Këshilli lokal për parandalim i Komunës së Dibrës miratoi konkluzione me qëllim parandalimin e zjarreve në ambiente të hapura
- Këshilli lokal për parandalim i Komunës së Dibrës mbajti seancën e tij të rregullt, në të cilën u diskutuan masat parandaluese për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit të pranverës në territorin e Komunës së Dibrës.
- Post By Melahat Baftija
- 17:27, 17 March, 2026
Dibër, 17 mars 2026 (MIA) - Këshilli lokal për parandalim i Komunës së Dibrës ka mbajtur sot seancë të rregullt, në të cilën u diskutuan masat parandaluese për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit të pranverës në territorin e Komunës së Dibrës.
Në takim u bë vlerësimi i zonave me rrezik të lartë për shfaqjen e zjarreve, dhe u ra dakord të organizohen patrullime dhe inspektime parandaluese në zonat e rrezikut, si dhe koordinim me shërbimet lokale të emergjencës dhe qytetarët për të rritur ndërgjegjësimin publik dhe reagimin e shpejtë në rast të zjarreve.
Në takimin, të cilin e kryesoi kryetari i komunës Fisnik Mela dhe në të cilin morën pjesë përfaqësues të të gjitha strukturave kompetente, përfshirë policinë, DMSH, QMK, NJTZ u arritën edhe përfundime.
"Të organizohen patrullime të rregullta, të paktën një herë në javë, nga përfaqësues të të gjitha institucioneve, me qëllim inspektimin e terrenit dhe edukimin e popullsisë për trajtimin e kujdesshëm të zjarrit. Çdo rast zjarri në terren duhet të raportohet menjëherë në degën "Stogovë" të NP "Pyjet e Maqedonisë", e cila do të bashkëpunojë me Njësinë e Zjarrfikësve për shuarjen e tij. Përgatitja e një plani për angazhimin dhe trajnimin e vullnetarëve nga shoqata të ndryshme, të cilët do të ndihmojnë Njësinë Territoriale të Zjarrfikësve sipas nevojës, janë pjesë e konkluzioneve.
U theksua veçanërisht që të shqyrtohet mundësia e blerjes së një droni, i cili do të jetë në shërbim të NJTZ për zbulimin dhe regjistrimin më të shpejtë të zjarreve në territorin e komunës.
Këshilli lokal për parandalim e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis të gjitha institucioneve dhe qytetarëve me qëllim parandalimin e shfaqjes së zjarreve dhe sigurimin e një sezoni të sigurt për të gjithë.

Takimi i radhës është planifikuar të mbahet pas një muaji, me qëllim vlerësimin e zbatimit të vendimeve të marra në këtë seancë, e cila përfshinte edhe një apel drejtuar qytetarëve.
"Komuna e Dibrës u bën apel të gjithë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm dhe të shmangin ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura, fusha ose zona pyjore. Veprime të tilla përbëjnë një rrezik serioz për mjedisin dhe sigurinë publike. Shkelësit do t'i nënshtrohen sanksioneve dhe gjobave në përputhje me rregulloret ligjore në fuqi", thuhet në apel. mb/
Foto: MIA