publikuan sot mediat lokale. Incidenti ka ndodhur në afërsi të autostradës në rajonin Çamoli, në më pak se pesë kilometra nga tempulli i popullarizuar hindu të Badrinatit, e cila secilin vit vizitohet nga qindra mijëra besimtarë. "Të paktën 57 punëtorë të cilët po ndërtonin një rrugë në zonën që kufizohet me Tibetin janë bllokuar. Prej tyre 10 janë shpëtuar dhe u dërguan në një kamp ushtarak tek Mana (fshat) në gjendje kritike", deklaroi oficeri i policisë Nilesh Anand Barne.