Këtë javë do të ketë terapi deficitare biologjike për pacientët onkologjik, njoftuan Taravari dhe Klekovski
- Këtë javë do të jenë në dispozicion gjashtë barnat biologjik që u mungonin pacientëve në Klinikën e Onkologjisë, ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë Arben Taravari. Edhe drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, paralajmëroi se deficiti së shpejti do të zgjidhet - pjesërisht me donacione, ndërsa për një pjesë të barnave me anekse të kontratave për furnizime publike.
- Post By Sara Ademi
- 12:42, 27 January, 2025
Shkup, 27 janar 2025 (MIA) - Këtë javë do të jenë në dispozicion gjashtë barnat biologjik që u mungonin pacientëve në Klinikën e Onkologjisë, ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë Arben Taravari. Edhe drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, paralajmëroi se deficiti së shpejti do të zgjidhet - pjesërisht me donacione, ndërsa për një pjesë të barnave me anekse të kontratave për furnizime publike.
Në një prononcim për media, Taravari tha se nuk ka mungesë të gjithë terapisë onkologjike, por përkundrazi, tha ai, "90 për qind e barnave që përdoren si terapi onkologjike gjenden në Klinikën e Onkologjisë".
"E vetmja gjë që mungon është terapia biologjike dhe kjo është vetëm për gjashtë-shtatë ditë. Shpresoj që këtë javë Klinika e Onkologjisë të furnizohet me terapi biologjike. Deri më tani kemi pasur edhe më shumë terapi biologjike se në vitet e kaluara. Megjithatë, kërkesat nga pacientët janë shumë më të mëdha, prandaj tashmë kemi protokolle dhe një konsultë me mjekët, sepse është vërtetë një luks dhe nuk duhet dhënë kudo, por vetëm aty ku tregohet dhe ku konsulenca mjekësore vendos që duhet dhënë terapi biologjike. Të përsëris edhe një herë – ka barna, jo se mungojnë të gjitha barnat dhe gjatë kësaj jave do të ketë sërish terapi biologjike në Onkologji", tha Taravari para një eventi për përfundimin e projektit për zbatimin e Strategjisë Shëndetësore 2021-2030".
Ai shtoi se edhe krahas klinikave dhe spitaleve tjera ku do të sistemohet kuadri për të cilin ka leje për punësim, me fokus të veçantë është Klinika për Onkologji, për të cilën planifikohet edhe riorganizimi përkatësisht decentralizimi në trajtimin e pacientëve me kancer.
"Po punohet intensivisht që "8 Shtatori" të fillojë sa më shpejt të funksionojë, me synimin që të ketë më pak pacientë në Klinikën e Onkologjisë. Shtipi, Tetova dhe Manastiri janë duke funksionuar. Në këtë periudhë tashmë po mendojmë të riorganizojmë Klinikën e Onkologjisë, për të funksionuar ngjashëm me Toksikologjinë. Drejtoria duhet të jetë unike dhe drejtori duhet të jetë në gjendje të menaxhojë të gjitha nënnjësitë që do të jenë në qytetet ku mund të shpërndahet ose administrohet terapia onkologjike. Me këtë po e realizojmë qëllimin tonë për decentralizimin edhe në onkologji", tha Taravari.
Edhe drejtori i Fondit për sigurim shëndetësor (FSSH), Sasho Klekovski, tha se "mungesa e barnave biologjike është duke u kompletuar dhe shumë shpejt do të zgjidhet".
"Sapo kam ardhur nga një takim me drejtorin e Klinikës. Disa prej tyre do të zgjidhen me donacione që do të realizohen gjatë javës, pasi që barnat janë të pranishme edhe në depot në Maqedoni, disa do të jenë me anekse të kontratave dhe këtë po e sqarojmë sot dhe nesër me prokurim publik. Pra, mendoj se ilaçet kritike do të jenë në dispozicion shumë shpejt", theksoi Klekovski.
Drejtori i Fondit tha edhe ç'farë ndryshimesh planikojnë që të gjejnë zgjidhje afatgjate për deficitin e barnave për pacientët nga Onkologjia.
Ai kumtoi se për momentin punojnë në planin, të cilin së shpejti do ta publikojnë, duke filluar nga diagnostika. Në bisedë me Institutin për Patologji dhe PET - Qendra shqyrtojnë se si të shkurtohet koha e diagnostikës, për, siç tha "të gjitha milionat që i investojmë në terapi veçanërisht të shtrenjtë të kenë ndonjë kuptim".
"Kjo nënkupton pajisjen e laboratorëve të patologjisë jashtë Shkupit, rritjen e kapacitetit të skanimit të PET-sken dhe përshpejtimin e procedurave. Ajo që do të bëjmë në pjesën terapeutike është rritja e buxhetit bazë me gati 40-50 për qind, duhet miratuar këtë javë. Dhe kjo do të jetë një rritje e konsiderueshme, disa nga barnat kritike do të rriten dy herë", theksoi Klekovski.
Siç tha ai, do të duhet të mendohet për decentralizimin e terapisë dhe një pjesë e terapisë me tableta të jetë në listën pozitive në mënyrë që të merret jashtë Onkologjisë dhe do të kërkojnë një mënyrë, tha ai, pjesërisht të terapisë biologjike të ndahet jashtë Klinikës për onkologji.
"Kemi reparte onkologjike në "8 Shtatori", në Shtip, Manastir dhe në Tetovë, të cilat aktualisht nuk trajtojnë me terapi biologjike. Ose do të trajtojnë ose nuk kemi nevojë të kemi departamente onkologjike që nuk funksionojnë. Mendoj se së bashku me përmirësimin e Regjistrit të pacientëve, për të siguruar parashikueshmërinë e ndryshimeve, do ta stabilizojmë situatën", shtoi Klekovski. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s