Komisioni për buxhet i Bundestagut ka dhënë dritë të gjelbër për ndihmën për Ukrainën në vlerë prej tre miliardë euro
- Komisioni për buxhet i Gjermanisë ka hapur rrugën për paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 3 miliardë eurosh, pasi kancelari në ardhje Fridrih Merc po shtyn përpara rritjen e investimeve në mbrojtje.
- Post By Melahat Baftija
- 19:43, 21 March, 2025

Berlin, 22 mars 2025 (KMIA) - Komisioni për buxhet i Gjermanisë ka hapur rrugën për paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 3 miliardë eurosh, pasi kancelari në ardhje Fridrih Merc po shtyn përpara rritjen e investimeve në mbrojtje.
Të dy dhomat e Parlamentit më herët gjatë kësaj jave miratuan planin e konservatorëve të Mercit dhe Socialdemokratëve, të cilët po zhvillojnë bisedime për formimin e Qeverisë së re gjermane.
Vendimi i Komisionit për buxhet u konfirmua nga ministrja e Punëve të Jashtme, Analena Berbok.
Në paketën prej 3 miliardë eurosh përfshihen 2.547 miliardë nga Ministria e Financave që do t’i jepen Ukrainës këtë vit, të plotësuara edhe nga kontribute tjera, përfshirë një rimbursim nga Mekanizmi Evropian i Paqes.
Ministria gjermane e Financave po ashtu planifikon të autorizojë 8.252 miliardë euro për ndihmë ushtarake për Ukrainën për periudhën nga viti 2026 deri më 2029, duke bërë që totali i ndihmës të arrijë në 11 miliardë euro.
"Ishte koha" që Komiteti parlamentar të hapte rrugën për përdorimin e fondeve dhe Gjermania tani po vendos ritmin për mbështetjen e Evropës për Ukrainën, tha Berbok përmes një komunikate.
"Situata ushtarake e Ukrainës është bërë më e vështirë në muajt e fundit", shtoi ajo.
Anëtarët e Bashkimit Evropian, udhëheqësit e të cilëve u mblodhën këtë javë për të diskutuar ndihmën për Ukrainën, janë nën presion që të shfaqin angazhimin e tyre për Ukrainën e cila po përballet me pushtimin rus, pasi pasiguria po rritet lidhur me të ardhmen e garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Donald Trampit. mb/