• Tuesday, 15 October 2024
MIA Flesh

12:00/14 tetor/2024

Shkup - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, sot dhe nesër do të marrë pjesë në takimin e shefave të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit. Në delegacionin e Maqedonisë të udhëhequr nga Mickoski janë ministrat e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, të Punëve të Brendshme dhe të Çështjeve Evropiane, Timço Mucunski, Pançe Toshkovski dhe Orhan Murtezani. Siç paralajmëruan nga shërbimi për shtyp i qeverisë është planifikuar pjesëmarrje dhe konference e përbashkët për shtyp e kancelarit të Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Sholc dhe Ursula fon der Lajen, kryetare e Komisionit Evropian dhe nikoqire e Samitit të ardhshëm.

Shkup - Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, po qëndron në Berlin, Republikën Federale të Gjermanisë për të marrë pjesë në Forumin rinor të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si pjesë e ngjarjeve të organizuara në kuadër të Procesit të Berlinit në datat 13 dhe 14 tetor. Limani, së bashku me ministrat e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe të Francës dhe Gjermanisë dhe përfaqësues të Zyrave rajonale për bashkëpunim rinor - RYCO, morën pjesë në panelin e diskutimit “Projekti evropian përmes prizmit të rinisë”, si pjesë e konferencës me titull: Një dekadë ndikimi: Të rinjtë fuqizojnë rajonin në kuadër të projektit evropian”.

Shkup - Në Bankën Popullore, në kuadër të bashkëpunimit me Drejtorinë e doganave, trajnues nga Drejtoria për punën e thesarit, mbajtën trajnim për punonjësit e doganës për njohjen e parave të dyshimta dhe trajtimin e tyre. "Përmes përforcimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të institucioneve, Banka Popullore forcon sistemin në përballjen me paratë e falsifikuara. Duke pasur parasysh se nëpunësit publikë, duke kryer detyrën e tyre, çdo ditë bien në kontakt me paratë e letrës dhe monedhat, janë pengesa e parë në mbrojtjen e integritetit të parave, trajnimin e tyre për zbulimin e ekzemplarëve të dyshimtë, heqjen e tyre dhe dorëzimin e tyre në Bankën kombëtare është esenciale në lufta kundër të falsifikimit", njoftoi sot Banka Popullore.

Shkup - Me dëshminë e nënës së Vanjës, Zorica Gjorçevska, në Gjykatën penale të Shkupit sot ka vazhduar gjykimi për vrasjen e dyfishtë ndaj të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi. Në seancën e sotme është paraparë të dëshmojnë edhe familjarët e Zhezhovskit, Ana Kirkova dhe Todor Kirkov. Në gjykatë janë të pranishëm të akuzuarit Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski. Të akuzuarit në seancën e fundit para Gjykatës u deklaruan se nuk ndihen fajtorë, me çka mbrojtja e tyre do të ofrojë prova shtesë.

Shkup - Uji në Shkup është i sigurt dhe mikrobiologjikisht i rregullt, kumtoi sot Ndërmarrja publike "Ujësjellësi dhe kanalizimi" - Shkup. Sipas raportit javor për cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm marrë nga analizat e kryera në Sektorin për kontroll sanitar nga data 7 tetor deri më 10 tetor të vitit 2024, të gjitha mostrat e analizuara korrespondojnë me Rregulloren për kërkesa për siguri dhe cilësi të ujit të pijshëm.

Berlin - Në Berlin sot filloi takimi i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në kuadër të Procesit të Berlinit. Në samitin erdhën kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i Serbisë Milosh Vuçeviq, i Malit të Zi, Milojko Spajiq , i Kroacisë Andrej Plenkoviq, i Shqipërisë Edi Rama, i Kosovës Albin Kurti, i Hungarisë Viktor Orban, kryetarja e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Krishto, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lajen. Nikoqir është kancelari gjerman Olaf Sholc. Procesi i Berlinit ka filluar në vitin 2014, me nismë të kancelarë së atëhershme gjermane, Angela Merkel, si një format për bashkëpunim rajonal dhe mbështetje për afrimin e rajonit me BE-në.

Berlin - Bashkimi Evropian është i plotë vetëm nëse Ballkani Perëndimor është pjesë e saj, ndërsa vendet e rajonit duhet të ndërmarrin hapa shtesë drejt një të ardhme të përbashkët, deklaroi kancelari gjerman Olaf Sholc në hapjen e takimit të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të Berlinit. Sholc theksoi se të gjithë e dinë se sa shumë rajoni i Ballkanit Perëndimor ende është i formësuar nga konfliktet e së kaluarës dhe se është koha për t'i kaluar ato dhe rajoni të fokusohet drejt të ardhmes.

Luksemburg - Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Zhozep Borell, ka bërë thirrje sot për ndihmë shtesë për Ukrainën dhe armëpushim të menjëhershëm në Lindjen e Afërt, para takimit të sotëm të ministrave evropianë të Punëve të Jashtme në Luksemburg. "Në Ukrainë dhe në Lindjen e Afërt situata po përkeqësohet", deklaroi ai. Sipas tij, pala ukrainase ka nevojë për mjete shtesë për mbrojtjen ajrore. Zyrtari i lartë shprehu shpresën se ministrat do të arrijnë një marrëveshje për ndarjen e shumave të reja nga buxheti i ndihmës ushtarake për forcat e Kievit. Borel theksoi se eksporti i grurit ukrainas përmes Detit të Zi është vështirësuar sërish për shkak të granatimeve ruse të disa prej anijeve tregtare.

Luksemburg - Shefi i diplomacisë britanike Dejvid Lami sot deklaroi se vendimi i tij për të marrë pjesë në mbledhjen e homologëve të tij nga Bashkimi Evropian në Luksemburg paraqet edhe një hap të rëndësishëm në "rivendosjen e marrëdhënieve" me BE-në pas Bregzitit. "Ky është moment historik që shënon rivendosjen e marrëdhënieve tona me Bashkimin Evropian", tha Lami pas arritjes në Luksemburg. "Siguria e Britanisë dhe Evropës është e pandashme", theksoi ai.

Kiev - Kievi kumtoi se forcat ukrainase kanë shkatërruar një aeroplan ushtarak transportues rus, të stacionuar në aeroport thellë në territorin rus gjatë fundjavës, që është pohimi më i ri i Ukrainës për sulm pas linjave të Moskës. Agjencia ushtarake e intelegjencës kumtoi se ka shkatërruar një aeroplan transportues Tu-134 gjatë natës mes së shtunës dhe të dielës në një aeroport ushtarak në rajonin Orenburg, që gjendet në rreth 1.000 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

Seul - Armata e Koresë së Jugut sot kumtoi se është "plotësisht e përgatitur" për t'iu përgjigjur paralajmërimeve nga Koreja e Veriut, pas rritjes së tensioneve midis dy vendeve për shkak të fluturimeve me dron mbi Phenian. Koreja e Veriut ka akuzuar fqinjët e saj jugor për “provokimet” me dronë mbi Phenian dhe hedhjen e afisheve propaganduese me "zëra provokues dhe mbeturina". Pheniani dje paralajmëroi se fluturimin tjetër me dron do ta konsideronte si "shpallje të luftës". Armata e Koresë së Jugut ka mohuar akuzat se qëndron pas menaxhimit me dronë, duke fajësuar grupet aktiviste të Koresë së Jugut, të cilat shpesh herë dërgojnë afishe propagandistike drejt Koresë së Veriut.

Helsinki - Futbollisti i reprezentacionit të Anglisë, Xhek Grilish ka dhënë përshtypjet e tij nga ndeshja e djeshme në fazën e grupeve të Ligës së kombeve kundër Finlandës (3:1). "Mund të shënonim më shumë gola, por në disa momente ishte e vështirë. Unë arrita të shënoja sepse trajneri na lejoi të luanim të lirë. Unë luaj me Gomezin në stërvitje dhe e di se çfarë lojtari i mirë është. Festa ishte për vajzën time të vogël. Bëra shaka me Trentin para gjuajtjes së lirë: "Shëno dhe do të jap 500 paund". Çfarëdo që të ndodhë me trajnerin e Anglisë, njerëzit gjithmonë do të thonë gjëra negative. Më pëlqen të vij në lokacionin e kombëtares, kemi një trajner të shkëlqyeshëm", ka thënë Grilishi për “ITV”.