• Friday, 21 February 2025

Starmer javën e ardhshme do t'ia prezantojë Trampit planin evropian për Ukrainën

Starmer javën e ardhshme do t'ia prezantojë Trampit planin evropian për Ukrainën

Londër, 20 shkurt 2025 (MIA) - Kryeministri britanik Kir Starmer javën e ardhshme në Uashington do t'ia prezantojë presidentit amerikan Donald Tramp propozim-planin për sistemimin e rreth 30.000 ushtarëve evropianë në Ukrainë për mbikëqyrje të marrëveshjes eventuale për armëpushim, për të cilën Moska mund të pajtohet, njoftoi Telegrafi britanik.

Sipas burimeve perëndimore, të informuara me iniciativën, Starmer do t'i kërkojë Trampit që aeroplanë luftarakë dhe raketa amerikane të jenë në gjendje gatishmërie në Evropën Lindore, në mënyrë që ato të mund të reagojnë në rast të një shkeljeje të marrëveshjes nga ana e Rusisë.

Strategjia anglo-franceze për të ashtuquajturat "forca të sigurisë" u prezantua në takimin urgjent të liderëve të lartë evropianë në Paris këtë javë, si përgjigje të paralajmërimit të Tramp për hapje të bisedimeve paqesore me Vlladimir Putinin.

Plani u krijua për shkak të druarjes se Tramp, menjëherë pas arritjes së marrëveshjes, mund të distancohet tërësisht nga Ukraina. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset tha se tërë përgjegjësia për misionin paqeruajtës në Ukrainë do të bie mbi Evropën dhe Kanadanë.

Plan për forca paqesore evropiane

Sipas planit të propozuar, rreth 30.000 ushtarë evropianë do të sistemoheshin në qytetet ukrainase, portet dhe infrastrukturën kritike, duke përfshirë edhe elektranat bërthamore, jo larg fronteve ekzistuese. Në vend të kontigjentit më të madh tokësor, misioni do të mbështetej "në mbikëqyrje teknike", duke përfshirë aeroplanë zbulues dhe mbikëqyrës, dronë dhe satelitë për ndjekjen e plotë të situatës, deklaroi një funksionar perëndimor.

Operacioni do të përkrahej me mjaftë fuqi zjarri për "mbikëqyrjen dhe neutralizimin e kërcënimeve", me qëllim të hapjes së sërishme të hapësirës ajrore ukrainase për fluturime komerciale. Anijet patrulluese do të dërgoheshin në Detin e Zi për mbikëqyrje të kërcënimeve eventuale ruse ndaj rutave tregtare detare.

Plani është mjaftë më i vogël se kërkesa e presidentit ukrainas Vollodimir Zelenski, i cili kërkoi 200.000 ushtarë si kusht për nënshkrimin e marrëveshjes paqesore. por, duke marrë parasysh kundërshtimin e Gjermanisë, Spanjës dhe Italisë për dërgimin e trupave tokësorë, mundësitë e Evropës për sigurimin afatgjatë të Ukrainës janë kufizuar.

Roli i SHBA-së dhe reagimet e NATO-s

Pas takimit në Paris, Starmer deklaroi se për një operacion të tillë do të ishte i nevojshëm "mekanizëm mbrojtës amerikan" për të penguar Rusinë nga sulme të sërishme.

Ky mekanizëm mund të përfshijë aeroplanë luftarakë të SHBA-së, të sistemuar në Rumani dhe Poloni, si dhe forca më të mëdha tokësore shumëkombëshe, të stacionuara përgjatë kufijve lindorë të NATO-s, të gatshme për t'u përgjigjur nëse nevojitet.

Strategjia është në përputhje me politikën e gjatë të NATO-s për të mos u përfshirë në konflikt të drejtpërdrejtë me forcat ruse në mbështetje të Ukrainës. Pritet që Tramp të mund ta pranojë këtë plan, pasi nuk përfshin dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë pas përfundimit të luftimeve.

Një diplomat evropian për "Telegraf" tha se NATO-ja do të duhet të rishqyrtojë detyrimin e saj të mbrojtjes kolektive sipas Nenit 5, veçanërisht nëse Rusia vendos të sulmojë trupat evropiane të stacionuara në Ukrainë.

Trampi dhe Zelenski në përleshje të ashpër

Ndërkohë, tensionet mes Trampit dhe Zelenksit po thellohen. Presiedenti amerikan paradokohe e akuzoi Ukrainën se është fajtore për pushtimin rus dhe deklaroi se në vend janë të domosdoshme zgjedhje të reja, pasi, sipas tij, Zelenski ka rejting mjaftë të vogël te ukrainasit.

"Për fat të keq, presidenti Tramp, me tërë respektin ndaj tij si lider i vendit që e çmojmë...jeton në fluskë dezinformative", iu përgjigj Zelenski.

Trampi pastaj e ka quajtur Zelenskin "diktator" dhe e porositi "të shpejtojë, pasi mund të mbetet pa shtetin e tij". bsh/

Foto: Arkiv