Kërstevska: Prokuroria ka ndërmarrë aktivitete të mjaftueshme, të gjitha pretendimet e të akuzuarit Palevski janë të pabaza
- Prokuroria ka ndërmarrë aktivitete të mjaftueshme, të gjitha pretendimet e të akuzuarit Lupço Palevski -Palço janë të pabaza, deklaroi prokurorja publike Zhaklina Kërstevska.
- Post By Fami Bajrami
- 12:38, 27 January, 2025
Shkup, 27 janar 2025 (MIA) – Prokuroria ka ndërmarrë aktivitete të mjaftueshme, të gjitha pretendimet e të akuzuarit Lupço Palevski -Palço janë të pabaza, deklaroi prokurorja publike Zhaklina Kërstevska.
Sipas Kërstevskës, është e qartë se i akuzuari Lupço Palevski kërkesën e parashtruar për përjashtim e ka shfrytëzuar për të paraqitur të gjitha pretendimet e tij që në parim i shkojnë mbrojtjes së tij.
"Provat janë bashkangjitur në shkresat e lëndës dhe duket se me prezantimin e video-incizimeve po i afrohemi pjesës kur opinioni do të informohet për veprimet konkrete të ndërmarra nga i akuzuari Lupço Palevski i cili gjatë gjithë kohës ka mohuar se ka marrë pjesë në ngjarjet në fjalë", deklaroi Kërstevska duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas përfundimit të seancës së sotme në Gjykatën Themelore Penale Shkup.
E pyetur mbi pretendimet në kërkesën për përjashtim se i akuzuari Bore Videvski ka poseduar armë, Kërstevska ka thënë se prokuroria i ka siguruar të gjitha provat dhe të njëjta janë dorëzuar në listën e provave.
“Të gjitha aktivitetet janë ndërmarrë nga prokuroria", ka thënë Videvski.
Lidhur me deklaratën e mbrojtësit të Palevskit se të akuzuarit e tjerë kanë negociuar me prokurorinë, Kërstevska ka thënë se asnjë mbrojtës nuk ka folur me prokurorinë jashtë aktiviteteve zyrtare.
"Është shumë e çuditshme se si i akuzuari Lupço Palevski i ka procesverbalet e marrjes në pyetje të të dyshuarve Velibor Manev, Bore Videvski, Vlatko Keshishev dhe Aleksandar Gjorçevski në Prokurori, sepse këto janë dokumente që janë vetëm për prokurorinë dhe nuk janë dorëzuar për mbikëqyrje ose mbrojtje, andaj është shumë e çuditshme se si i ka ardhur deri te të njëjtat dhe i prezanton para opinionit", tha Kërstevska.
E pyetur nëse do të hetojnë se kush nga prokuroria ua ka dhënë këto dokumente, Kërstevska tha se nuk mund të komentojnë derisa të ndërmarrin aktivitete konkrete për person të caktuar.
“Nëse kemi prova, sigurisht se do të prononcohemi", ka thënë Kërstevska.
I akuzuari i parë për vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit, Lupço Palevski Palço, në fillim të seancës së sotme, kërkoi përjashtimin e prokurores publike Zhaklina Kërstevska dhe të gjithë Prokurorisë Publike të Shkupit, në rastin për shkak të një hetimi të kryer në mënyrë jo të duhur.
Gjyqtari Ivica Stefanovski, gjykimin e shtyu për më 3 shkurt, duke theksuar se duhet t'i lërë hapësirë prokurorit publik republikan Lupço Kocevski duke u shprehur për pretendimet e kërkesës për përjashtim.
Video: MIA
Foto: arkivi i MIA-s