• Wednesday, 18 March 2026

Intervistë e MIA-s me Julijana Kening, prokurore kroate me prejardhje maqedonase: Në rastin gjyqësor me Artan Grubin, kolegët maqedonas më zhgënjyen

Intervistë e MIA-s me Julijana Kening, prokurore kroate me prejardhje maqedonase: Në rastin gjyqësor me Artan Grubin, kolegët maqedonas më zhgënjyen

Shkup, 17 mars 2026 (MIA)

Nuk pajtohem me kolegët që propozuan arrest shtëpiak për Grubin, sepse konsideroj se nuk është i mjaftueshëm për të siguruar zhvillim të papenguar të procedurës penale, ndërsa për propozim të paraburgimit mbi bazë tjetër ligjore ende nuk është vonë, thotë në intervistën për MIA prokurorja nga Kroacia, Julijana Kening, e cila ka 32 vjet përvojë. Ajo ka disa këshilla kyçe edhe për prokurorin e ri shtetëror Nenad Saveski se si të fillojë t’i zgjidhë gjendjet në Prokurorinë Publike, ndërsa konsideron se ndoshta besimi i ulët i qytetarëve maqedonas në drejtësi lidhet edhe me perceptimin e keq.

Julijana Kening është maqedonase që jeton dhe punon në Kroaci. Drejtësinël e ka studiuar në Shkup, por karrierën profesionale e ka ndërtuar në Kroaci, ku tashmë 32 vjet punon si prokurore. Për momentin është zëvendëse e prokurorit publik në Prokurorinë Themelore Publike në Novi Zagreb. Në përvojën e saj disa dekadëshe ka punuar në lëndë të ndryshme nga fusha penale, ndërsa si zëvendës-prokurore apo prokurore e PP-së ka përvojë edhe në aspektin menaxherial.

Në vështrimin e saj objektiv për gjendjen e sistemit gjyqësor në vendin tonë, para së gjithash për Prokurorinë Publike, Kening thotë se prokurori i ri duhet menjëherë të jetë më aktiv me urdhra dhe detyra dhe të kërkojë rezultate: të emërojë prokurorë të rinj, ndërsa nga ata ekzistues të kërkojë raport për lëndët më të vjetra se gjashtë muaj. Prokurorja kroate, e cila është shumë e njoftuar me gjendjet në drejtësinë tonë, thotë se është e zhgënjyer nga propozimi i kolegëve maqedonas që i dyshuari për krim milionësh, Artan Grubi, pas kthimit nga arratisja, të përfundojë vetëm në arrest shtëpiak, edhe pse rreziku që të arrariset sërish apo të ndikojë mbi dëshmitarë ende ekziston. Për më shumë, ajo komenton se edhe gjykata në këtë rast nuk ka qenë e detyruar të udhëhiqet vetëm nga propozimi i prokurorit, por ka mundur edhe vetë, pa propozim, të caktojë masë paraburgimi sipas kësaj baze ligjore.

Të mërkurën në Kuvendin tonë do të zgjidhet prokuror i ri shtetëror – gjykatësi penal Nenad Saveski kalon në Prokurorinë Shtetërore. Nëse do të kishit mundësi ta këshillonit, cilat do të ishin gjërat parësore që ai do të duhej t’i bëjë?

Fakti që një gjykatës, i cili më parë ka qenë prokuror, do të bëhet prokuror publik shtetëror është pozitiv. Përvoja e tij si gjykatës sigurisht e pasuron tërësinë e kuptimit të mënyrës së funksionimit të Prokurorisë, e cila në fakt është palë në procedurat penale para gjykatës. Edhe në Kroaci kryeprokurori është ish-gjykatës shumëvjeçar dhe mendoj se përvoja e këtillë është e çmuar.

Çfarë do ta këshilloja? Së pari, duhet të ndërmarrë hapa për përforcimin kadrovik të Prokurorisë, përkatësisht emërimin e prokurorëve të rinj për të arritur një sistematizim optimal, i cili është domosdoshmërisht i nevojshëm për funksionim të papenguar të Prokurorisë.

T’i urdhërojë Prokurorët aktualë që të dorëzojnë raporte për të gjitha lëndët më të vjetra se gjashtë muaj, me shpjegim se kur mund të pritet zgjidhja e tyre, të kërkojë zgjidhje urgjente të lëndëve më të vjetra dhe atyre me rëndësi të madhe, në kuptim të dëmeve të mëdha materiale dhe humbjeve njerëzore. Çdo muaj të dorëzojnë raport se sa prej këtyre lëndëve janë zgjidhur, ndërsa për ato që nuk janë zgjidhur, të japin arsyetim se pse nuk janë zgjidhur. Duhet menjëherë të jetë më aktiv me urdhra dhe detyra dhe të kërkojë rezultate.

Ndryshimi në ligjin e ri, me të cilin nuk lejohet rizgjedhja, përkatësisht zgjedhja e re është e mundur vetëm pas pesë vitesh nga përfundimi i mandatit të parë, mendoj se nuk është i mirë, sepse prokurorit të ri i duhet kohë për ta kuptuar gjendjen, për të ndërmarrë masa për përmirësim dhe nëse arrin rezultate në mandatin e parë, duhet t’i jepet mundësia të vazhdojë. Nga përvoja ime personale, dy mandate janë të nevojshme dhe të mjaftueshme. Tre janë shumë tepër!

Me besim prej dy për qind te qytetarët, Prokuroria maqedonase është në fundrenditje në Evropë. Pse?

Mendoj se ky perceptim i opinionit publik, fatkeqësisht, është i gabuar, sepse çdo ditë opinioni publik bombardohet me lajme për kallëzime penale, arrestime të personave, për të cilët ka dyshime bazë për kryerje të ndonjë vepre penale apo për hetime të hapura. Për fat të keq, shumë rrallë raportohet për procedura të përfunduara me vendim të formës së prerë, ndoshta sepse zgjasin relativisht shumë dhe humbin interesin ditor. Opinion publik pret “gjyq të shpejtë ushtarak”, gjgj. gjykim me procedurë penale të pashkruar me ligj. Populli kërkon rezultate imediate, mirëpo kjo është e pamundur, për shkak se nga koha e lajmërimit për veprën e dhënë penale dhe vërtetimit të dyshimit bazik, Prokuroria fillon t’i analizojë provat, sipas nevojës të kerkojë të reja, të merr në pyetje deshmitarë, të kerkojë të dhëna të nevojshme nga institucionet kompetente etj. Që të parashtrojë kallëzim penal, të cilin gjykata duhet ta vërtetojë dhe për këtë duhet kohë, veçanërisht në rastet më të ndërlikuara, të cilat zgjasin edhe nga 4-5 vjet derisa të arrihet tek gjykimi ligjor.

Por perceptimi ndoshta nuk është i gabuar nëse për një politikan që ka ikur për krim milionësh propozohet arrest shtëpiak, ndërsa për një qytetar të zakonshëm që ka vjedhur qebapë – paraburgim...

Sa i përket rastit me Artan Grubin, jam e zhgënjyer. Jam e zhgënjyer sepse për Grubin u soll vendim vetëm me bazën ligjore: të parandalohet rreziku nga arratisja e tij, për mua, në mënyrë joadekuate. Me caktimin e masës paraburgim shtëpiak, nuk mundet me siguri të parandalohet arratisja e sërishme e tij, me qëllim që t’i shmanget vijimit të procedurës penale ndaj tij. Ai, para së gjithash u largua nga vendi me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale dhe sipas mendimit tim, u kthye në momentin kur u vlerësua se është i përshtatshëm për të dhe u soll vendimi më i volitshëm për të.

Si prokurore pyes: çfarë ndodh me bazat e tjera ligjore për paraburgim? Në rastin konkret ekzistojnë plotësisht kushtet për paraburgim edhe për shkak të rrezikut të ndikimit mbi dëshmitarë dhe shkatërrimit të provave. Nga arresti shtëpiak mund të ndikojë tek dëshmitarët potencial me të cilët mund të komunikojë, të japë udhëzime, mund ta vizitojnë në shtëpi,mund të bie në kontakt telefonik me ato si dhe tu jep udhëzime se si të fshehin apo shkatërrojnë ndonjë provë. Nga burgu në Shutkë, sipas rregullave, kjo nuk është e mundur. Nuk pajtohem me kolegët që propozuan arrest shtëpiak, sepse mendoj se nuk është i mjaftueshëm për të siguruar vijim të papenguar të procedurës penale. Ende ka kohë të propozohet paraburgim dhe duhet të propozohet.

Edhe gjykata nuk është e detyruar të ndjekë vetëm propozimin e prokurorit – mund të caktojë paraburgim edhe vetë.

Problem tjetër me prokurorët janë lëndët që “qëndrojnë në sirtar”...

Nga përvoja ime, mendoj se nuk ka aq shumë sirtarë sa ka lëndë. Thjesht, ka shumë lënd, por pak prokurorë. Mendoj se problemi kryesor dhe i vetëm është mungesa e prokurorëve.

Kemi bërë edhe këto krahasime. Prokurorët maqedonas kanë po aq lëndë sa edhe prokurorët kroatë apo edhe prokurorët e tjerë evropianë, për të cilët publiku i tyre ka më shumë besim, me përjashtim të Gjermanisë, ku ndoshta një prokuror arrin të trajtojë një numër shumë të madh çështjesh, shumë mbi mesataren evropiane...

Por, në Gjermani prokurorët kanë edhe shumë asistentë dhe hetues. Mendoj se ajo që e pengon më shumë Prokurorinë është mungesa e çdo lloj përzgjedhjeje të lëndëve të parëndësishme, të cilat janë në numër të madh, ndërsa prokurori është i detyruar t’i zgjidhë. Ka shumë “skribo-manë”, të cilët me teknologjinë e sotme, nga komoditeti i karriges së tyre, bëjnë kallëzime për gjithçka dhe për asgjë, dhe për shkak të tyre humbet kohë e panevojshme.

Në këtë drejtim, do të ishte mirë që prokurori të ketë më shumë bashkëpunëtorë, të cilëve mund t’u delegohen detyra, ndërsa ai të merret me marrjen e vendimeve meritore.

Tek ne vjetërohen lëndë në të cilat pasuria e shtetit është dëmtuar me miliona euro...

Nuk duhej të ndodhte që me ndryshimet e Kodit Penal në vitin 2023 dhe me uljen e afateve të parashkrimit të përjashtohen nga përgjegjësia penale autorë të dukshëm të veprave penale. Me uljen e këtyre afateve, pushteti ligjvënës e liroi vetveten nga ndjekja penale!

Në Kroaci, përkundrazi, me trefishimin e afateve të parashkrimit, sidomos për veprat më të rënda penale, nuk mund të ndodhë që të mos veprohet për shkak të kalimit të kohës. As teorikisht nuk ka gjasë të ndodhë parashkrimi në zgjidhjen e çështjeve. Më parë, edhe ne kur kishim afate më të shkurtra, thoshim: koha punon, por tani në Kroaci koha nuk punon për të akuzuarit.

Si të vlerësojmë sa punon mirë një prokuror – sipas numrit të çështjeve të zgjidhura, provave cilësore, apo vendimeve gjyqësore?

Në rend të parë është numri i çështjeve të zgjidhura, por ai nuk mund të jetë parametri i vetëm dhe kryesor. Nuk mund të jetë dikush që ka zgjidhur 25 çështje të thjeshta më i mirë se ai që ka zgjidhur tre çështje të ndërlikuara dhe të vështira. Numri nuk do të thotë gjithmonë cilësi. Pra, së pari numri, por kompleksiteti i çështjes është në vend të dytë.

Së treti është sjellja dhe aktiviteti i prokurorit gjatë gjykimit – sa është i njohur me lëndën, sa interes ka dhe sa e ndjek zhvillimin e gjendjes faktike, nevojën eventuale për të ndryshuar kualifikimin juridik të veprës penale, sa është aktiv gjatë gjykimit. Pastaj vjen suksesi në procedurën e ankesës, sa arrin prokurori me ankesën e tij. Dhe në fund, numri i vendimeve të formës së prerë.

Në fund, kush dhe si duhet ta kontrollojë drejtësinë?

Republika e Kroacisë, para se të bëhej anëtare e Bashkimit Evropian, duhej të ndërmerrte shumë aktivitete dhe të përmbushte shumë pika nga kapitujt që, ndër të tjera, kishin të bënin me drejtësinë. Ky monitorim zyrtar dhe kjo nevojë për harmonizim me normat evropiane i mungon shumë Maqedonisë, sepse disi kur nuk kemi kontroll dhe nuk kemi dikë mbi ne, krijohen kushte për moszbatim të drejtësisë dhe fitohen rezultate si këto që i kemi.

Me anëtarësimin në BE dhe me formimin e Prokurorisë Evropiane, në Kroaci filluan dhe u përfunduan shumë çështje të rëndësishme.

Foto: MIA

Arkiv privat