• Thursday, 16 January 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

09:00/ 16 janar 2025

Shkup - Në Kuvend  sot mbledhje do të mbajnë Komisioni për Mundësi të Barabarta të Grave dhe Burrave dhe Komisioni Ligjvënës-Juridik. Anëtarët e Komisionit për mundësi të barabarta të grave dhe burrave do të diskutojnë rreth propozim-ndryshimeve të Ligjit për Parandalim dhe Mbrojtje nga dhuna ndaj grave dhe dhunës në familje dhe propozim-ndryshimet të Ligjit për Mundësi të Barabarta të Grave dhe Burrave, në lexim të parë. 

Shkup - Kuvendi sot do ta mbajë mbledhjen e 30-të. Në rend dite janë gjithsej 26 pika mes të cilave edhe Propozimi i plotësuar i ligjit për ndryshim të Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase, Propozimi i plotësuar i ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për të mira audiovizuale dhe Propozim-ndryshimet e Ligjit për furnizimet publike, të gjithë në lexim të dytë.

Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot do të flasë në ngjarjen përfunduese të tuining-projektit të BE-së "Mbështetja në implementimin e mbeturinave - Legjislatura për menaxhim dhe skema për përgjegjësi të zgjeruar të prodhuesit". "Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e Maqedonisë së Veriut, në partneritet me Fondacionin për mbrojtje të klimës së planetit të kaltër nga Hungaria, si partner kryesor, dhe Republikën e Austrisë, si partnere më e re, e finalizojnë implementimin e këtij tuining-projekti më 28 shkurt, pas 27 muajve të realizimit", kumtoi MMJPH.

Shkup - Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore sot organizon Ditë të Hapur me pjesëmarrjen e anëtarëve të biznesit të Odës dhe anëtarëve të Qeverisë dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore. Organizatori kumtoi se qëllimi i Ditës së hapur është përforcimi i bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat dhe publik.

Shkup - Punëtori për shërbime dixhitale dhe media "Ç'farë paraqet dhe pse është i rëndësishëm Ligji për shërbime dixhitale (Digital Services Act) i BE-së?, do të mbahet sot në Dhomën Publike në organizim të Fondacionit për internet dhe shoqëri "Metamorfozis". Punëtoria ka për qëllim të nxisë ndërgjegjësimin e organizatave të shoqërisë civile dhe mediave në Maqedoninë e Veriut për rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit të Maqedonisë me Ligjin për shërbime dixhitale të Bashkimit Evropian qëllimi i së cilës është të parandalojë aktivitetet joligjore dhe të dëmshme të internetit, si dhe përhapjen e dezinformatave, me ç'rast duke garantuar sigurinë e përdoruesve, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe krijimin e një mjedisi korrekt dhe të hapur për patformat onlajn.

 Shkup - Në qafën malore Pletvar mëngjesin e sotëm ka mjegull, e cila ka ulur dukshmërinë nga 50 në 70 metra, ndërsa në qafën Xhavatë vërehet borë e dobët që nuk qëndron në rrugë. Sipas informacioneve të Lidhjes Auto Moto të Maqedonisë, qarkullimi në rrugët shtetërore po zhvillohet nëpër rrugë të lagështa me mbetje të borës në rrugë.

 Kiev - Kryeministri britanik Kir Starmeri mbërriti sot në Ukrainë me premtimin se do të ndihmojë në garantimin e sigurisë së vendit për një shekull, vetëm disa ditë para se Donald Trampi të marrë detyrën. Qeveria britanike njoftoi se Starmeri dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski do të nënshkruajnë marrëveshje për "partneriteti njëqindvjeçar" në Kiev, e cila do të përfshijë fusha të tilla si mbrojtja, shkenca, energjia dhe tregtia.

 Paris - Presidenti francez Emanuel Makroni bëri thirrje për zgjidhje politike të konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit pas shpalljes së Katarit për marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës. Makroni e theksoi rëndësinë e garantimit të respektimit të armëpushimit, duke theksuar lehtësimin e jashtëzakonshëm për banorët e Gazës dhe shpresën për pengjet dhe familjet e tyre pas 15 muajsh të asaj që ai e përshkroi si një "sprovë të pajustifikuar", raporton DPA.

Riad - Ministria e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite përshëndeti marrëveshjen për armëpushim në Gaza të arritur ndërmjet Izraelit dhe grupit islamik Hamas, njëkohësisht duke bërë thirrje për tërheqjen e plotë të Izraelit nga territori palestinez  të shkatërruar nga lufta 15-të muajshe. "Arabia Saudite përshëndeti marrëveshjen për armëpushim në Rripin e Gazës, si dhe përpjekjet e Katarit, Egjiptit dhe SHBA-së në lidhje me këtë. Mbretëria thekson rëndësinë e respektimit të marrëveshjes dhe t'i jepet fund agresionit izraelit në Gaza dhe tërheqjes së plotë të forcave pushtuese izraelite nga Rripi i Gazës dhe nga "të gjitha territoret tjera palestineze dhe arabe", thuhet në kumtesën e Ministrisë.

Xhakarta - Autoritetet e Indonezisë filluan me evakuimin e rreth 3.000 banorëve në afërsi të vullkanit Ibu në ishullin Halmahera, pasi vullkani shpërtheu  dhe hodhi hi katër kilometra në ajër, kumtoi Agjencia për Katastrofa të vendit. Shpërthimi i vullkanit Ibu ndodhi dje në mëngjes dhe zgjati rreth dy minuta, për shkak të së cilës autoritetet e ngritës nivelin e alarmit në nivel më të lartë në zonat e rrethinës.

Otavë - Kryeministri kanadez, Xhastin Trudo deklaroi mbrëmë se "asgjë nuk përjashtohet" kur bëhet fjalë për përgjigje ndaj doganave të propozuara të presidentit të ri të zgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp, dhe se asnjë rajon i vendit nuk duhet ta bartë tërë barrën e këtij mospajtimi. Tramp kërcënoi se do të vendosë doganë prej 25 për qind për të gjitha prodhimet importuese kanadeze.

Nju-Jork - Organizatat humanitare thanë se planifikojnë t'i zgjerojnë shpejtë operacionet e veta në Rripin e Gazës pasi që të hyjë në fuqi ndërprerja e zjarrit, lajmëroi DPA. Shefi i Komitetit ndërkombëtar për shpëtim (IRC) Dejvid Miliband tha se organizata do t'i zgjerojë "vëllimin dhe ndikimin" e punës së vet në Rripin e Gazës "siç lejojnë kushtet".

Uashington - Presidenti i SHBA-së në largim Xho Bajden, në fjalimin lamtumirës mbrëmë nga zyra e tij në Shtëpinë e Bardhë paralajmëroi se në Amerikë po formohet oligarki "e rrezikshme", që është kërcënim për demokracinë dhe botën e lirë. Në fjalim, Bajdeni nënvizoi konkluzionet e karrierës së tij politike gjysmëshekullore.

Havanë - Kuba filloi të lirojë të burgosur një ditë pasi që administrata e presidentit Xho Bajden e kumtoi qëllimin e vet për ta mënjanuar shtetin ishull nga lista amerikane e shteteve të cilat e mbështesin terrorizmin, kumtuan mediumet amerikane. Sipas grupeve kubaneze për të drejta të njeriut, mbi 10 persona të dënuar për krime të ndryshme ishin liruar gjatë ditës. Disa prej tyre ishin arrestuar pas pjesëmarrjes në protestat historike në vitin 2021, përfshirë edhe artisten 24-vjeçare për tatu, Reina Jaknara Bareto Batista. Ajo u lirua nga burgu në provincën Kamaguej dhe tha se me të janë liruar edhe tetë burra.

Shkup - Në mëngjes moti është i ftohtë me paraqitje të mjegullës nëpër disa lugina. Gjatë ditë do të jetë me vranësira të ndryshueshme, në disa vende me kushte për borë. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -6 deri në 1 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga -1 deri në 7 gradë. Në Shkup, në mëngjes mot i ftohtë me paraqitje të mjegullës së dobët, gjatë ditës kryesisht me vranësira dhe qetë. Temepratura minimale do të bie deri në -3 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 4 gradë.