• Tuesday, 04 February 2025

Buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për këtë vit është 814 milionë denarë, 18 institucione do të marrin buxhet të deleguar

Buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për këtë vit është 814 milionë denarë, 18 institucione do të marrin buxhet të deleguar

Shkup, 3 shkurt 2025 (MIA) - Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov sot informoi se buxheti i përgjithshëm i ministrisë për vitin 2025 i ndarë për financimin e projekteve me interes kombëtar në kulturë, arrin në 814 milionë denarë. Lutkov ka sqaruar se nga ky vit janë duke bërë ndryshime në mënyrën e financimit të aktiviteteve programore për 18 institucione kombëtare të cilat do të marrin buxhet të deleguar, ndërsa janë të obliguar që përmbajtjet e tyre vjetore të programit t'i publikojnë në ueb faqet e tyre.

Buxheti është më i madh për 74 milionë denarë në krahasim me buxhetin e vitit të kaluar, ndërsa në këto mjete është paraparë buxhet i veçantë për industritë kreative, për të cilat do të shpallin konkurs të veçantë në periudhën në vijim.

Siç potencoi Lutkovi në një konferencë për shtyp, ka një rritje të dukshme të programeve buxhetore në aktivitetet e dramës me 40 për qind, bibliotekës, ndërkombëtare dhe mbrojtjes së mallrave audiovizuale për 30 për qind, si dhe në artet pamore, arkitekturë dhe dizajn, si dhe aktiviteti botues me 25 për qind.

"Këto ndryshime kanë për qëllim të krijojnë kushte për planifikim dhe realizim më efikas të përmbajtjes programore nga drejtuesit, autonomi më të madhe, por edhe përgjegjësi më të madhe dhe në këtë mënyrë do të vihet në pah aftësia e tyre menaxheriale. Qëllimi i Ministrisë është fuqizimi i plotë i kapaciteteve të institucioneve kombëtare, ndërsa kjo do të çojë në pavarësi dhe kreativitet më të madh në planifikimin dhe zbatimin e aktiviteteve kulturore.

Sa i përket ndarjes së mjeteve, ai informoi se këtë vit theksi është vënë në nevojat financiare të institucioneve kombëtare, përkatësisht në pasurimin e tyre me përmbajtje cilësore programore.

Lidhur me konkurset vjetore, Lutkovi potencoi se përmes sistemit elektronik të aplikimit janë pranuar gjithsej 2.888 aplikacione dhe mbështetje kanë marrë 1.365 projekte.

"Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është fakti se në përputhje me llojet e projekteve, në aplikimet për vitin 2025 është përcaktuar saktësisht se cili lloj projekti mund të mbështetet me shumën maksimale të mjeteve. Kjo strukturë e qartë ishte baza për një shpërndarje transparente të mjeteve. Gjithashtu, me një akt të veçantë u përcaktuan kriteret e emërimit të anëtarëve të komisioneve, emrat e të cilëve i shpallëm publikisht, për të konfirmuar angazhimin tonë për transparencë dhe besimin e publikut. Anëtarët e komisioneve, të pranishëm në konferencën e sotme për shtyp dhe të cilët me këtë rast edhe një herë personalisht shfrytëzoj rastin t'i falënderoj, në periudhën e kaluar vlerësuan me profesionalizëm dhe përkushtim projektet në përputhje me plotësimin e kushteve të përgjithshme", tha ministri. rq/

Foto: arkivi i MIA-s