18:00/ 15 janar/ 2025
Shkup - Nëse AOJSHQ me të vërtetë kudjeset për pagat e të punësuarve, u bëjmë thirrje në bisedë për gjetjen e zgjidhjes. Në të kundërtën, mbetet dyshimi se AOJSHQ është organizatë sindikaliste, e cila punon për interesa partiake të dikujt dhe për grumbullimin e pikave të vogla politike në kurriz të qytetarëve, kumtoi Qeveria. Qeveria përkujton se është e hapur për arritjen e marrëveshjes me të gjitha organizatat sindikaliste përmes dialogut. Siç thotë, protestat nuk janë mënyra më e mirë e komunikimit, ndërsa çdo propozim ose sugjerim nga sindikatat diskutohet për t'u gjetur zgjidhje e pranueshme dhe në interes të qytetarëve.
Shkup- Deri te gjykata kushtetuese nuk ka arritur kërkesë për mendim lidhur me shkarkimin e anëtarëve të Këshillit gjyqësor, kumtuan nga Gjykata. Nëse ka fjalim të tillë, siç shtojnë, Gjykata do të prononcohet për të njëjtën, duke i marrë parasysh kompetencat e konfirmuara në Kushtetutë. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi muajin e kaluar deklaroi se do të konsultohen me Gjykatën kushtetuese nëse ekspertë juridikë vlerësojnë se është kudërkushtetuese dhe kundërligjore që Parlamenti t'i shkarkojë anëtarët e Këshillit gjyqësor, të cilët janë zgjedhur nga Kuvendi që juridikisht të mos gabojmë. Nuk përjashtohet mundësia të fillojë procedura për pesë anëtarë të Këshillit gjyqësor, të zgjedhur në Kuvend..
Shkup – Nga Aleanca për Shqiptarët sot në konferencë për media kërkuan institucionet kompetente t’i dënojnë personat të cilët në Karnavalin e Vevçanit e simuluan skenën nga ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 dhe përpjekjes për atentat ndaj kryetarit të Aleancës së Shqiptarëve, Ziadin Sela në Kuvend. Isen Shabani, nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët të Selës theksoi se dje ishim dëshmitarë të xhirimeve serioze dhe shqetësuese nga Karnavali i Vevçanit ku në formën më të rëndë, morbide dhe skandaloze u tallën me ngjarjet e 27 prillit dhe përpjekjen për atentat ndaj kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Shkup - Krahu i Ziadin Selës i Aleancës për Shqiptarët sot pasdite përmes një kumtese theksoi se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi duhet ta shfuqizojë konkluzionin pas interpelancës për deputeten dhe kryetaren e Komisionit kuvendor për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti. "Afrim Gashi dhe ata që kanë hyrë në këtë lojë, e dijnë kushtin tonë që e kumtoi edhe vetë deputetja Ilire Dauti. Ata fillimisht duhet të shfuqizojnë konkluzionin e padrejtë dhe me po ato vota të rizgjedhin zonjën Dauti kryetare, që ajo e lirë, pa cenzurë e pa diktat të mundet të veprojë ashtu siç e meriton çdo njeri të ketë të garantuar kushtet gjatë kryerjes së punës së vetë", bëhet e ditur në kumtesën e ASH-së. Theksojnë se Aleanca për Shqiptarët dhe Fronti Europian i qëndrojnë pas deklaratës së zonjës Dauti.
Shkup - Një profil i rremë i kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, është krijuar në rrjetin social “Fejsbuk”, njoftojnë nga partia, duke paralajmëruar qytetarët që të mos bien pre e postimeve. Nga LSDM-ja theksojnë se janë keqpërdorur emri, të dhënat dhe fotografitë e Filipçes. "Nga i njëjti profil i rremë përhapen përmbajtje të papërshtatshme dhe të rreme, thirje për libreza anëtarësimi, thirje për sigurim të shpikur shëndetësor, ndërsa qytetarët drejtohen në mesazhe private. U bëjmë thirrje qytetarëve dhe anëtarëve që të mos bien pre e postimeve dhe të mos ndajnë asnjë të dhënë persona, që mund t'ju keqpërdoren nga mashtruesit që e kanë krijuar", theksojnë nga partia.
Sofje - Qeveria bullgare i dërgoi Republikës së Maqedonisë së Veriut projekt-marrëveshje për përgatitje, ndërtim dhe punë në tunelin hekurudhor tejkufitar, që i lidh dy vendet, kumtoi Ministria bullgare e Transportit dhe Lidhjeve. Propozimi i shtetit bullgar është që të dy qeveritë të ndërmarrin obligime konkrete dhe të qarta për realizimin e tunelit hekurudhor kufitar. Ky është elementi kyç i ndërtimit të Korridorit transportues evropian 8, i cili e lidh Detin e Zi me Detin Adriatik dhe kalon në territoret e Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. "Me nënshkrimin e marrëvehsjes, do të dakordohen çështjet teknike, financare, juridike dhe organizative lidhur me ndërtimin e tunelit. Ato duhet të jenë në pajtim me legjislaturën evropiane dhe kombëtare të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut", thuhet në kumtesë.
Prishtinë - Prokuroria themelore në Prishtinë kumtoi se nuk ka urdhëruar bastisje në hapësirat e 10 institucioneve serbe që sot ishin të mbyllura në Kosovë. Në kumtesën theksohet se nuk ka kërkesë zyrtare me shkrim për bastisje dhe se nuk janë siguruar prova se po kryhet vepër penale që është nën kompetencë të Prokurorisë themelore në Prishtinë. "Duke pasur parasysh faktin se në këtë rast nuk janë respektuar procedurat e nevojshme të përcaktuara qartë me Ligjin për procedurë penale në Kosovë, prokurori publik nuk ishte në mundësi të lëshojë ndonjë autorizim për rastin konkret", thuhet në kumtesë.
Prishtinë - Ambasada e SHBA-së në Prishtinë njoftoi se veprimet e sotme të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në disa komuna të Kosovës, ndikojnë drejtpërdrejtë dhe negativisht tek qytetarët etnikë serbë të Kosovës dhe të komuniteteve tjera dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euro-atlantik. Në një përgjigje për Gazetën Ekspres nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, thuhet se veprimet e sotme janë bërë kundër këshillave amerikane dhe si të tilla e dobësojnë besimin dhe kufizojnë mundësitë e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën për një të ardhme më të mirë.
Sofje – Rosen Zheljazkov, kandidati për kryeministër bullgar i grupit më të madh parlamentar, sot pranoi të formojë qeveri, pas zgjedhjeve të parakohshme në tetor. Zheljazkov për mandatar është propozuar nga GERB-SDS. Ai para presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, e prezantoi përbërjen e kabinetit të tij. Radevi që sot do ta dorëzojë në Parlament për deklarim të Dekretit për zgjedhjen e Zheljazkovit për kryeministër. “Qëllimi i konsultimeve tona ishte që të arrihet konsensus më i gjerë. Bëmë përpjekje të mëdha, ndonjëherë duke punuar deri në orët e vona, që t’i arrijmë kompromiset e nevojshme, marrëveshje e cila është absolutisht e nevojshme”, theksoi Zheljazkov.
Tiranë– Në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dabi, u nënshkrua marrëveshja e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri, ndërmjet, Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Republikës së Italisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe. Marrëveshja, e cila për palën shqiptare u nënshkrua nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bashkon vendet në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme. Marrëveshja u nënshkrua edhe nga Sultan Al Xhaber, ministër i Industrisë dhe Teknologjisë së Avancuar të EBA dhe kryetar i Masdar si dhe Gilberto Piçeto Fratin, ministër italian i Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike, informon ATSH. Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, kryeministrja e Italisë Xhorxha Meloni, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe sheiku Mohamed bin Zajed, si dhe përfqësues të qeverive të vendeve përkatëse.
Bruksel - Veprimet e paradokohshme të Kosovës për mbylljen e strukturave paralele në veri të vendit, të përkrahur nga Serbia, në mes të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj BE-së në kuadër të procesit të normalizimit, kumtoi Bashkimi Evropian. "EULEKS-i po monitoron kryerjen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij", thotë në kumtesë zëdhënësja e punëve të jashtme dhe politikë të sigurisë, Anita Hiper. BE-ja ka nënvizuar se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia duhet të zgjidhet përmes dialogut.
Davos - Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror (FEB) në Davos do të mbahet nga 20 deri më 24 janar nën slloganin "Bashkëpunimi për epokën intelegjente", ndërsa forumi i publikoi programin dhe tërësitë kryesore tematike. Siç u publikua në ueb faqen e FEB-së, mes liderëve politikë të cilët marrin pjesë, janë presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Tramp, i cili do të marrë pjesë përmes video lidhjes, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe kancelari gjerman, Olaf Sholc. "Takimi vjetor në vitin 2025 i konvokon liderët globalë që të ballafaqohen me sfidat kyçe globale dhe rajonale. Kjo përfshin marrëveshje të goditjeve gjeopolitike, stimulimin e rritjes për përmirësimin e standardit të jetesës dhe menaxhimin me tranzicion të drejtë dhe inkluziv energjetik", thuhet në ueb faqen e Forumit ekonomik botëror.
Berlin – Kthimi i Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë në përgjithësi konsiderohet si punë e mirë në botë, por jo edhe në vendet perëndimore, aleatët e SHBA-së, tregon hulumtimi i Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR). Nga India deri në Kinë, nëpërmjet Turqisë dhe Brazilit, shumica e njerëzve besojnë se kthimi i Trampit, i cili e merr funksionin të hënën, do të jetë pozitiv për paqen botërore, për vendet e tyre dhe për shumicën e qytetarëve amerikanë. Ky trend është veçanërisht i shprehur në Indi, ku ashtu mendojnë 82 për qind e të anketuarve. Diskursi i Trampit i drejtuar drejt paqes në lidhje me Ukrainën dhe Lindjen e Mesme jehoi në mbarë botën, sipas autorëve të studimit, të zbatuar bashkë me universitetin britanik në Oksford.
Kiev- Rada Supreme e Ukrainës ka miratuar ligjin për aprovimin e dekretit të presidentit të shtetit për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme në Ukrainë. “Rada Supreme ka zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme për 90 ditë, nga 8 shkurti deri më 9 maj”, bëri të ditur deputeti ukrainas Aleksej Gonçarenko në kanalin e tij Telegram. Ai tha se ligji është miratuar me 315 vota. Deputeti nga fraksioni parlamentar Golos, Jaroslav Zheleznjak tha se kjo do të jetë hera e 14-të që Rada Supreme voton për gjendje të jashtëzakonshme.
Uashington – Presidenti amerikan Xho Bajden i falënderoi amerikanët për “mbështetjen dhe dashurinë” e tyre gjatë mandatit të tij, në një deklaratë emocionuese para fjalimit të tij zyrtar lamtumirës para kombit. “I dhashë zemrën dhe shpirtin tim kombit tonë. Edhe unë isha i bekuar miliona herë në këmbim të dashurisë dhe mbështetjes së popullit amerikan”, tha Bajdeni në letrën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë. Bajdeni (82) të hënën do t’ia dorëzojë autorizimet presidentit të porsazgjedhur amerikan Donald Tramp, i cili fitoi në zgjedhjet presidenciale në nëntor të vitit të kaluar. Bajdeni, veteran demokrat, jo vetëm që u largua nga Shtëpia e Bardhë pas katër vjetëve në krye të demokracisë më të fuqishme në botë, por edhe e përfundoi karrierën e tij politike.
Ramallah - Autoriteti palestinez duhet të jetë autoriteti i vetëm në Rripin e Gazës pas luftës, deklaroi sot kryeministri palestinez Mohamed Mustafa, në kushte të pritjeve në rritje se do të arrihet një marrëveshje për t'i dhënë fund luftimeve. Një nga çështjet e mbetura të pazgjidhura gjatë negociatave është se kush do ta qeverisë Gazën pas luftës. Diskutimet janë fokusuar në një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive dhe shkëmbimin e pengjeve që ende mbahen në enklavën palestineze në burgjet izraelite. Duke folur në një konferencë për shtyp në Norvegji, Mustafa tha se presioni për një marrëveshje armëpushimi në Gazë duhet të vazhdojë, si dhe të lejohet ndihma shtesë humanitare për mbi dy milionë njerëz.
Kabul - Më shumë se 500.000 fëmijë në Afganistan këtë vit janë të ekspozuar në rrezik nga kequshqyerja, paralajmëruan sot Kombet e Bashkuara (KB). KB thekson kushtet ekstreme klimatike që kanë "kufizuar aftësinë e njerëzve për të ushqyer familjet e tyre" si një nga arsyet për këtë situatë alarmante. Sipas raportit të fundit të Zyrës së KB-së për koordinimin e çështjeve humanitare (OSNA), pothuajse gjysma e popullsisë afgane, rreth 22,9 milionë njerëz, do të kenë nevojë për ndihmë humanitare këtë vit për të përmbushur nevojat kronike dhe akute.