Qeveria italiane me vendim të ri për transferimin e emigrantëve në Shqipëri
- Qeveria italiane ka miratuar një dekret të ri që lejon transferimin e emigrantëve të parregullt nga qendrat e ndalimit në Itali drejt qendrave të pritjes në Shqipëri.
- Post By Sara Ademi
- 11:19, 29 March, 2025

Tiranë, 29 mars 2025 (MIA) - Qeveria italiane ka miratuar një dekret të ri që lejon transferimin e emigrantëve të parregullt nga qendrat e ndalimit në Itali drejt qendrave të pritjes në Shqipëri.
"Sipas mediave italiane ky vendim mbështetet në një boshllëk ligjor si në legjislacionin italian, ashtu edhe në rregulloret europiane mbi emigracionin dhe që mund të lejojë përdorimin e qendrave të emigrantëve në Shqipëri, të cilat kanë mbetur bosh", publikuan mediat shqiptare.
Sipas dekretit të miratuar, emigrantët e parregullt që aktualisht ndodhen në qendrat e ndalimit në Itali mund të transferohen në qendrat në Shqipëri, ku do të qëndrojnë deri në 18 muaj, në pritje që vendet e tyre të origjinës t’i pranojnë dhe të lejojnë kthimin e tyre.
Megjithatë, procedura parashikon që dëbimi përfundimtar të ndodhë nga territori italian, që do të thotë se pas qëndrimit në Shqipëri, emigrantët do të kthehen përsëri në Itali për t’u riatdhesuar në vendet e tyre të origjinës. Në Itali, kjo skemë ka ngritur shqetësime mbi rritjen e kostove të administrimit, pasi çdo emigrant i ndaluar duhet të shoqërohet nga dy oficerë policie gjatë transferimeve midis dy vendeve.
Shqipëria dhe Italia nënshkruan një marrëveshje për pranimin e emigrantëve më 6 nëntor të vitit 2023 dhe u njoftua se ajo do të hynte në funksion në maj të vitit të kaluar. Pas disa vonesash, grupi i parë prej 16 emigrantësh mbërriti në shtator, por u kthyen pas një vendimi të gjykatës italiane. Kështu ka ndodhur edhe në dy raste të tjera, pra janë bosh.
Qendrat e ndërtuara në qarkun e Lezhës, konkretisht në qytetin port Shëngjin, ku do të pranohen dhe ajo në Gjadër, ku do të strehohen, menaxhohen nga autoritetet italiane.
Marrëveshja e nënshkruar midis dy vendeve parashikon që në qendrën e pranimit në Gjadër të akomodohen 3.000 emigrantë në muaj ose 36.000 në vit, statusi i të cilëve duhet të zgjidhet brenda një muaji. Me vendimin e ri do të qëndrojnë edhe pas 18 muajsh. sa/