Mickoski: Armata e përforcon mobilitetin, 17-të automjete të blinduara "strajker" simbol i partneritetit me SHBA-në
- Në kazermën "Strasho Pinxhur" në Petrovec të Shkupit, sot u prezantuan 17 automjete të reja të blinduara të lehta "Strajker", të blera nga SHBA si pjesë e kontratës për pajisjen e ARM-së me automjete të lehta të blinduara.
- Post By Sara Ademi
- 12:53, 25 March, 2026
Shkup, 25 mars 2026 (MIA) - Në kazermën "Strasho Pinxhur" në Petrovec të Shkupit, sot u prezantuan 17 automjete të reja të blinduara të lehta "Strajker", të blera nga SHBA si pjesë e kontratës për pajisjen e ARM-së me automjete të lehta të blinduara.
Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski theksoi se me këto automjete dukshëm do të përforcohet kapaciteti i Armatës së Maqedonisë.
"Kjo për ne ka shumë rëndësi, përmirëson praktikisht operativitetin dhe rrit mobilitetin e vetë armatës dhe në këtë mënyrë bëhemi më konkurrues krahasuar me armatat e tjera. Ne si Qeveri do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të investojmë në Armatën tonë, vlerësojmë se kjo është shumë e rëndësishme. Dëshirojmë të kemi pajisje të reja dhe moderne, natyrisht brenda mundësive të buxhetit dhe të gjitha kritereve që kërkohen të përmbushen deri në vitin 2032 nga ana jonë. Ajo që tani përfaqëson minimumin, ne jemi shumë mbi atë minimum", tha kryeministri Mickoski.
Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski tha se ky është një nga projektet më të mëdha të mbrojtjes dhe se është shumë e rëndësishme të vazhdohet me stërvitjen.
"Tani kanë mbërritur 17 strajkerë, shpresoj që pjesa tjetër duhet të mbërrijë deri në mesin e verës. Por do të vazhdojmë me gjithçka që është pjesë e modernizimit tonë. Do të ketë vazhdimisht, do të shihni projekte të tilla. Jam mirënjohës që nëse shikoni pas nesh, mund të shihni automjete të tjera që ishin në garazhe në të kaluarën, dhe falë projektit me Amerikën, kemi vënë në funksion pjesën tjetër të automjeteve", tha Misajlovski.
Ai falënderoi Qeverinë për buxhetin më të madh deri më tani, në mënyrë që të mund të përballemi me të gjitha sfidat. Ajo që kërkon NATO nga ne është të investojmë mbi njëzet përqind në modernizim dhe ne po bëjmë shumë më tepër. Mbi 32 përqind e buxhetit tonë është drejtpërdrejt për modernizim. Do të vijnë shumë projekte të tjera, sepse në periudhën e kaluar, së bashku me miqtë tanë nga SHBA, kemi bërë disa marrëveshje qeveri-qeveri, shumica e të cilave kanë kaluar në Kuvend. Presim armatime shtesë, pajisje shtesë, dronë, pajisje për njësitë speciale dhe shumë, shumë projekte në periudhën e ardhshme", tha Misajlovski. Të gjitha proceset po zhvillohen paralelisht, shtoi ai, duke theksuar se po bëjmë çmos që të kemi një ushtri moderne.
Ushtruesja e detyrës ambasadore e SHBA-së në vend Nikoll Berns tha se kjo është një ditë e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut dhe NATO-n, si dhe për sigurinë tonë të përbashkët.
"Me mbërritjen e këtyre automjeteve luftarake të këmbësorisë STRYKER dhe dorëzimin e plotë të 42 automjeteve deri në këtë verë, Maqedonia e Veriut po bën një hap të vërtetë dhe të dukshëm përpara në modernizimin e forcave të saj ushtarake dhe forcimin e vendit të saj në Aleancë. I bashkëfinancuar nga Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes financimit të huaj ushtarak, ky program tregon se çfarë mund të arrijmë kur financojmë së bashku mbrojtjen tonë kolektive", tha u.d. ambasadorja e SHBA-së.
Siç tha ajo, përmes programit të SHBA-së për shitje në ushtritë e huaja, Maqedonia e Veriut merr jo vetëm sisteme të avancuara dhe të ndërveprueshmepor edhe stërvitje për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e tyre efikase. "Trajnimi për operatorë dhe mbajtje në terren, që tani është në vijim në Petrovec dhe Shtip do të ndihmojë që këto automjete të jenë të gatshme kur të jetë e nevojshme", shtoi Berns.
Ajo tha se SHBA shreh lëvdata ndaj Maqedonisë së Veriut e cila tregon gatishmëri për investime në modernizim.
Në kuadër të bashkëpunimit me SHBA-në po realizohen dy marrëveshje sipas parimit qeveri me qeveri. Bëhet fjalë për automjete të lehta të blinduara të llojit JLTV dhe STRYKER. Deri në këtë moment kanë arritur të gjitha automjetet e lehta të blinduara - JLTV, gjtihsej 96, ndërsa në këtë ngjarje u promovuan dërgesa e parë e një pjese të automjeteve STRYKER nga 42 të parashikuara. sa/
FOTO: MIA