• Tuesday, 26 November 2024
MIA FLESH

09:00 / 26 nëntor / 2024

Shkup - Në Komisionin parlamentar për financim dhe buxhet sot vazhdon debati rreth amendamenteve për Propozim-buxhetin për vitin 2025. Të ardhurat e përgjithshme në Propozim- buxhetin janë planifikuar në nivel prej 358,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 400,2 miliardë. Deficiti i buxhetit është projektuar në vlerë absolute prej 41.350 milionë denarë ose në nivel prej 4 për qind të PBB-së së planifikuar. Inflacioni pritet të ulet në nivel prej 2,2 për qind, si rezultat i stabilizimit të çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe i karburanteve në tregun ndërkombëtar, ngadalësimi i inflacionit të huaj efektiv, si dhe presioni më mesatar nga inflacioni bazë. Eksporti pritet të ketë rritje prej 4,2 për qind, ndërsa importi prej 4,4 për qind si rezultat i pritjeve për stabilizim gradual të rrethinës ndërkombëtare dhe rritjes së kërkesës së jashtme. 

Shkup - Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski sot do të marrë pjesë në Konferencën globale kibernetike dhe Samitin e Aleancës Lindje-Perëndim 2024 që po mbahet në Cyrih të Zvicrës. Andonovski, siç informojnë nga ministria do të jetë një nga panelistët kryesor në ceremoninë e hapjes së Samitit ku do të mbajë fjalim me temën "Transformimi digjital dhe rruga drejt qëndrueshmërisë kibernetike". Sipas agjendës, në panelin “Si të bashkëpunohet në hapësirën kibernetike: sfidat dhe mundësitë”, ministri Andonovski do të ndajë qëndrimet e tij për këtë temë.

Shkup - Në Drejtorinë e Ndërmarrjes për Qarkullim Publik "Shkup" në Autokomandë sot do të bëhet pranim -dorëzimi i gjashtë autobusëve ekologjikë. Autobusët janë donacion për NQP-në nga Bashkimi Evropian përmes projektit "BE për ajër të pastër". "Këto autobusë paraqesin një hap të rëndësishëm në rrugën e Qytetit të Shkupit drejt uljes së emetimeve, përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe promovimit të mobilitetit të qëndrueshëm urban", kumton Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH).

Shkup - Moti sot do të jetë i kthjellët dhe i ftohtë me kushte për paraqitje të mjegullës në disa lugina. Gjatë ditës moti do të jetë me diell dhe vranësira të vogla lokale dhe me erë të lehtë, kumton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM). Temperatura minimale do të jetë në interval prej -9 deri në -1, ndërsa ajo maksimale do të arrijë prej 8 deri në 14 gradë.

Shkup - Shfrytëzuesit nga rr. "Aleksandar Turunxhiev" në komunën e Butelit sot prej orës 8 deri 12 do të jenë pa energji elektrike. Sipas njoftimit nga EVN Maqedoni SHA, nga ora 9 deri ora 12 sot rrymë nuk do të kenë edhe shfrytëzuesit  nga rr. "Pançe Peshev" nr. 1, 3, 5 dhe 7 në komunën Karposh dhe shfrytëzuesit nga fshatrat Gllumovë, Shishevë dhe Matkë në komunën e Sarajit

Shkup - Delegacioni i Komisionit për punë të jashtme, Dhoma e deputetëve nga Parlamenti i Republikës Çeke, sot do ta vizitojë Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Siç u paralajmërua, delegacioni parlamentrar çek do të pritet nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ndërsa do të realizojë takime edhe me kryetarin dhe anëtarët e Komisionit për politikë të jashtme dhe tregti të jashtme, si dhe me kryetarin dhe anëtarët e Grupit të deputetëve të Kuvendit për bashkëpunim me Parlamentin e e Republikës Çeke.

Shkup - Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut od të realizojë takim bilateral me komisarin për lidhje kulturore të Japonisë, Shuniçi Tokura, i cili po qëndron për vizitë dyditore pune në vendin tonë. Pas takimit, siç kumtoi Ministria, janë paraparë nënshkrimi i Memorandumit për bashkëpunim në sferën e kulturës, i cili është dokument i parë bilateral në këtë sferë mes dy shteteve dhe deklarata për mediume.

Athinë – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute sot është për vizitë njëditore në Greqi dhe do të ketë takime të ndara me kryeministrin grek Kirjakos Micotakis dhe me ministrat e Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme, Nikos Dendias dhe Jorgos Gerapetritis, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. Rute në Greqi vjen nga Turqia ku dje, me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan biseduan për mënyrat e dhënies fund të luftës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. 

Bruksel – Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) vendosi të mos publikojë asgjë në platformën X të Ilon Mask nga 20 janari i vitit 2025, kur Donald Trampi zyrtarisht të bëhet presidenti i 47-të i SHBA-së. Si edhe shumë media evropiane dhe organizata të gazetarëve, EFJ vlerëson se më nuk mundet në mënyrë etike të marrë pjesë në rrjetin social të cilin pronari i tij e shndërroi në makinë dezinformative dhe propaganduese, njoftuan ata. 

Bruksel - Ambasadorët e Ukrainës dhe 32-anëtaret e NATO-s sot në Bruksel do të kenë takim, pas të shtënave ruse javën e kaluar me raketë eksperimentale hipersonike me rreze të mesme veprimi. Rusia të enjten ka kryer sulm ndaj qytetit ukrainas Dnjepër, për të cilin presidenti Vlladimir Putin tha se është test i raketës së tyre të re "Oreshnik". Presidenti rus tha se sulmi me raketa është përgjigje ndaj asaj që Ukraina ka gjuajtur me armë të dërguar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe në Rusi.

Londër – Dhjetëra ushtarë të NATO-s, duke përfshirë edhe të paktën tetë ushtarë britanikë, ishin lënduar javën e kaluar në një aksident zinxhir pas pjesëmarrjes në një ushtrim të NATO-s në Estoni, njoftuan mbrëmë autoritetet lokale. Ushtarët ktheheshin në bazën e tyre në Tapë në kohë të stuhisë së borës kur furgonët e tyre morën pjesë në një aksident të madh zinxhir që kishte ndodhur pas një aksidenti të dy automobilave në autostradën Talin – Narva. 

Pekin - As SHBA-ja e as Kina nuk do të fitojnë nga një luftë eventuale tregtare, deklaroi zëdhënësi i Ambasadës kineze në Uashington, Liu Pengvei në komunikatën e sotme. Deklarata vjen pasi presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Tramp kërcënoi se do të vendosë tarifa shtesë prej 10 për qind për të gjitha mallrat kineze kur të marrë detyrën. Kina beson se bashkëpunimi ekonomik SHBA-Kinë është reciprokisht i dobishëm sipas natyrës, shton zëdhënësi.

Moskë - Rusia së shpejti do t'i heqë talebanët nga lista e terroristëve, kumtoi qeveria talebane në Afganistan duke cituar fjalët e të ftuarit të djeshëm në Kabul, Sergej Shojgu, ish ministrit të Mbrojtjes së Rusisë, tani sekretar i Këshillit të Sigurimit. Shojgu ka folur për "forcimin e marrëdhënieve politike dhe bashkëpunimin ekonomik dhe mënyrat për të rritur tregtinë dhe investimet ruse në Afganistan" me disa ministra afganë nga radhët e talebanëve, theksohet në kumtesën e  autoriteteve talebane.

Uashington – Ministria amerikane e Mbrojtjes nuk ka të dhëna që tregojnë për atë se ushtarë koreanoveriorë janë të pranishëm në territoret e okupuara ukrainase ose dërgohen aty. Këtë mbrëmë në brifing e deklaroi zëvendës zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Sing, informuan mediat ukrainase. “Nuk ka shenja se ka ushtarë koreanoveriorë në Ukrainë”, tha zëdhënësja duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve. 

Uashington - Presidenti amerikan në largim, Xhozef Bajden dhe zonja e parë, Xhill Bajden do të marrin pjesë në inaugurimin e presidentit të sapozgjedhur Donald Tramp në janar, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Endrju Bejts. "Presidenti premtoi se do të marrë pjesë në inaugurimin", tha Bejts. Ai deklaroi se Xhozef dhe Xhill Bajden do ta përmbushin premtimin dhe do të marrin pjesë në inaugurim.

Uashington – Miliarderi Ilon Mask, i cili është emëruar nga presidenti i porsazgjedhur amerikan Donald Tramp që ta udhëheq komisionin për uljen e shpenzimeve të qeverisë federale, deklaroi mbrëmë se aeroplanët luftarakë duhet të zëvendësohen me fluturake pa pilot sepse ata janë e ardhmja e përplasjeve në ajër. “Në epokën e fluturakeve pa pilot, aeroplanët luftarakë janë vjetërsuar dhe rezultati i tyre i vetëm është vdekja e pilotit”, njoftoi Mask, shef i kompanisë hapësinore SpaceX dhe industrisë automobilistike Teslla, në platformën e tij Iks. 

Uashington - Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Tramp paralajmëroi se do të vendos dogana të reja të mëdha për prodhime nga Meksika, Kanada dhe Kina sapo ta marrë funksionin, si pjesë e përpjekjeve për shkatërrimin e migrimit ilegal dhe tregtisë me drogë. Tramp në rrjetin social Truth Social ka shkruar se më 20 janar do t'i nënshkruajë të gjitha dokumentet e nevojshme për vendosjen e doganës prej 25 për qind për të gjitha prodhimet nga Meksika dhe Kanada, që importohen në SHBA dhe doganë prej 10 për qind për prodhimet nga Kina.

Madrid - Sulmuesi i Al Hilalit, Nejmar e shqyrton mundësinë që të kalojë në Real Madrid pas përfundimit të kontratës me ekipin saudit, publikuan disa mediume spanjolle. Ato njoftojnë se futbollisti 32-vjeçar ëndërron të luajë për "mbretërit" së bashku me Vinisius Zhunior dhe Kilian Mbapen, me të cilët ka raporte të mira. Nejmar iu bashkangjit Al-Hilalit në gusht të vitit 2023. Këtë sezon ka luajtur dy ndeshje. Paraprakisht Nejmari kaloi një vit duke u rikuperuar nga lëndimi i ligamenteve të kryqëzuara të gjurit.