• Monday, 24 February 2025

Mexhiti: Kanali dhe çerdhja në Hasanbeg po bëhen realitet

Mexhiti: Kanali dhe çerdhja në Hasanbeg po bëhen realitet

Shkup, 23 shkurt 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot së bashku me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, ministrin e Punës Sociale, Demografisë dhe Të Rinjve, Fatmir Limani dhe kryetarin e komunës Gazi Babë, Boban Stefkovski, ishte për vizitë në lagjen e Shkupit Hasanbeg ku paralajmëroi fillim të shpejtë të dy projekteve kapitale, informojnë nga MMJPH.

"Premtimi i përmbushur me vite nga qeveritë e kaluara tani po bëhet realitet! Hasanbegu prëfundimisht do të bëhet me kanal atmosferik dhe kopsht shtetëror të fëmijëve të cilët që moti u premtuan, por asnjëherë nuk u realizuan", deklaroi Mexhiti.

Ai tha se vërshimet e tmerrshme në vitin 2016 morën 23 jetë dhe shkatërruan shtëpi, tokë dhe biznese.

"Por, qeveria e atëhershme nuk i ndërmori masat e domosdoshme për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen. Mungesa e drenazhit adekuat ishte një prej faktorëve kryesorë për dëmet katastrofike. Tani, ky gabim do të përmirësohet", tha Mexhiti.

Ai paralajmëroi se ky investim i rëndësishëm, në vlerë prej 38 milionë denarëve, do të mundësojë ndërtim të kanalit në gjatësi orej 1.350 metrave dhe gjerësi prej 4 deri 10 metra, varësisht nga afërsia e shtëpive.

"Ky projekt nuk është intervenim infrastrukturor, por përkkushtim ndaj sigurisë, jetës dhe dinjitetit të banorëve të Hasanbegut", deklaroi Mexhiti.

Projekti do të realizohet me mbështetje të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me komunën Gazi Babë, me çka do të shënohet një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë dhe sigurisë për banorët e këtij rajoni.

Zëvendëskryeministri Mexhiti potencoi edhe se njëkohësisht po përmbushet edhe një nevojë e kahmotshme për ndërtimin e një kopshti të fëmijëve në Hasanbeg.

"Prindërit nga kjo lagje me vite po përballen me mungesë të një qendre ditore në afërsi të shtëpive të tyre, që i detyron të gjejnë zgjidhje të vështira për kujdes të fëmijëve. Tani kjo sfidë do të përfundojë. Për fëmijët do të ndërtohet një mjedis modern, i sigurt dhe i këdnshëm, ku do të marrin kujdes adekuat, prëderisa prindërit do të kenë komoditet më të madh, ndërsa fëmijët do të kenë siguri më të madhe në jetën e prëditshme", theksoi Mexhiti gjatë vizitës në Hasanbeg. ab/

Foto: МMJPH