Vens ka paralajmëruar Zelenskin që të mos e kritikojë Trampin
- Zëvendëspresidenti amerikan Xhej Di Vens i përforcoi kritikat e tij ndaj Ukrainës dhe e paralajmëroi presidentin Vollodimir Zelenski që të mos kritikojë presidentin e SHBA-së, Donald Tramp.
- Post By Fami Bajrami
- 08:32, 20 February, 2025

Uashington, 20 shkurt 2025 (MIA) - Zëvendëspresidenti amerikan Xhej Di Vens i përforcoi kritikat e tij ndaj Ukrainës dhe e paralajmëroi presidentin Vollodimir Zelenski që të mos kritikojë presidentin e SHBA-së, Donald Tramp.
"Ideja se Zelenski do të ndryshojë mendimin e presidentit, duke shpifur në mediat publike…kushdo që e njeh presidentin do t'ju thotë se kjo është mënyrë shumë e keqe për t'u marrë me këtë administratë", deklaroi Vens në intervistë për gazetën britanike "Dejli mejl".
Ai theksoi se Zelenski ka marrë "këshilla të këqija" për atë se si të ballafaqohet me administratën e re.
"Shihet qartë se e duam popullin ukrainas. E admirojmë trimërinë e ushtarëve, por shihet qartë se mendojmë se kjo luftë duhet të përfundojë shpejtë", tha Vens.
Ai mohon se politika e Trampit ka qenë nën ndikimin e dezinformatave ruse.
"Mendoj se Donald Trampi di shumë për gjeopolitikën dhe ka një pozicion shumë të fortë, që e ka për një kohë shumë të gjatë, potencoi Vens.
Tramp paradokohe bëri thirrje për zgjedhje në Ukrainë për shkak të pohimeve se rejtingu i Zelenskit ka rënë në katër për qind. Zelenski hodhi poshtë pretendimet e Trampit, duke i quajtur rezultatet e anketave pjesë të dezinformimit rus. Tramp, gjithashtu, pohon se shpenzimet totale ushtarake gjatë luftës kanë arritur në 320 miliardë dollarë, ndërsa 200 miliardë dollarë vijnë nga partnerët ndërkombëtarë (SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian). Sipas Zelenskit, SHBA-ja ndau 67 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe 31,5 miliardë dollarë tjerë në mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s