"I njohim sëmundjet e rralla" - Valvula Posteriore Uretrale
- Valvula posteriore uretrale (VPU) është anomali kongjenitale e cila i kap të porsalindurit meshkuj. E njëjta përfshin praninë e membranave jonormale në indin e uretrës të cilat bëjnë obstruksion ose e bllokojnë rrjedhën normale të urinës duke sjellë disa komplikime, prej të cilave karakteristike është mbajtja e urinës e cila rezulton me dilatim retrograd të ureterëve dhe veshkave, gjë që rezulton me dëmtimin e tyre.
- Post By Fitore Curri
- 09:23, 20 February, 2025

20 shkurt 2025
VALVULA POSTERIORE URETRALE (VPU)/ POSTERIOR URETHRAL VALVE
ICD-10 Q64.21
PREVALENCA - 1:5 000 fëmijë të lindur meshkuj (1-9/ 100 000 banorë).
HYRJE
Valvula posteriore uretrale (VPU) është anomali kongjenitale e cila i kap të porsalindurit meshkuj. E njëjta përfshin praninë e membranave jonormale në indin e uretrës të cilat bëjnë obstruksion ose e bllokojnë rrjedhën normale të urinës duke sjellë disa komplikime, prej të cilave karakteristike është mbajtja e urinës e cila rezulton me dilatim retrograd të ureterëve dhe veshkave, gjë që rezulton me dëmtimin e tyre.
ETIOLOGJIA
Arsyeja për VPU nuk është plotësisht e njohur, por mendohet se rezulton me zhvillimin jonormal te uretrës në fazën e hershme të zhvillimit fetal. Llogaritet si çrregullim sporadik, por janë të evidentuara edhe raste te vëllezër dhe te binjake të cilat sugjerojnë edhe mundësinë për komponentë gjenetikë.
SIMPTOMAT DHE DIJAGNOSTIFIKIMI
Simptomat e sëmundjes janë nga mesatare deri në shumë të rënda. Sot, gjatë kohës së ekzaminimeve prenatale është e mundur te identifikohet sëmundja para se të shfaqen simptomat, sidomos kur ekziston hidronefroza te fetusi gjatë shtatzënisë paraqitet mundësia e dyshimit për ketë diagnozë. Si simptoma të shpeshta te këta fëmijë vërehen:
§ prania e infeksioneve urinare për shkak te moskalueshmërisë së urinës si pasojë e obstruksionit;
§ distenzioni abdominal për shkak të mbajtjes së urinës dhe fshikëza urinare e zmadhuar;
§ rrjedhje e dobët e urinës, vëshirësi në zbrazjen e plotë të fshikëzës së urinës e cila rezulton me urinë reziduale;
§ urinim i frekuentueshëm, dizuri dhe inkontinencë;
§ hidronefrozë e shkallëve të ndryshme.
Mund të ekzistoje dyshimi për praninë e sëmundjes edhe gjatë ekzaminimeve prenatale me ndihmën e ultrazërit, por diagnoza definitive vendoset kur foshnja do të lindë, me çka më lehtë mund të prevenohen komplikimet. Diagnoza përfundimtare mund të vihet me cistouretrogram, cistouretroskipi dhe teste funksionale të veshkave si pasqyra e gjakut për eksplorimin e funksionit të veshkës dhe niveli i elektroliteve. Shumë shpesh shenjë alarmante te fëmijët është rritja e produkteve të rritura të degradacionit, sidomos kreatininës, e cila është tregues i vështirësive aktuale te veshkave.
PASOJAT
Prognoza VPU është e ndryshueshme në varësi të shkallës së ashpërsisë së LUTO. Pacientët mund të jenë të ndjeshëm ndaj mosmbajtjes së urinës, infeksioneve të traktit urinar dhe dëmtimit progresiv të veshkave. Përafërsisht një e treta e pacientëve të lindur me VPU përparojnë në fazën e fundit të sëmundjes renale dhe të gjithë pacientët kërkojnë kujdes periodik afatgjatë urologjik. Pa ndërhyrje, pacientët janë në rrezik të dështimit të veshkave dhe mosfunksionimit të fshikëzës. Fertiliteti mund të jetë i dëmtuar te pacientët që janë uremikë.
TRAJTIMI
Trajtimi primar i VPU është intervenimi kirurgjikal për t’u larguar indi i cili bën obstruksion. Kjo paraqet incision të valvulave, e njohur si valvotomia. Qëllimi është të kthehet rrjedha normale e urinës dhe të prevenohen komplikimet e mëtejshme. Vetë procedura është minore dhe minimalisht invazive, por në disa raste procedura kirurgjikale përsëritet. Te të porsalindurit me hidronefrozë mund të jetë i nevojshëm devijimi urinar, kjo është procedurë e cila e devijon urinën para se të arrijë tek uretra, kjo arrihet me vezikotomi (hapje e fshikëzës urinare që të mund të drenohet urina drejt në pelenë ose me devijim proksimal, që është procedurë me e rrallë ku uretri nxirret jashtë për t’u larguar urina, kjo kryhet te fëmijët me pasqyrë të rëndë klinike ku muret e uretrit janë shumë të trashur.
Me medikamente mund të jepet terapi simptomatike për relaksimin e muskujve të fshikëzës urinare, këtu bëjnë pjese antispazmotikët, simpatomimetikët dhe barnat antikolinergjike. Pas trajtimit kirurgjikal vijon ndjekja një periudhë të gjatë kohore e funksionit të veshkave dhe sistemit urinar, zakonisht 6 muaj pas largimit të valvulave mjeket vazhdojnë të monitorojnë funksionin e fshikëzës urinare me ekzaminim urodinamik. Kjo qasje e ndjek funksionin e fshikëzës urinare dhe jep informacione specifike objektive për kapacitetin e saj, hapësirën dhe funksionet e zbrazjes.