• Saturday, 22 February 2025

KARIL po përgatitet për renovim – plani për referimin e pacientëve është hartuar

KARIL po përgatitet për renovim – plani për referimin e pacientëve është hartuar

Shkup, 21 shkurt 2025 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, sot vizitoi Klinikën Universitare për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv me Kujdes të Lartë (TOARILUC) dhe zhvilloi një takim me drejtoreshën, Marija Srceva Jovanovski, lidhur me aktivitetet përgatitore, të cilat janë në fazën përfundimtare për fillimin e një rekonstruksioni tërësor të hapësirave të KARIL-it, i cili po realizohet për herë të parë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë (MSH).

"Për të siguruar një qasje të kujdesshme dhe të sigurt ndaj këtij renovimi, ju informojmë se gjatë periudhës së ardhshme, kjo klinikë do të funksionojë me kapacitet të reduktuar. Për këtë janë njoftuar të gjitha institucionet publike shëndetësore në vend. Sipas planit të hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, një pjesë e pacientëve do të transferohen në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit '8 Shtatori', Klinikën e Kirurgjisë 'Shën Naumi i Ohrit' dhe Klinikën e Neurokirurgjisë. Këto institucione shëndetësore do të pranojnë një numër të caktuar pacientësh, bazuar në marrëveshjen e përbashkët me institucionet shëndetësore publike. Ky investim kapital është i një rëndësie kombëtare dhe për herë të parë që nga themelimi i Qendrës Klinike po ndërmerret një rikonstruksion i plotë i KARIL-it", bëhet e ditur në kumtesën e MSH-së. fc/

Fotografia: MSH