• Tuesday, 04 February 2025
MIA Flesh

18:00/ 31 janar/ 2025

Shkup – Qindra qytetarë sot u grumbulluan në bulevardin “Aradhet partizane” në Shkup në protestë, duke kërkuar drejtësi për vdekjen tragjike të vajzës së re Frosina, e cila ishte shkelë derisa e kalonte vendkalimin për këmbësorë në afërsi të furrës “Silbo”. Qytetarët vazhduan të marshojnë drejt Kuvendit, ndërsa pastaj drejtë Gjykatës Penale.  Protesta filloi me tri minuta heshtje për tri vajzat të cilat ishin shkelur në bulevardin “Aradhet partizane” në Shkup. Viktima e fundit është 22-vjeçarja Frosina Kulakova, e cila para dy ditëve ishte shkelur nga 20-vjeçari Vasil Jovanov nga Shkupi, i cili voziste i dehur, pa leje të vozitjes dhe kalonte në të kuqe, derisa ajo kalonte në vendkalimin për këmbësorë. Më 20 janar të vitit 2022 në vendkalimin për këmbësorë te udhëkryqi në qendrën tregtare “Shkupi Siti Moll” ishte shkelur studentja Viktoria Nikollova, ndërsa më 3 prill të vitit 2015 studentja Frosina Cekovska në vendkalimin për këmbësorë te Salla Universale. Pjesëmarrësit në protestë mbanin parulla në të cilat ishin shkruar emrat e tre vajzave, të cilat ishin bërë viktima të shoferëve të pandërgjegjshëm. 

Shkup – Masë të paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh i është caktuar 20-vjeçarit Vasil Jovanov i cili natën e së mërkurës në bulevardin “Aradhet partizane” ka goditur me automobil 22-vjeçaren Frosina Kulakova, e cila ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.  “Lidhur me disa pyetje të gazetarëve, lidhur me aksidentin e trafikut në bulevardin ‘Aradhet partizane” ku një person humbi jetën, njoftojmë publikun se gjykatësi i procedurës paraprake dje, pas deklaratës së prokurorit publik dhe të dyshuarit V.J., e pranoi propozimin dhe i caktoi të akuzuarit masën e paraburgimit prej 30 ditësh për shkak të ekzistimit të shkaqeve nga neni 165 paragrafi1. pikat 1, 2 dhe 3, përkatësisht Rrezik për ikje, Pengim i hetimit me ndikim mbi dëshmitarët dhe rrezik për përsëritjen e veprës penale”, njoftoi sot Gjykata Themelore Penale në Shkup.

Shkup - Nga numrat që kam në dispozicion, përfshirë muajin nëntor, kemi më shumë se një miliardë në vitin 2024, mendoj se rreth një miliard e dyzet milionë. Gjë që nëse përkthehet për kokë banori dhe si përqindje e prodhimit të brendshëm bruto, për ne është rezultati më i madh historikisht, deklaroi sot kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke u përgjigjur pyetjes e gazetarëve për pritshmëritë lidhur me investimet e huaja të drejtpërdrejta këtë vit. "Pres që ky trend të vazhdojë këtë vit edhe në vitin 2025, së bashku me investitorët vendor dhe pres që të jetë shtytës për rritje të madhe të ekonomisë së vendit dhe produktit të brendshëm bruto, diçka që na nevojitet shumë pas disa vitesh stagnimi apo mundim në zhvillimin", tha Mickoski.

Shkup - Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska apelon që të respektohet Ligji për praktika të padrejta tregtare dhe të mos keqpërdoret momenti se ndonjë institucion kompetent nuk ka dalë në terren. Ajo pranon se gjatë kësaj periudhe për shkak të kapaciteteve të kufizuara nuk kanë mundur të dalin në terren dhe se po punohet për përfundimin e tyre, për të cilin sot do të nënshkruhen shtatë marrëveshje punësimi në në Komisionin për mbrojtje të konkurrencës. "Është e vërtetë që gjatë kësaj periudhe për shkak të kapaciteteve të kufizuara, institucione të caktuara nuk kanë mundur të dalëin dhe të kontrollojnë gjendjen, por kur bëhet fjalë për apratë dhe transaksionet financiare, gjithçka mbetet përgjithmonë. Kjo do të thotë që, për shembull, mund të bëjmë një inspektim edhe pas 12 muajsh dhe nëse konstatojmë parregullsi, do të vijojnë dënimet. Prandaj apeloj që të gjitha kompanitë në vend të respektojnë ligjet, sepse në një moment një nga institucionet do të dalë në terren dhe do të bëjë inspektim pas së cilit do të vijojnë dënime drakoniane", deklaroi Dimitrieska-Koçocska. 

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryteari i Odës Ekonomike, Branko Azeski e përkrahin bojkotin e sotëm ndaj zinxhirëve të mëdhenj të marketeve dhe vlerësojnë se mënyra e vetme e zgjidhjes së problemit me çmimet e larta, është dialogu mes prodhuesve dhe shitësve. "Do të mbështes çdo gjë që ka bazë reale dhe bazë reale për të reaguar ka këtu. Megjithatë, si kryetar i Odës, ku anëtarësojnë edhe zinxhirët e marketeve, do të insistoj që zgjidhja të gjendet me dialog. Maqedonia është shoqëri aq e ndarë sa nuk ka nevojë për ndarje të reja, i nevojitet dialog për zgjidhjen e problemeve vjetra. Si mbrojtës i kompanive, dialogu është mënyra për të dalë nga kjo situatë, problemi mes prodhuesve dhe shitësve nuk është i ri, por i kahmotshëm dhe mund të zgjidhet vetëm me bisedë. Në vendin tonë një dialog i tillë zhvillohet vazhdimisht, ne përpiqemi të parandalojmë çdo përmbysje mes tyre që të mos cenojë standardin e jetesës së qytetarëve. Këto forma dhe metoda të reja të aktiviteteve të tilla përmes rrjeteve sociale do të bëhen përditshmëri dhe ne duhet t'i respektojmë dhe mbështesim, por duhet të jetë edhe shenjë e një bisede serioze që do të çojë në zgjidhje. Ne do të sillemi në mënyrën më të përgjegjshme dhe së bashku me Qeverinë do të kërkojmë zgjidhje për këtë dhe normalisht, edhe me palët tjera”, tha Azeski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas promovimit të Institutit për eksport në Odë.

Shkup - Çdo sjellje mjekësore jashtë etikës mjekësore, veçanërisht gjatë kryerjes së ndërhyrjes ndaj një personi të mitur duhet të sanksionohet, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Klinika Universitare për sëmundje të frymëmarrjes tek fëmijët “Kozle”, pasi sot kolegjimu mjekësor i Klinikës me një një letër proteste ka kërkuar shkarkimin e ushtruesit të detyrës drejtoreshës, dr. Karolina Simonovska. "Lidhur me sulmin e orkestruar politik në ISHP Klinikën Universitare për sëmundje të frymëmarrjes tek fëmijët Kozle, u.d drejtoresha dr. Karolina Simonovska, opinioni duhet ta dijë se çdo sjellje mjekësore jashtë etikës mjekësore, veçanërisht gjatë kryerjes së një ndërhyrjeje ndaj një të mituri, duhet të sanksionohet që të mos ndodhin pasoja më të rënda për të cilat çdo reagim do të ishte tepër vonë. Sjellja arrogante dhe pengimi i punës është i ndaluar dhe duhet të sanksionohet pavarësisht se kush është. Një kolegjium i tërë ekspertësh i qëndron këtij vendimi. Klinika funksionon sipas ligjit dhe zbaton rregulloret ligjore, thuhet në reagimin e Klinikës Universitare për sëmundje të frymëmarrjes tek fëmijët Kozle.

Shkup - Vlerësimet janë se do të shkurtohen mjetet për organizatat joqeveritare në vend për rreth 12 milionë dollarë dhe për të gjithë ata që kanë punuar në projektet e mbështetura nga administrata amerikane pas vendimit të presidentit të ri amerikan për ngrirjen e programeve për ndihmë jashtë vendit. Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska thotë se ajo që kanë marrë institucionet shtetërore janë ekspertët që kanë ardhur për të ofruar ndihmë dhe mbështetje për realizimin e projekteve. "Ne jemi i vetmi vend që arriti përderisa isha në Uashington të dakordojë me mbështetjen e Ambasadës amerikane, të marrim mbështetje të përhershme nga njerëzit atje për Ministrinë e Financave në çdo segment", tha Dimitrieska-Koçoska.

Shkup - Asociacioni i Bankave të Maqedonisë sot pasdite kumtoi se Banka për zhvillim ka dorëzuar marrëveshjen kornizë për pjesëmarrje në linjën kreditore nga kredia hungareze e dedikuar për kompanitë. Bankat, siç informojnë nga ABM, do të nënshkruajnë marrëveshjet me Bankën për zhvillim në përputhje me procedurat e tyre të interne, ndërsa pas përfundimit të marrëveshjeve, mjetet do të vihen në dispozicion të kompanive. Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska sot në deklaratë për media ka bërë të ditur se ka filluar nënshkrimi i marrëveshjeve kornizë me bankat.

Shkup - Gjykata Themelore Penale në Shkup e shpalli aktvendimin për prodhimtari të palejuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike kundër të pandehurit Vasil Jovanov nga Shkupi, i cili, po ashtu është i dyshuar për aksidentin e trafikut në të cilin pardje e humbi jetën 22-vjeçarja Frosina Kulakova. Siç qëndron në aktvendim, pas mbajtjes së debatit kryesor, i cili ka filluar më 24 korrik 2024 dhe ka përfunduar më 31 korrik 2024, gjykata në përbërje të gjyqtares Daniela Aleksovska-Stojanovska dhe gjyqtarët porotë Vesna Cvetkoska dhe Milisav Tanevski, e kanë shpallur fajtor të akuzuarin dhe ndaj tij është shqiptuar masë edukative – dërgim në institucionin edukues-korrektues. Jovanov paraprakisht ishte denoncuar edhe për një tjetër aksident trafiku më 4 nëntor 2022, në të cilin një person ka pësuar lëndime të lehta.

Shkup – Për një javë, gjegjësisht në periudhën prej 24 deri më 30 janar të këtij viti, është regjistruar një rast i ri me kollë të mirë. Bëhet fjalë për një fëmijë nga Probishtipi në moshën 3 vjet, i vaksinuar sipas moshës, e që ka lidhshmëri epidemiologjike me një të sëmurë tjetër nga po e njëjta familje, tregojnë të dhënat e raportit më të ri të Institutit të Shëndetit Publik për gjendjen me kollën e mirë.  Në periudhën e vitit 2024/25, deri dje janë regjistruar gjithsej 1.179 raste me kollë të mirë, prej të cilëve janë hospitalizuar 191 raste, prej të cilave pjesa më e madhe i takojnë grupmoshës prej 0-4 vjet (n=168, 88%), të cilët mesatarisht ishin hospitalizuar nga tetë ditë.

Kumanovë - Në vijim është ndërtimi i SHMK Gjimnazi "Sami Frashëri" - Kumanovë, informoi sot kryetari i qytetit të Kumanoivës, Maksim Dimitrievski. "Përfundoi faza e dytë e punëve ndërtimore të objektit të SHMK Gjimnazi 'Sami Frashëri' - Kumanovë, të cilat po zhvillohen në pajtim me kornizën kohore, dinamikën dhe sipas planit të projektuar. Në qendrën shkollore do të realizohet mësim në gjuhën shqipe për nxënësit e Gjimnazit amë dhe paralelet shqipe nga SHMTK 'Nace Bugjoni' - Kumanovë. Projekti është në realizim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së RMV-së, me përkrahje të Komunës së Kumanivës", tha Dimitrievski.

Cetinë  – Nisma qytetare “Alternativa Mali i Zi” sot bëri thirrje për bojkot të supermarketeve dhe shitoreve në gjithë vendin. Organizatorët porositën se bojkoti nuk la lidhje me politikën, por është protestë kundër çmimeve të larta, të cilat i prekin të gjithë qytetarët.  Sipas raporteve të RTCG, bojkoti filloi me sukses. Gazetarët në Podgoricë, Bijelo Pole dhe Rozhajë sot në mëngjes vërejtën se shitoret ishin gati të zbrazëta.  Nga “Alternativa” përkujtuan se aksion i ngjashëm para pak kohësh është zbatuar në Kroaci dhe kishte efekt, përderisa në Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni të Veriut po zbatohet sot. 

Athinë – Mejle kërcënuese për mjete shpërthyese të vendosura, të cilat rezultuan të rreme, janë dërguar sot në mëngjes në një sërë shkollash greke, ndërsa hetimi tregoi se ato janë dërguar nga shtatë IP adresa nga Rusia, informoi Ministria e arsimit, religjionit dhe sportit në Greqi, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Mejlet në gjuhën angleze kanë mbërritur kryesisht në shkollat në rajonin Atika, rajonin më të gjërë të Athinës, në Epir dhe në Greqinë verilindore dhe qëndrore, ndërsa mënjëherë u aktivizuar bllokim i serverëve të rrjetit të shkollave.

Novi Sad - Një automobil qëlloi dy mjeke në Novi Sad gjatë protestës në përkrahje të studentëve, njoftoi në Instagram, grupi, i cili i mbështet aksionet rinore. Në video shihet se si një automobil qëllon një grua, e cila qëndron në kalimin për këmbësorë në një nga rruhët kryesore në qytet. Incidenti ka ndodhur derisa demonstruesit kanë shprehur respekt për 15 viktimat nga tragjedia në stacionin hekurudhur në Novi Sad, kur para tre muajve është shembur çatia nga betoni, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave, ndërsa dy janë lënduar rëndë dhe ende po mjekohen në Qendrën klinike të Vojvodinës. Njëra nga mjeket e lënduara në protestë është pranuar në Qendrën urgjente për shkak të lëndimeve në kokë.

Moskë - Qeveria ruse vendosi ta vazhdojë ndalesën për eksport të benzinës deri më 28 shkurt, kumtoi kabineti i nënkryetarit të Qeverisë, Aleksandar Novak. Ndalesa është vendosur më 1 mars vitin e kaluar për shkak të rritjes drastike të çmimeve me shumicë të derivateve dhe rrezikut për mungesë në tregun vendor. Fillimisht, masa duhej të vlejë gjashtë muaj, por nga fundi i majit e deri në gusht kufizimet janë hequr përkohësisht, pas çka sërish janë vendosur, informon "Komersant". Sipas burimeve të gazetës, Ministria ruse e Energjetikës duhet deri nga mesi i shkurtit të dorëzojë propozime deri te qeveria në Moskë për eksportin eventual të benzinës, duke i marrë parasysh edhe sanksionet e reja perëndimore.

Tel Aviv - Izraeli nesër gjatë ditës do të lirojë 90 të burgosur palestinezë, si pjesë të marrëveshjes për armëpushim me Hamasin. Nga të burgosurit, të cilët do të lirohen, nëntë janë dënuar me burg të përjetshëm, ndërsa 81 po vuajnë dënime të gjata, njoftoi Al Xhazira. Hamasi, megjithatë, publikoi emra të tre pengjëve izraelitë, të cilët nesër do të lirohen në kuadër të armëpushimit me Izraelin. Zëdhënësi i Hamasit, Abu Obeida, në "Telegram" kumtoi se do të lirohen Ofer Kalderon, Kit Sigel dhe Jarden Bibas.

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp sot deklaroi se helikopteri ushtarak "Blek Hok" i cili dje u përplas me një aeroplan të "Amerikan erllajns" mbi Uashington, fluturonte shumë lart në momentin e incidentit. Helikopterët ushtarakë amerikanë fluturojnë rregullisht në një rrugë të caktuar mbi lumin Potomak në afërsi të Aeroportit Kombëtar të Uashingtonit, Ronald Regan. Për arsye sigurie, lartësia e këtyre fluturimeve me helikopter është e kufizuar në rreth 60 metra. "Helikopteri Blel Hok po fluturonte shumë lart, edhe atë shumë. Ishte shumë mbi kufirin prej 60 metrash. Kjo nuk është vërtet aq e komplikuar për t’u kuptuar, apo jo?”, ka shkruar Tramp në Truth Social. 

Karakas - Përfaqësuesi i presidentit Donald Tramp për misionet e posaçme, Riçard Grenel udhëtoi sot për Venezuelë për të kërkuar nga lideri, Nikolas Maduro të pranojë kthimin e "pakushtëzuar" të venezuelasve të deportuar, deklaroi një përfaqësues zyrtar amerikan. "Presidenti Tramp pret që Nikolas Maduro t'i pranojë të gjithë kriminelët venezuelas dhe anëtarët e bandave, të cilët veprojnë në SHBA dhe këtë ta bëjë pa kusht", deklaroi Mauricio Klaver-Karone, i dërguar i posaçëm e SHBA-së për Amerikën Latine

Mançester - Menaxheri i Mançester Sitit, Pep Guardiola i dha komentet e tij të para për shortin për plejofin në Ligën e Kampionëve. Me të u përcaktua që "qytetarët" të ballafaqohen me Realin e Madridit të katërtin sezon me radhë. Sipas spanjollit, ky ballafaqim tani e ka statusin e derbit në këtë garë. "Kjo tani duket si derbi, pasi është sezoni i katërt me radhë kundër Realit të Madridit. Edhe Bajerni edhe Reali ishin me të vërtetë kundërshtarë të vështirë. Të shpresojmë se në mënyrën më të mirë do të hyjmë në ndeshjen e parë në stadiumin tonë, e pastaj në Madrid. A kemi mundur të jemi mes tetë të parëve? Po, por nuk ishim mjaftë të mirë. Nuk e merituam atë pasi fituam vetëm në tre ndeshje dhe një herë luajtëm baraz. Pësuam shumë humbje. Shorti është short", komentoi Guardiola.